Lajme

Historia e vajzave që konsumonin ushqimin e Hitlerit

Nuk ishte e njohur si histori deri në vitin 2013, por një grup prej 15 grash ishin të punësuara për të konsumuar ushqimin e Hitlerit, për të kontrolluar nëse kishte helm në të. Një shfaqje e re në Festivalin Edinburgh Frinke, tregon historinë e tyre.
Imagjinoni të dini se çdo pjatë e ushqimit që do të hani, mund të jetë fundi i jetës tuaj, se potencialisht mëngjesi, dreka dhe darka mund të përcaktojnë vdekjen dhe ju do t’i konsumoni atë ushqim sidoqoftë. Për një grup vajzash të reja në Rajhun e Tretë, ky ishte realiteti i tyre i përditshëm, ato do të testonin ushqimet e Hitlerit, përgjatë dy viteve të fundit të Luftës së dytë Botërore. Hitleri kërkoi që vajzat e reja të provonin çdo vakt përpara se ai të konsumonte ushqimin e tij, në rast se aleatët, ose njëri prej kundërshtarëve përpiqej ta helmonte.
Historia e veçantë e këtyre grave të reja doli në dritë në vitin 2013, kur Margarot Wolk, 95 vjeç në atë kohë, tregoi për jetën e saj në revistën gjermane Der Spiegel. Tashmë “Hitler’s Tasters” një shfaqje nga regjisorja Michelle Kholos Brooks, do të tregojë si të imagjinoni lehtësisht se jeta juaj mund të jetë në rrezik sa herë që shihni ushqimin tuaj. Shfaqja është parë në teatro të ndryshme në SHBA dhe tani vjen edhe në festivalin më të madh botëror të artit. I realizuar nga një kast aktoresh të veçanta, ngjarja përqendrohet në katër vajza të reja, të cilat jetonin në një shtëpi pranë Wolf’s Lair, selisë së Fronti lindor të Hitlerit në Prusinë Lindore( në ditët e sotme Polonia).

Wolf's Lair, vendi ku jetuan vajzat.

Brooks, dëgjoi për këto vajza krejt rastësisht, kur një kolege e saj përmendi historinë e tyre gjatë një udhëtimi me avion.
“Unë e pyeta, nëse ajo do të shkruante për këtë histori dhe ajo më tha jo, kështu që pa u menduar shumë nisa të krijoj një skenar, për të cilin e dija që prej fillimit se do të ishte tepër i veçantë,” shprehet Brooks.
Për regjisoren, kjo histori ishte shumë e pasur tematikisht. Mënyra se si trajtoheshin vajzat e reja, si përdoren fëmijët në fushën e luftës, sa e vështirë është të jesh adoleshente dhe sa e vështirë është të manipulosh njerëzit politikisht, kaq mjaftonte për Brooks të krijonte një shfaqje mbresëlënëse. Të gjitha këto aspekte historike, mbajnë një hije vështirësie në vetvete, por shfaqja në të vërtetë është një komedi, edhe pse e zeze. Përpos faktit të vështirësive që ato hasnin çdo vakt, Brooks, i vendos vajzat në një moment tjetër historik. Ajo i përshkruan këto vajza të reja edhe si adoleshente bashkëkohore. Vajzat kërcejnë muzikë pop dhe bëjnë “selfie”, gjithashtu gjatë gjithë kohës bëjnë thashetheme për shërbëtorët kryesorë të Hitlerit.

Margarot Waolk

“Isha duke parë këto vajza teksa bënin selfie përpara se të nisnin shfaqjen dhe si regjisore e trajtova historinë në një këndvështrim tjetër. Nuk doja që të kisha personazhe të tonifikuar historikë, por doja që ato të ndjeheshin më mirë dhe më bashkëkohore,” shprehet Brooks.
Regjisorja e përdor këtë kapitull të çuditshëm të historisë së Luftës së Dytë Botërore, si një mënyrë për të ekzaminuar, përvojën universale të të qenurit e rrezikuar edhe në ushqimin që konsumon, por gjëja e veçantë në jetën e tyre ishte fakti se ato të paktën kishin diçka për të ngrënë, në kohën kur njerëzit e tjerë në Gjermani vdisnin urie.
“Disa nga vajzat qanin, teksa konsumonin ushqimin sepse kishin shumë frikë. Ne duhet t’i hanim të gjitha dhe duhet të prisnim një ore për të parë nëse do të sëmureshin. Më pas qanim nga gëzimi se jetuam edhe një ditë më shumë,” ka deklaruar Wolk në vitin 2013.

Ushtarët do të prisnin një orë për të parë nëse ndonjë nga vajzat do të sëmurej dhe nëse nuk ndodhte asgjë, Hitleri do të konsumonte ushqimin. Në mes të çdo vakti ato do të uleshin, duke pritur nëse do të vdisnin apo jo. Nga historia kemi mësuar se asnjë nga vajzat nuk u helmua kurrë nga ushqimi, por historia e tyre nuk do të ishte njohu kurrë, nëse nuk do të dëshmonte Wolk. Ajo ishte e vetmja nga të gjitha vajzat që i mbijetoi kohës së Hitlerit, ndërsa të gjitha vajzat e tjera u vranë nga ushtarët sovjetikë.
Të bësh komedi me një situatë të tillë duket diçka e papranueshme, por Brooks thotë se është mënyra më e mirë për të mësuar këtë histori dhe të mos demoralizohesh. Vajzat që konsumonin ushqimin e Hitlerit, në komedinë e Brooks, të bëjnë për të qeshur sepse në thelb ato janë të pafajshme dhe vetëm kjo gjë mund të bëjë që zvogëlohet fuqia e dëmshme e fashistëve./BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë