Lexo me "Si"

Historia e pabesueshme e mjekut italian të luftës, që provoi qelitë e Enver Hoxhës

Me kapitullimin e ushtrisë italiane u bashkua me partizanët. Por pas fitores përfundon në pranga. I akuzuar si spiun i Vatikanit, provon torturat e regjimit, deri tek skuadra e pushkatimit. Rrëfimi i njeriut që pa vdekjen me sy. Në librin e tij “Lufta më e gjatë. Shqipëri 1943- 1948” (botuar nga shtëpia “Mursia” e Milanos, botimi i parë më 1966, pasuar nga katër ribotime të mëvonshme), Franco Benanti, toger mjek pranë divizionit ushtarak “Perugia” të vendosur në atë kohë në Shqipëri, rrëfen ndodhinë e tij të tmerrshme. Është një histori që shtrihet si një lëmsh dhimbjesh, nga rënia e ushtrisë italiane pas armëpushimit të 8 shtatorit 1943 tek masakrat e nazistëve ndaj ushtarëve italianë. Nga bashkimi me partizanët shqiptarë e deri tek fitorja e pushtetit nga komunistët e Hoxhës. Nga persekutimet e para kundër opozitarëve, deri tek arrestimet e torturat. Benanti ia doli mrekullisht të kthehej në Itali nga Beogradi, i plagosur dhe i katandisur në një skelet, pas një makthi që zgjati plot shtatë vjet.

‘’Në mëngjesin e 10 prillit më thirri shefi i policisë. Pa më shikuar në sy, më dha urdhërin e transferimit dhe një fletë udhëtimi. Destinacioni: Spitali Ushtarak i Tiranës. Tha se duhej të nisesha menjëherë, pa më dhënë shpjegime të tjera. Pas një udhëtimi me makinën e postës për afro 120 kilometrash, mbërrita në kryeqytet aty nga mbrëmja. Në hyrje të qytetit, makina u ndal përpara një post- blloku. Dy zyrtarë të policisë ushtarake hipën në makinë: “Shok, pasaportën”. Pasi panë fletë' udhëtimin, ushtarakët thanë: “Të gjithë civilët do t’i nënshtrohen kontrollit”.

Duhet nënvizuar se që nga viti 1945 ishin shpërndarë letër njoftimet dhe askush nuk mund të zhvendosej, të udhëtonte me makinë, të flinte në hotel, nëse në pasaportë nuk vendosej viza e policisë ushtarake. Dënime deri në 30 vjet burg parashikoheshin për ata që nuk e kishin një dokument të tillë, i cili, përveç të dhënave për identitetin, duhet të përmbante një biografi shoqërore, politike dhe private.

Pas kontrolleve, makina hyri në qytet dhe unë munda të zbres në Hotel Kontinental. Nuk i kisha zbrazur ende valixhet, kur në portën time trokitën me ngulm. Gjithçka që ndodhi më pas, më ka mbetur në mendje si një diçka që e kisha parë midis ëndrrës dhe realitetit. Hapa derën dhe pashë të hynte një kapiten të policisë ushtarake, i ndjekur nga një kapter. Pasi më përshëndeti me kortezi, kapiteni kërkoi gjeneralitetet dhe dokumentet e mija. I siguruar për identitetin tim, mu drejtua me korrektësinë më të madhe: “Doktor, jeni i lutur të paraqiteni në komandë për të dhënë disa sqarime. Mund t’ju shoqëroj unë. Kam makinën këtu jashtë”. Se çfarë fshihte një ftesë e tillë, ishte e lehtë për t’u kuptuar, por instinkti i mbrojtjes reagon edhe kur çdo mbrojtje është e kotë. “Përse duhet të paraqitem në komandë? Sqarimet që ju duhen mund t’ua jap këtu”'. Kapiteni ndërhyri: “Jo, këtu është e pamundur. Për më tepër shqetësimi që jam i detyruar t’u sjell nuk do t’ju marrë më shumë se një gjysmë ore. Unë vetë do t’ju kthej në hotel. Ju lutem vishuni”.

U vesha dhe zbritëm poshtë. Përpara hyrjes së hotelit priste një xhip amerikan. Kapteri mori timonin dhe makina u nis. Pas dhjetë minutash, ndaloi përpara një godinë njëkatëshe me bodrum dhe me dritare me hekura. U dëgjua gërvima e një dere hekuri që hapej. Makina u fut në një oborr dhe ne zbritëm. E kisha kuptuar tashmë se ku më kishin sjellë. Kapiteni më futi në një deriçkë, pastaj në korridor dhe që andej në një dhomë të madhe, ku, i ulur pas skrivanisë, më priste drejtori i burgjeve politike të Tiranës.

MË KEQ SE NË FRONT

Mbeta vetëm me të, në këmbë përpara tavolinës së tij. Një heshtje e gjatë pasoi. Njeriu që kisha përballë më hidhte shikime plot urrejtje, sikur donte të më shqyente me sy. Më në fund u çua dhe, duke më kundruar nga koka te këmbët, më tha në italisht: “ A keni armë?”. Pa ia vënë veshin mohimit tim, më hodhi duart në trup, më kontrolloi dhe më zbrazi xhepat. Nuk gjeti armë, por gjeti portofolin me 250.000 lekë brenda, që ishin shuma e rrogave të prapambetura që mu paguan në Gjirokastër dhe disa napolona flori. Kaleci kujtoi se kishte bërë ndonjë zbulim të rëndësishëm. “Nga vinë gjithë këto para?”, tha duke m’i ngulur sytë. “Përse e bëni fytyrën ashtu? Bëni sikur nuk kuptoni? Jua qartësojë unë idetë. Këto janë paratë që ju japin priftërinjtë për të bërë spiunllëqe”. “Nuk është e vërtetë”, u përgjigja duke u munduar të dukesha më i qetë se ç ‘nuk isha në realitet, “paratë i kam fituar me punën time. Mund ta vërtetoni lehtë duke i kërkuar informata komandës së Gjirokastrës”. “Ashtu hë? E dimë vetë ne se ku marrim informata. Por nuk është kjo e gjitha. Ka gjëra më të rëndësishme. Mos u bëni i paduruar, të gjitha krimet tuaja do të dalin në dritë!”, përfundoi duke futur në xhep paratë e mija. Pastaj thirri një ndihmës, të cilit i tha në shqip: “Shoqëroje poshtë”.

Zbrita goxha shkallë, derisa arritëm në një bodrum dhe shoqëruesi më dorëzoi tek një tjetër me lëkurë të zezë, ndoshta mulat, i cili mbante gradat e tenentit. Ky filloi të më kontrollonte imtësisht. Pasi u sigurua që në gojë nuk fshihja asgjë, ekzaminoi mjeshtërisht, centimetër për centimetër rrobat e mija. Gjeti në xhep orën time dhe një termometër. Mu drejtua me një italishte të përzierë me fjalë spanjisht, për të më pyetur nëse kisha sende të tjera të fshehura. Në fund, më hoqi rripin e pantallonave dhe lidhëset e këpucëve duke më shtyrë drejt një korridori. Ndaloi përpara një dere, vuri syrin tek vrima për t’u siguruar se nuk gabonte, nxori një çelës të madh, e xhiroi tek brava, tërhoqi dorezën, më shtyu brenda me një shkelm duke bërtitur: “Futu, kriminel!”. U rrëzova përtokë, ndërsa dera e hekurt u mbyll me krismë pas shpinës sime.

Që nga ai moment pushova së qeni një krijesë njerëzore. E parë nga poshtë, nën dritën e një bishtuku, qelia ngjante me një kub: katër mure graniti, tavani i ulët, dysheme çimentoje, dritare me hekura. Asgjë më shumë. Ajri binte erë të keqe dhe ishte plot lagështirë. Nga dritarja dhe të çarat e derës hynte i ftohti i natës. Shtrihesha për tokë në brinjë, duke futur një krah poshtë kokës dhe duke u përpjekur të mbulohesha i gjithi me pallto. Ndërkohë truri im punonte me shpejtësi: përse më kishin futur në burg? Çfarë provash mund të kishin kundër meje? Gjatë natës, qetësia prishej nga ulërimat e dhimbjes dhe të dëshpërimit që vinin nga ana tjetër e korridorit. Pastaj përsëri qetësi. Papritur thirrje më të forta e më të qarta që kërkonin ndihmë. Më në fund më zinte gjumi.

Zgjimi qe i frikshëm. Për mjaft kohë nuk mundesha të lëvizja: përpjekja më e vogël më shkaktonte dhimbje të padurueshme. Dielli ishte ngritur lart, kur dera u hap. Kujtova se po më sillnin mëngjesin, por u gabova. Hyri një gardian tjetër, i cili më hodhi menjëherë duart duke nisur një tjetër kontroll. “Më kontrolluan njëherë”, thashë duke treguar xhepat e zbrazur. Policia politike shqiptare kishte ngritur një survejim të shumëfishtë dhe koncentrik, ku çdo roje ishte i ruajtur dhe çdo kontrollor i kontrolluar, kështu që askush nuk kishte besë te askush, mosbesimi ushte reciprok, gabimet të pamundura dhe regjimi i pamposhtur.

Pasi mbaroi kontrollin, gardiani doli. U kthye pas disa minutash për të më çuar në banjo. Në fund të korridorit, ku ndodhej WC, ishte një tjetër gardian që sinjalizonte kur banjo ishte bosh, me qëllim që të evitohej çdo takim mes të burgosurve. Ra mbrëmja. Kishin kaluar 24 orë nga burgosja ime dhe nuk më kishin sjellë asgjë për të ngrënë. Herë pas here sporteli i derës hapej dhe sytë e gardianit më observonin për disa minuta. Duan që të vdes urie, mendova, por me urinë isha mësuar.

Më vonë porta u hap dhe mulati më solli një copë bukë misri dhe një gavetë me bizele të ziera me ujë pa yndyrë, shoqëruar me fjalët: “Ha, fashist!”. Që nga ajo kohë e më pas, merrja rregullisht dy racione, afërsisht 400 gram secili, bukë misri, njëherë në mëngjes e njëherë në darkë. Në drekë një supë me bizele ose lakër, të gjitha pa yndyrë. Një herë në dy ose tri ditë, një paketë cigare. Luks i vërtetë!

Në ditët në vazhdim, ndjenja e vetmisë u rrit. Ecja poshtë e lartë nëpër qeli, duke përplasur duart pas ijëve. Ndjeja kështu gjakun të më rridhte më shpejt përmes gjymtyrëve gati të paralizuara. Kalova një javë pa më marrë njeri në pyetje. Supa e përditshme shpesh kishte shije myku; nga buka haja vetëm koren sepse tuli ishte i thartë. Ditët i kaloja mes zhurmash që tashmë ishin bërë familjare: hapi i rëndë i të burgosurve, tringëllima e çelësave, zërat e gardianëve. Mëngjes e mbrëmje recitoja lutjet e mija, duke i kërkuar Zotit vetëm që të isha i fuqishëm përballë provës në të cilën më kishte vënë. Pas disa ditësh, vura re se truri im ishte ezauruar. Kishte punuar shumë. Për të shmangur një shembje të papritur të mendjes, ishte e nevojshme të gjeja një punë çfarëdo që do të mund të më pengonte të mendoja. I ulur në tokë, nisa të bëja sende të vogla, duke përdorur tulin e bukës dhe kartonin e paketave të cigareve. Ky ushtrim që kërkonte durim mu bë i vlefshëm për të shkuar në seancën e pyetjeve me mendje të çlodhur.

SEANCA E PARË

Dhjetë ditë pas burgosjes sime, erdhi një berber. Është e lehtë të imagjinosh të rruhesh me një brisk që nuk pret dhe  pas një shkumimi me sapun rrobash të një mjekre dhjetë ditëshe! Po atë natë, më thirrën në pyetje. Pas një kalimi të ngatërruar nëpër korridore, më futën në një dhomë ku u gjenda përballë një kapiteni të policisë ushtarake, rreth 35- vjeç i kapardisur dhe mendjemadh. Më uli përpara skrivanisë së tij. “Më jepni' tha- gjeneralitetet tuaja: emër, mbiemër, atësinë, etj. Më tregoni jetën tuaj, nga fëmijëria e deri më sot. Para së gjithash, eprorët e mi dëshirojnë një portret të pastër, konkret, të vërtetë të personit tuaj”. Duhej të recitoja autobiografinë time, ndërsa ai mbante shënime mbi një copë letër. Donte të dinte gjithçka: ç ‘punë bënte babai im, ku jetonte familja ime, në çfarë kushtesh ekonomike, përse kisha zgjedhur zanatin e mjekut, ku kisha studiuar, etj. Donte të dinte motivin e çdo veprimi timin. Vazhdoi kështu për më shumë se tre orë.

Kur u lodh, i ra ziles.

“Tani mjaft' tha- po u them t’u shoqërojnë”.

“Një minute, zoti kapiten, Dua të di se për çfarë jam akuzuar”.

“Tani për tani nuk më duhet gjë tjetër, mund të shkoni”.

Me të rënë zilja, gardiani erdhi menjëherë. Kapiteni u ngrit e iku pa më lënë kohë të replikoja.

Më thirri përsëri në ora dy pas mesnate. Rifilloi me të njëjtat pyetje të përgjithshme. Më pyeti për ndjenjat e mija ndaj atyre që kishin shpërthyer luftën dhe ç ’mendoja për De Gasperi (një nga drejtuesit e fashizmit). U përgjigja qetësisht: “E urrej luftën. Për sa më takon mua, unë vetëm e kam pësuar dhe kam vuajtur prej saj. De Gasperin nuk e njoh”. Inkuizitori merrte shënim përgjigjet e mija. Buzëqeshte. Deri në atë moment, më shumë se një hetim për krimet e mija, ai kishte testuar opinionet dhe mentalitetin tim. U çua sikur seanca kishte mbaruar.

“Zoti kapiten,- thashë duke u çuar edhe unë- lejomëni t’ju pyes përse jam këtu. Kam dhjetë ditë që pyes veten dhe e ndiej trurin të dobësuar”. Këto fjalë nuk patën efekt tjetër, veçse e tërbuan. U afrua duke më hedhur një shikim dinak:

“Ju me tru të dobësuar! Mashtrues në shërbim të priftërinjve dhe të reaksionit! Shpresoni akoma ta shihni familjen tuaj? Për ta jeni i vdekur, sepse nuk do t’i shihni kurrë më! Mund të bëjmë me ju çfarë të kemi qejf!”. Duke folur, lëvizte duart përpara fytyrës sime. Pastaj i ra me forcë ziles dhe urdhëroi rojen të më çonte në qeli.

Më në fund kuptova se ku donte të dilte. Priftërinjtë, reaksioni. Akuza të mira për një dënim me vdekje.

SEANCAT QË VAZHDONIN

Ditën që pasoi, pak përpara ndarjes së supës, u mora përsëri në pyetje. Këtë herë, inkuizitori hyri menjëherë në temë:

“Kemi verifikuar se ju keni qenë spiun në shërbim të priftërinjve. Nëse s’doni ta rëndoni gjendjen tuaj, duhet të flisni hapur dhe sinqerisht. Ndër të tjera jeni lidhur edhe me reaksionin e brendshëm.. Bëni pra një rrëfim të detajuar të aktivitetit tuaj kriminal, duke dhënë emrat e personave, shqiptarë e të huaj, nëpërmjet të cilëve keni ushtruar spiunazhin. Unë po ju dëgjoj”.

“Nuk kam qenë kurrë spiun i askujt. Nuk asgjë për të treguar e aq më pak emra”.

“Ashtu hë' replikoi kapiteni duke i rënë me grusht tavolinës- Nuk dini asgjë! Nuk njihni asnjë ju! A e dini se çfarë jeni? Një tradhtar, i poshtër e pa nder”.

“Ju fyeni lehtësisht- u përgjigja- përderisa unë nuk mund të mbrohem. Për më tepër, duke mos patur motiv, fyerjet tuaja nuk zënë vend”.

Në këto diskutime, që nga ajo ditë e më pas, seancat u bënë më të shpeshta. Thirresha në mëngjes dhe më lëshonin në kohën e supës. Më thërrisnin përsëri në ora 15 dhe më mbanin tre- katër orë. Në dy pas mesnate, kapiteni dërgonte njerëz të më merrnin dhe më mbante nja dy orë të tjera duke përsëritur të njëjtat pyetje me këmbënguljen c një maniaku. Kërkonte të mos më linte të flija për të më lodhur e për të triumfuar mbi mbrojtjen time.

Ishte e qartë që hetuesia nuk synonte të nxirrte të vërtetën, por të mblidhte sa më shumë materiale për të më inkriminuar. Për këtë qëllim u bë një kontroll i imët i bagazheve të mija, që ishin marrë nga hoteli ditën që më arrestuan. Gjykatësi nisi të më tregojë disa “prova fajësie”, që ishin gjetur në valixhen time. Bëhej fjalë për disa fotografi, ku unë kisha dalë me një prift, padre Angelo Raffaele Muccino, i njohur në Corcia, si dhe për një çantë që mbante gradat, spaletat dhe yjet e uniformës sime, që kur isha bashkuar me partizanët.

Ndërkohë, ai ushtronte mbi mua një presion të vazhdueshëm, për të më detyruar të nënshkruaja një deklaratë, ku pohohej se ushtria italiane kishte kryer barbarizma kundër popullsisë shqiptare. Donte që nëpërmjet firmës time, të vërtetonte një seri akuzash të pavërteta kundër divizionit në të cilin unë kisha bërë pjesë.

CILAT ISHIN AKUZAT

Në krye të dy javëve të asaj hetuesie kafkiane, gjykatësi më komunikoi zyrtarisht veprat penale që kisha kryer. U akuzova për ushtrim spiunazhi në favor të Vatikanit dhe për lidhje me reaksionin e brendshëm. Gjykatësi shtoi se kishte dëshmi të shkruara kundër meje. U tërbua krejt, kur unë deklarova se isha i pafajshëm.

“Mjaft me gënjeshtra- ulëriti- Kush është këtu brenda është patjetër fajtor”. Mësova kështu se për drejtësinë shqiptare çështja i pafajshëm ose fajtor nuk ka kuptim: provizorisht të pafajshëm janë ata që nuk janë arrestuar akoma, ndërsa fajtorë ata që gjenden në burg. Gjykatësi këmbëngulte dhe kërkonte emrat e bashkëpunëtorëve.

“Nuk është se s’dua të flas,- kërkoja të shpjegohesha- por personave për të cilët më pyesni nuk mund t’ua di emrat sepse nuk ekzistojnë”.

“Aq më keq për ju. Deri tani nuk doja të përdorja mënyrat e forta, por kupa u mbush. Hiqjani pallton dhe çojeni në qelinë ndëshkimore. Një çikë fresk dhe barku bosh do t’ua kthej në kujtesën. Kur t’ju kenë ardhur në mend ato gjëra që i keni harruar, , atëherë do të shihemi përsëri”.

Në këto fjalë e sipër, sekuestroi pallton time dhe thirri rojet për të zbatuar urdhrin. Një gardian më futi në një qeli tre metra katrorë, pa asnjë të çarë përveç derës së hyrjes. Porta, përveç sportelit kishte disa vrima nga hynte ajri dhe një të çarë në fund për të futur ushqimin. Nga muret kullonte ujë, dyshemeja e çimentos qe e lagur. Pa pallto, dhëmbët nisën shpejt të më kërcasin nga i ftohti që po më hynte në palcë. U ngrita, provova të përplas duart dhe të eci në vendin e ngushtë për t’u ngrohur. Pas pak, sporteli u hap dhe një zë njoftoi: “Buka”. Hëngra koren, ndërsa me tulin u mundova të mbyll të çarat e derës, nga ku hynte ajri i ftohtë.

Kalova dy ditë e dy netë në qelinë e ndëshkimit. Ditën e tretë, inkuizitori më thirri. Më dëgjoi më një lloj kortezie, më ktheu pallton, më ftoi të ulesha pranë tavolinës dhe më ofroi një cigare. Pastaj duke më zgjatur disa fletë të daktilografuara më tha:

“Më tregoni cilët nga këta emra keni dëgjuar dhe cilët nga këta persona keni njohur apo keni punuar”. Mora fletët dhe pasi 1 pashë emrat në listën e gjatë, u përgjigja se nuk njihja asnjërin.

“Vetëm kaq? Kjo është e gjitha që mundët të mbani mend? Keni kokën më të fortë nga të gjithë kriminelët që kam njohur. Por kemi mjete për të zbutur dhe ekzemplarë të Ilojit tuaj”.

Në fund të seancës më çuan te fotografi, i cili më bëri foto përballë e në profil si dhe më mori shenjat e të dhjetë gishtërinjve.

Natën që pasoi, hetimi pati një zhvillim të papritur. Aty nga ora dy, gardiani më zgjoi nga gjumi. Nxitonte. Tha që gjykatësi më kërkonte menjëherë dhe më ftoi të vishja pallton. Ngjitur me dhomën e hetuesisë gjeta gjykatësin të shoqëruar nga tre oficerë të policisë ushtarake. Të gjithë ishin në këmbë, të veshur me pallto e bereta, sikur pas pak do të dilnin. Sapo më pa, hetuesi mori mbi tavolinë disa fletë duke thënë:

“Nuk deshët të flisnit, nuk deshët të ishit më pak armiqësor ndaj pushtetit popullor. E po mirë, aq më keq për ju. Kemi këtu urdhërin për t’iu pushkatuar menjëherë. A kuptuat? Menjëherë! Kemi deponimet e firmosura nga dëshmitarët, të cilët pohojnë që ju jeni spiun i Vatikanit. Lexojini!”. Morra letrat në dorë, ndërsa ndjeva gjakun të më hipte në kokë.

“Jam i sigurtë,- u përgjigja- që këto deponime janë false, të sajuara. Për më tepër nëse këta persona ekzistojnë vërtet, përse nuk më keni vënë përballë tyre?”.

“Nuk kemi më kohë për diskutime. Nëse nuk më jepni menjëherë emrat, do të vazhdojmë më ekzekutimin”.

Analizova në pak sekonda situatën time. Në ato momente, që mund të ishin të fundit të jetës time, truri më punonte turbullt. Isha i vendosur të mos bëja deponime i shtyrë nga frika e çastit të fundit.

“Pra,- tha hetuesi- keni tre minuta kohë për të folur, bëjeni shpejt!”. Pasuan tre minuta heshtje. Kafshoja buzët, ndërsa ata më shikonin egërsisht.

“Tani mjaft,- ndërhyri hetuesi duke i rënë ziles- keni për ta parë se nuk po bëjmë shaka. Dhoma u mbush me ushtarë të armatosur me mitraloza. Më vunë prangat dhe më nxorën në oborrin e burgut. Dy xhipa prisnin te porta. Më hipën në makinën e parë. Pranë meje u ulën hetuesi dhe tre oficerët e tjerë. Ushtarët u ngjitën në xhipin tjetër. Makinat u nisën menjë herë. Ishte ndoshta ora tre dhe rrugët e Tiranës qenë të shkreta. I ftohti ishte therës. Pas disa minutash, xhipat u ndalën përpara murit të varrezave. Zbritën dhe bëmë disa hapa deri në rrëzë të murit.

Dikush më kapi për krahësh dhe më vendosi me shpinë tek muri. Ushtarët u vendosën në rresht luftimi, nja 15 metra nga unë. Kaluan disa minuta heshtje. Në kokën time vërtitej mendimi për ato që doja dhe ato që duhej të lija. Rikalova në mendje rrugën e jetës time. Kisha plot kujtime nga rinia, nga gruaja dhe nga fëmijët e mi. Pastaj, pak nga pak, shpirti im nisi të qetësohej përpara vdekjes së sigurtë. Fillova të lutem me shpirt. Një moment, hetuesi u afrua tek unë dhe më tha:

“Për herë të fundit ju ftoj të flisni. Mjaft të thoni disa emra dhe do të shpëtoni”.

“Më vjen keq që nuk ua plotësoj dot dëshirën, sepse po ua përsëris nuk i njoh emrat që ju kërkoni. A është e mundur që pas kaq seancash me pyetje nuk e keni kuptuar që jam i pafajshëm?”.

Në këtë moment ndodhi një ndërrim i papritur, i pabesueshëm i skenës. Hetuesi më hoqi prangat dhe duke më shtrënguar dorën, tha: “Tani ju besoj, por doja të sigurohesha që vërtet nuk fshihnit ndonjë gjë të rëndësishme!”. Komedia kishte marrë fund. Hipëm përsëri në xhip për tu rikthyer në burg. Pasi kisha bërë një vit tashmë në burg, erdhi urdhëri që të më lironin menjëherë.

Por nuk m’i kthyen sendet që m’i kishin marrë kur më arrestuan. Protestës sime nuk ia vunë veshin. Shkova në shtëpinë ku kisha bujtur më parë. E zonja e shtëpisë më shihte me frikë, si një burgaxhi. Rashë të fle menjëherë. Kur u zgjova, pata një befasi. Omar Osmani kishte ardhur të më bënte një vizitë. Me vete kishte sjellë disa paketa me ushqime, mish, proshutë, konserva, sallame, kuti me marmelatë dhe çokollata.

–Janë dhuratë për ty- më tha.-Duhet të hani që ta merrni veten.

Me sa duket, kështu e kishin instruktuar nga lart. Duhet të shërohesha sa më shpejt që të isha në gjendje të punoja. Pasi u largua kapiteni, pata një vizitë tjetër, nga një vajzë më pak se njëzetë vjeçe, e cila më ftoi në një mbrëmje argëtuese.

–Duhet të njohësh edhe anën e mirë të shqiptarëve- më sugjeroi aj.- Hajde të kërcesh këtë mbrëmje me ne. Harroji kujtimet e këqija!

Ndenja dy javë pa bërë asgjë. Autoritetet më kishin lënë një kohë për pushim dhe rilaksim. Gjithsesi policia ushtarake kujdesej për riedukimn tim. Më sillnin materiale propagandistike, ishin gati të më martonin edhe me një vajzë shqiptare! Më ftonin në shumë konferenca politike.

PËRSËRI NË PUNË

Ditët e fundit të gushtit erdhi urdhëri të transferohesha në Tiranë, pranë brigadës së xhenjos. Aty mora vesh për pushkatimin e prof. Lozzi-t dhe për faktin që shumë italianë gjendeshin nëpër burgje. Komandant ishte një geg, ish luftëtar në Spanjë, martuar me një franceze. Zura vend në hotelin e oficerëve.

Gazetat flisnin atë kohë kundër Fuqive Perëndimore që nuk e kishin lejuar Shqipërinë të merrte pjesë në bisedimet për reparacionet e luftës të Italisë. Flitej për incidentet në kufirin shqiptaro-grek Më 15 maj bateritë detare të Shqipërisë kishin fundosur dy anije britanike në Kanalin e Otrantos dhe vijonin ndihmat ushtarake për partizanët grekë. Jugosllavët kishin nënshkruar një traktat miqësie dhe ushtarak me Shqipërinë që i detyronte ata ta mbronin vendin e vogël në rast agresioni nga Greqia. Po ashtu ishin nënshkruar shumë marrëveshje ekonomike e kulturore.

Në fillim të 1947 u ashpërsua lufta fraksioniste në gjirin e Partisë Komuniste midis grupit Hoxha-Spiru dhe filo-titistëve Xoxe-Pandi Kristo. Gjatë atyre 14 muajve që kalova në Tiranë u njoha mirë me gjendjen politike të vendit. Regjimi mbështetej në tre shtylla: Partinë, policinë dhe ushtrinë. Socializmi i reklamuar nga komunistët si barazi midis qytetarëve, mohonte të gjitha të drejtat e individit. Ai ishte një diktaturë mbi proletariatin në vend që të ishte diktaturë e proletariatit. Baza e regjimit s’ishin punëtorët dhe fshatarët, por udhëheqësit e lartë të partisë, funksionarët e Sigurimi, aparatçikët e partisë dhe drejtuesit e ekonomisë. Ky bllok përbënte sistemin kockor të regjimit.

Për të bërë ndryshimet, regjimi u mbështet në dhunën. Policia dhe ushtria bënte atë që duhet të bënte koha për ta shoqërizuar popullin shqiptar. Puna e detyruar përfshiu shumë sektorë të industrisë. Qytetari i Shqipërisë së re jetonte për të prodhuar, qëllim kryesor ishte rritja e prodhimit. Nocioni i të drejtave të njeriut ishte jo juridik, por politik.

Policia politike sajonte gjithnjë komplote për të eliminuar udhëheqjen e vjetër dhe për të ndihmuar kupolën e partisë në luftën për pushtet. Njëzëshmëria e konsensusit popullor kishte zanafillë vetëm terrorin. Nuk e mbante regjimin e Hoxhës entuziazmi i popullit por mjetet e dhunës.

Populli duhej të bënte shumë sakrifica. Mijëra kulakë, pronarë të vegjël tokash u masakruan. Niveli i masave ishte tepër i ulët në krahasim me atë të funksionarëve të partisë dhe shtetit. Kështu rroga ishte 4000 lekë për një punëtor të pakualifikuar dhe 50 000 lek për funksionarët. Sa për krahasim një palë këpucë kushtonte 2000 lekë, ndërsa një orë 30000 lekë. Gjithandej kishte parulla, tabela emulacioni, mjete propagandistike. U ndërtuan disa apartamente për funksionarët dhe ushtarakët e lartë, përveç që ishin shpronësuar me mijëra pronarë shtëpish për të futur në to oficerët dhe nëpunësit e regjimit.

DITA E LIRISË PO AFROHEJ

Me 20 tetor 1947 brigada e xhenjos u transferua në Shkodër. Të gjitha materialet për urat, pasarelat etj, vinin nga Jugosllavia. Brigada merrte mjetet, instruksionet, manualet etj nga jugosllavët. Ky ishte haraçi që Hoxha u paguante jugosllavëve për ndihma. Në Korçë jugosllavët ndërtuan një fabrikë sheqeri, në Elbasan një fabrikë marmelate, në Tiranë një central telefonik automati. Por sipas Spirut, këto ndihma ishin të pakta dhe vendi po varfërohej.

Kundër tij u vu fraksioni i Koçi Xoxes, si rezultat Nako Spiru u detyrua të vriste veten në nëntor 1947. Pas kësaj, marrëdhëniet sovjeto-jugosllave nisën të keqësohen. Por ne janar 1948 Stalini ftoi Gjilasin në Moskë dhe tha:

-Jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë. Preferojmë më mirë proletarin Koçi se sa intelektualin Hoxha.

Nga ana tjetër, Stalini fshehtas inkurajonte Hoxhën kundër Xoxes dhe jugosllavëve. Kur Tito kërkoi të fuste dy divizione jugosllave në Shqipëri për të mbrojtur atë kundër agresionit të mundshëm grek, Stalini e denoncoi atë në Komintern.

Në mars 1948 Shtabi madhor i ushtrisë vendosi ndërtimin e një rruge automobilistike nga Berati drejt kufirit me Greqinë. Kjo bëhej për një ndeshje eventuale me Greqinë. Brigada jonë u transferua atje, në Vërtop.

Këtu m’u krijua mundësia për të shpëtuar përgjithmonë nga ky vend. Në fillim të qershorit, më sollën një oficer shqiptar i cili pretendonte se ishte i sëmurë, vetëm që të mos luftonte në frontin e jugut. Unë e kuptova që ai simulonte, megjithatë kërkova të shkonte për analiza në spitalin ushtarak në Tiranë. Kur u kthye që andej me analizat negative, ai, në inat e sipër, më qëlloi me pistoletë duke më goditur në këmbë. Ushtarët arritën ta çarmatosin dhe ta lidhin. Por unë isha plagosur keq. Me qenë se nuk mund të mjekohesha në Shqipëri, me urdhër të ministrit Haki Fejzo sipas sugjerimit të kolegëve italianë, më dërguan në Beograd. Pas disa ditësh, atje mësova për prishjen e marrëdhënieve ndërmjet Jugosllavisë e Shqipërise. Kominterni e akuzonte Titon për revizionizëm dhe si agjent të kapitalizmit botëror. Një oficer jugosllav që e kisha pranë krevatit më tha:

– Ne e formuam partinë komuniste shqiptare, i ndihmuam shqiptarët për ta rindërtuar vendin e tyre. Ja si na e shpërblyen ata.-dhe vazhdoi me të shara.

Më tregoi disa gazeta shqiptare ku Tito paraqitej si një qen që e tërhiqte me zinxhir daja Sam.

Rashë në lidhje me konsullin italian dhe, pas një muaji, u nisa për në Territorin e lirë të Triestes. Me 3 gusht mbërrita në shtëpi.

Shtatë vjet vazhdoi ekzili im, kur u nisa isha 28 vjeç, u ktheva 35 vjeç. Ndjeva në damarët e mi bashkë me gjakun, lodhjen e luftës, trysninë e kujtimeve për këto vite të hekurta, plot vuajtje dhe sakrifica, agoni, uri, terror, vuajtje , vuajtje , vuajtje,

Kohët e para s’isha në gjendje të tregoja çfarë kisha hequr. Por më vonë e ndjeva për detyrë që t’i përshkruaj këto vite që kalova këtu, duke bashkuar kujtimet e mia me ato të shumë shokëve të luftës dhe ekzilit dhe vuajtjes atje’’.

Përgatiti: Mendrit Shehu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë