Ne rrjet

Historia e Geraldos/ Me shkollë të lartë në Shqipëri, por në Britani kapet në ‘shtëpi bari’

Gazeta Si - Rastet kur të rinj shqiptarë kapen në fermat e ashtuquajtura të kanabisit në Britani janë të shumta, por historia e Geraldo Xixit duket e veçantë nga të tjerat.

I padënuar më parë, 26-vjeçari kishte studiuar për Menaxhim Biznesi në Shqipëri. Me nënën të sëmurë dhe me familjen e tij të përfshirë në gjakmarrje, vendosi të punojë në “shtëpi bari”. Pasi pranoi fajësinë, gjykata e dënoi me një vit burg.

Ai u zbulua në 14 maj të këtij viti, kur oficerë policie nga ekipi i krimit të organizuar në Swansea, ekzekutuan një urdhër kontrolli në një shtëpi pranë “Palace Theatre”.

Oficerët fillimisht rrethuan shtëpinë dhe ndërsa filluan të futeshin, Geraldo Xixi nisi të largohej nga pjesa e pasme e ndërtesës duke u ngjitur në çati.

Duke tentuar të arratisej, ai filloi të ecte nëpër çatitë e shtëpive ngjitur para se të zbriste në pjesën e pasme të kopshtit të një banese në High Street ku edhe u arrestua.

Nga kontrolli i shtëpisë policia zbuloi se një dhomë në katin e poshtëm, dy dhoma gjumi si dhe papafingoja, ishin shndërruar në një mjedis për kultivim kanabisi, ku muret ishin të veshura me faqe plastike, ishin vendosur drita, ventilatorë, kohëmatës dhe pleh.

Po ashtu një dhomë ishte përdorur për tharjen e bimës. Në total policia gjeti 130 bimë kanabis.

Policia zbuloi se ishte ndërhyrë në kabinën kryesore elektrike për të marrë energji, gjë që sipas tyre mund të kishte shkaktuar edhe ndonjë tragjedi për banorët e tjerë të zonës.

Sipas avokatit të Geraldo Xixit, ekspertët kanë arritur në përfundimin se kjo shtëpi droge me 11 kilogramë kanabis arrin një vlerë shumicë deri në 57.000 paund, ndërsa në treg pakice kap një vlerë shumë më të lartë.

Geraldo Xixi ka thënë se ai është në fakt një viktimë e skllavërisë moderne. Ai tregoi se ka ardhur në Mbretërinë e Bashkuar për të punuar në ndërtim, pasi familja e tij ishte përfshirë në një gjakmarrje, pasi i ati kishte vrarë një  burrë në Shqipëri.

Ai ka rrëfyer se që prej dhjetorit, ka banuar në të njëjtin vend dhe se është paguar 100 paund në javë.

Pas pretendimeve të Xixit se ishte viktimë, u kryen hetime, por doli se i pandehuri kishte qenë i lirë të hynte e të dilte nga shtëpia në afërsi të “Palace Theater”, e po ashtu kishte pasur mundësinë të përdorte telefona.

Shqiptari nuk rezultonte i dënuar më parë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa ende nuk është dhënë përgjigje nga autoritet shqiptare në rast se ka pasur dënime të mëparshme në vendin tonë për të pandehurin.

Mësohet se 26-vjeçari ka studiuar Menaxhim Biznesi në Shqipëri, por i është dashur t’i braktisë studimet për shkak të sëmundjes së nënës së tij. Atij i duheshin para “të shpejta” për t'u kujdesur për të. 

Gjykatësi Geraint Walters, arriti në përfundimin se Xixi po punonte në një plantacion kanabisi të drejtuar nga një bandë kriminale shqiptare dhe se të ardhurat e këtij biznesi përdoreshin për financimin e aktiviteteve të tjera të paligjshme.

Ai u shpreh se hetimet në “shtëpitë e  barit” duhen marrë shumë seriozisht nga policia, pasi mënyra e vetme për të ndaluar këto aktivitete kriminale është gjetja e atyre që i drejtojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë