Histori

Historia e Alfabetit, si shmangu ndarjen identitare dhe pse u zgjodh Manastiri

22 nëntori është Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, njëra nga datat më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Alfabeti i Gjuhës Shqipe i cili u unifikua 113 vjet më parë në Kongresin e Manastirit do të përbënte një moment kyç për kombin tonë, pasi e orientonte drejt kombeve të përparuar të botës perëndimore.

Alfabeti u njësua gjatë Kongresit të Manastirit i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit, mes datave 14 nëntor - 22 nëntor 1908 i mbajtur në qytetin e Manastirit. Kongresi kishte si qëllim standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe, krijimin e një alfabeti të njësuar.

Historiani Ardit Bido thotë se kjo ditë është e veçantë për disa arsye. Më e rëndësishmja sipas tij është se shmangu ndarjen identitare.

“Së pari, u arrit nga elita intelektuale e kohës që të mundësonte mospërçarjen e shqiptarëve. Mos të harrojmë që deri në atë moment, shqiptarët e shkruanin gjuhën shqipe me alfabete të ndryshme, çka mund të prodhonte një ndarje identitare. Kështu që Kongresi i Manastirit me vendimin e vet arriti që të shmangë këtë problematikë të identitetit tonë kombëtar, duke e unifikuar gjuhën shqipe. Së dyti, në Kongresin e Manastirit u vendosën dy alfabete dhe jo një. Është alfabeti latin sikurse dhe ai i Stambollit dhe këto dy alfabete u vendosën si një dakordësi e rrymave të ndryshme mbi çfarë mund të shkruhej gjuha shqipe”, shprehet historian Ardit Bido për Gazetën “Si”.

Përpara Kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet. Sipas Bidos, me alfabetin e ri vihej re edhe tendenca e shqiptarëve për t’u shmangur nga perandoria osmane.

Shtëpia e Fehim Zavalanit, ku u mbajt Kongresi i Manastirit në 14-22 nëntor 1908 

“Në të dyja rastet ajo që është evidente është se bëhet fjalë për alfabet të bazuar kryesisht mbi alfabet latin, ku njëri ishte tërësisht latin, kurse tjetri ishte latin me germa të caktuara të huazuara nga alfabeti grek dhe cirilik që mundësonin shmangien e diftongjeve që ne kemi sot në gjuhën shqipe. Të dy këto alfabete tregojnë një orientim të shqiptarëve për t’u shmangur nga perandoria osmane dhe për të krijuar një identitet le të themi mirëfilltazi europian të kombit shqiptar përmes gjuhës”.

Kongresi i Manastirit u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë.

Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare, përfaqësues të njëzet e tri qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetë e dy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues.

Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mid'hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës.

Lista e pjesëmarrësve të Kongresit të Manastirit

Lidhur me atë se pse Alfabeti i gjuhës shqipe u themelua në Manastir, historiani Bido thotë se ky qytet asokohe ka qenë një qendër e botës shqiptare.

“Manastiri ka qenë një qendër e botës shqiptare aso kohe, madje ka pasur dhe propozimet e Shqipërisë autonome. Manastiri shihej edhe si pretendent për kryeqytet. Kështu që selia e Shoqërisë Bashkimi u bë në këtë formë qendra ku u mblodhën delegatët në Kongresin e Manastirit. Këtu ndikuan disa figura siç është Fehim Zavalanit, në shtëpinë e të cilit u mbajt, Parashqevi Qiriazi, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja”.

Ndër të tjera, ai thekson edhe rolin e Parashqevi Qiriazit në këtë Kongres. “Qiriazi është femra e parë që merr pjesë në një kongres tejet të rëndësishëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumicën e vendeve aso kohe”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë