Gazeta Si – Fëmijë që vriten në gjumë, që mbyten në lumë, apo qëllohen për vdekje nga prindërit e tyre, në kushte të një tronditjeje të fortë psikologjike, ku shkak kryesisht kanë qenë marrëdhëniet e acaruara bashkëshortore, xhelozitë dhe dyshimet për tradhti.
Rasti i tragjedisë në Shkodër një javë më parë, ku nëna Alma Arrazi u vetëmbyt me 3 fëmijët e saj në lumin Buna nuk është i pari në Shqipëri. Në fakt historitë makabre të këtij lloji kanë ndodhur edhe jashtë vendit, në Itali në të paktën dy raste me një nënë dhe baba shqiptar.
Babai vret dy fëmijët në gjumë (dhjetor 2016)
Rreth 8 vjet më parë, i gjithë opinioni publik u trondit nga një krim çnjerëzor në Korçë, ku Naum Toshi mbyti në gjumë dy fëmijët e tij të vegjël, e më pas u var me litar.
Hetuesit e ngjarjes thanë paraprakisht se 41-vjeçari e ka kryer krimin çnjerëzor në kushtet e tronditjes psikologjike.
Konfliktet që kishte me gruan 17 vite më të re se vetja dhe fakti që ajo e kishte braktisur së fundmi, ishin shkak për ngjarjen e rëndë.
Naum Toshi nuk pëlqente punën e saj në një lokal nate, gjë që e kanë shtyrë autorin të zgjedhë më pas mënyrën më të keqe për tu “hakmarrë” ndaj “papërgjegjshmërisë” së gruas.
41-vjeçari jetonte prej pak kohësh i vetëm, pasi bashkëshortja e tij, 24-vjeçarja Marsela Toshi ishte larguar nga banesa pas konflikteve të shpeshta në çift.
Mësohet se 24-vjeçarja punonte në një lokal nate në qytetin e Korçës dhe pikërisht ky ishte edhe shkaku i konflikteve mes tyre.
Sipas fqinjëve të tyre, gruaja ishte kthyer në banesë mbrëmjen kur ndodhi krimi, ku ka qëndruar deri në orën 2 pas mesnate, me pretendimin për të marrë fëmijët e saj. Por pasi nuk e ka arritur këtë gjë është larguar.
Nga ky moment fqinjët rrëfejnë se kanë dëgjuar të bërtiturat dhe ulërimat e fëmijëve, por nuk e kanë menduar se 41-vjeçari do të arrinte deri aty sa të mund të kryente një krim të tillë.
Mësohet se gruaja e re, e cila kishte fëmijën 6 vjeç nga martesa e parë, dhe fëmijën 4-vjeçar nga martesa me Naum Toshin, e kishte denoncuar këtë të fundit për faktin se e pengonte të punonte.
Nëna hidhet me foshnjën nga pallati (nëntor 2021)
Të premten e 26 nëntorit 2021, një nënë e re me fëmijën në krah u hodh nga kati i pestë i një pallati në lagjen “Pavarësia” në Vlorë. Pamela Mërtiri humbi jetën menjëherë, ndërsa i biri 1 vjeç ndërroi jetë më vonë në spital.
Viktima 34-vjeçare nuk ishte banore e pallatit dhe kishte hyrë në godinë siç duket me qëllimin për t’u hedhur nga shesh pushimi i një kati.
Një fqinj që po parkonte makinën e ka ndihmuar i pari duke marrë në krahë fëmijën që ishte ende gjallë. Viktima, me profesion farmaciste nga Tirana, kishte shkuar në Vlorë te prindërit.
Sipas fqinjëve ajo jetonte prej pak kohësh atje, pasi kishte probleme me bashkëshortin. Pallati i prindërve ndodhet pas godinës ku e reja hipi për t’i dhënë fund jetës.
Sipas hetimeve, prej një muaji gruaja vuante nga depresioni, gjë e cila kishte shqetësuar edhe prindërit, të cilët bashkë me vajzën dhe nipin e tyre të vogël kishin pak ditë që ishin kthyer nga Tirana në Vlorë.
Tragjedia në lumin Buna (maj 2024)
Mbrëmjen e 2 majit, Alma Arrazi, së bashku me 3 fëmijët e saj është hedhur nga ura e Bunës (pamjet) në lumë, duke shkaktuar një tragjedi të katërfishtë.
Ngjarja tragjike u zbulua kur u gjet rastësisht nga një peshkatar trupi i vajzës së parë 9-vjeçe, ndërsa trupat e tjerë u gjetën pas 3 ditë kërkimesh nga polumbarët. E RENEA-s.
Tragjedia e familjes Arrazi dyshohet se është pasojë e dhunës psikologjike dhe tradhtisë bashkëshorte, sipas dyshimeve të Prokurorisë së Shkodrës.
Bashkëshorti i saj dhe babai i 3 fëmijëve që humbën jetën, Erdgys Arrazi, vijon të qëndrojë në burg, i dyshuar se shtyu gruan drejt vetëvrasjes, pasi e tradhtonte dhe e denigronte si grua.
Trupat e fëmijëve dhe nënës u gjetën nga data 4 maj deri më 7 maj, gjatë kërkimeve në rrjedhën e lumit Buna. Me kërkesë të familjarëve, Alma u varros në Durrës pranë nënës së saj, ndërsa fëmijët prehen në Shkodër.
Erdgys Arrazi ka mohuar se ka dhunuar bashkëshorten e tij apo 3 fëmijët e mitur. Ai ka deklaruar se Alma Arrazi merrte medikante për shkak të depresionit dhe stresit herë pas here.
Babai shqiptar vret vajzën dhe plagos ish-gruan (maj 2023)
Krimet në familje, ku përveç vrasjeve të grave, janë ekzekutuar edhe fëmijët, kanë kaluar kufijtë shqiptarë. Taulant Malaj, vrau vajzën e tij dhe një shtetas italian (partnerin e ish-gruas), ndërsa ka lënë të plagosur këtë të fundit në 7 maj të vitit të shkuar për arsye xhelozie. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Torremaxhore pranë Foggia-s në rajonin e Puljas.
Malaj 45 vjeç ka qëlluar me thikë italianin Massimo De Santis, për të cilin dyshohet se kishte një lidhje dashurie me ish-gruan e tij.
Ndërkohë vajza 16-vjeçare, Xhesika Malaj, sipas hetimeve, thuhet se është vrarë aksidentalisht, pasi u fut mes babait dhe nënës për t’i ndarë.
Vajza dhe nëna u dërguan së bashku në spitalin e Foggia-s, por Xhesika nuk mundi tu mbijetojë plagëve. Ndërkohë ish gruaja u shtrua në spital, ku qëndroi disa ditë me plagë më të lehtë.
Taulant Malaj me origjinë nga Selenica e Vlorës, punonte si bukëpjekës në Torremaggiore, provincë e Foggias dhe prej vitesh së bashku me fëmijët dhe gruan jetonin në Itali.
Mediat italiane raportojnë se Malaj dyshonte se gruaja e tij Tefta kishte lidhje intime me italianin De Santis. Fillimisht, ai tentoi të vriste bashkëshorten 39-vjeçare jashtë banesës së tyre, në hyrje të pallatit, por në atë moment ndërhyri vajza e tij e mitur, me përpjekjen për të ndarë prindërit, por mbeti vetë viktimë.
Pas masakrës, ai filmoi videon shokuese ku dukeshin viktimat e shtrirë në tokë të gjakosur. Mllefi i errësoi aq shumë sytë sa kërkonte nëpër shtëpi edhe të birin 5-vjeçar.
Tragjedi shqiptare në Itali, nëna vret 3 fëmijët e saj (mars 2014)
Një nënë shqiptare, vrau me thikë tre fëmijët e saj, 13, 10 dhe 4 vjeçe, në banesën e saj në qytetin e Leco-s, në Itali në 10 mars 2014.
Gruaja, Edlira Dobrushi, 37 vjeçe asokoge, u gjet e mbuluar me gjak, në gjendje të rëndë dhe u dërgua në spital, ku rrëfeu krimin e trefishtë: “I vrava unë”. Por, nën shok, ajo nuk ka shpjeguar motivin, vetëm është shprehur “i vrava se isha e dëshpëruar”.
Masakra ka ndodhur mëngjesin e së dielës në një apartament në katin e dytë të një pallati. Policia italiane ka gjetur në Shqipëri bashkëshortin e gruas, ndërsa të dy ishin në proces ndarjeje.
Të premten në darkë burri, në momentin që ka mbaruar turnin e punës, ka marrë automjetin dhe ka udhëtuar për gjithë natën deri në Bari, ku ka marrë tragetin për në qytetin e Durrësit.
Ai është gjetur ditën e diel në banesën e disa të afërmve në qytetin e Kukësit, ndërsa ka shpjeguar se ka shkuar për të takuar të afërmit e tij dhe të bashkëshortes së re, motive të cilat e kishin detyruar t’i jepte fund martesës. Pas aktit mkabër, Edlira Dobrushi ka tentuar të vetëvritet në qelinë e burgut në Itali.
Mediat italiane raportuan se ka tentuar të mbysë veten me një çorape najloni brenda qelisë së burgut Bassone në Como.
Ishte agjenti i sigurisë së burgut, i cili e pengoi të vetëvritej, duke ndërhyrë menjëherë sapo vërejti diçka të dyshimtë në qelinë e saj.
Aktualisht gruaja ndodhet e lirë në një spital psikiatrik nën vëzhgimin e mjekëve dhe të punonjësve të sigurisë në Itali.
Motivi i vrasjes u konfirmua se ishte për hakmarrje ndaj bashkëshortit Bashkim Dobrushi, i cili i kishte kërkuar divorcin. E.A
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.