Do flas dhe unë

Hiqni maskën e hipokrizisë dhe vini maskën që na mbron jetën

Që nga dita e lehtësimit të masave shumë syresh më kanë parë çuditshëm. Dorezat dhe maskat teksa hyj në market, alkoolin që e mbaj në makinë, por edhe në punë.

“Korona iku, akoma po i mban”. Nuk ma ka thënë një, dy, tre apo dhjetë që jam ndeshur. Sidomos në vendet shumë të populluara siç është marketi, ku duket se nuk e çan më kush kokën. Madje edhe shitësi që kë nuk pret e nuk përcjell për të paguar. Si ai, edhe klientët pa maskë dhe doreza. Po ashtu shkujdesur i gjen kudo, në rrugë, kafene, institucione ku shkon për të marrë shërbime, apo edhe vende pune.

...

Në datën 3 qershor, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky takoi shokët e tij në një kafene. Në një foto të publikuar nga zyra e tij ra në sy se Presidenti shkeli masat anti-COVID. Në tavolinën ku gjerbi kafenë nuk kishte maskë dhe as e respektoi distancimin fizik. Për këtë komediani president u gjobit dhe premtoi se do ta paguajë gjobën. Madje, ai ka deklaruar se do të donte që të prekej nga COVID-19 që t’u tregonte ukrainasve se sa e rrezikshme është kjo sëmundje.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky me shokët e tij në një kafene ku shkeli masat anti-Covid

...

Por ky shembull politikani që gjobitet është larg Shqipërisë, jo vetëm gjeografikisht. Te ne i kanë shkelur rregullat anti-COVID të gjithë drejtuesit e institucioneve më të larta dhe politikanët (edhe pse ka pasur takim me bërryla për show para mediave).

Takimi me Bërryla Meta-Rama para disa ditësh

Në çdo takim që kanë zhvilluar Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari dhe lideri i opozitës nuk kanë vendosur maskë. Madje, lideri i opozitës që takon çdo ditë njerëz nëpër Shqipëri, por ka mbajtur edhe mitingje si në Durrës, s’ka pasur as maskë dhe as ka respektuar distancimin fizik. Vetëm në ditët e izolimit, Basha dhe Rama e përdorën maskën sa të shkrepej nga një foto që duket se e donin për kujtim.

Por, përkeqësimi i situatës ditët e fundit, rritja e rasteve të reja dhe numri i të shtruarve në Spitalin Infektiv na ka alarmuar të gjithëve.

Kryeministri paralajmëroi edhe rikthimin në karantinë, nëse masat nuk respektohen dhe nuk ndryshojmë sjellje. Këtë paralajmërim e bën pikërisht ai që nuk dihet se kur e ka përdorur maskën herën e fundit apo kur ka respektuar distancimin social (përveçse me Metën).

Në krah me vartësit e tij del disa herë në ditë LIVE apo për qafe me Presidentin e Kosovës. Po ashtu edhe Meta dhe Basha në takime masive me shumë njerëz pa maska.

Dhe kur prej disa ditësh kemi kaluar shifrat rekord me të infektuar të rinj që nuk i kishim edhe në pikun e pandemisë dhe izolimit, vjen paralajmërimi se mund të rikthehemi në karantinë për mosrespektim të rregullave.

Mosrespektim që nis nga maja e drejtimit të shtetit tek ata që janë në vijën e parë të frontit me koronavirusin, mjekët dhe infermierët, (rastet e të cilëve janë shtuar së fundmi dhe e kanë bërë QSUT-në një vatër, me bluza të bardha të prekura në shumë pavijone) dhe për të përfunduar te të gjithë ne në rrugë, dyqan, kafene dhe punë.

Protesta e Bashës në Durrës

E shtuar kësaj, grumbullimet masive, konfrontimet apo përqafimet në protestën për shembjen e Teatrit Kombëtar më 17 maj, marshimin për fëmijërinë e vjedhur, përleshjet për prishjen e lokaleve në Velipojë, mitingun e kreut të PD-së në Durrës, apo pelegrinët që do të ngjiten me mijëra sot dhe nesër në Kishën e Laçit. Sot, një protestë e maturantëve, pak ditë më parë protesta e transportit (të mendosh që transporti publik nuk ka nisur).

Kërcitja e shifrave me të infektuar të rinj, por edhe të pacientëve të shtruar në spital na vjen në një kohë kur po mendojmë për të pushuar buzë detit, në vend kryesisht dhe për të rikuperuar me punë atë që humbën gjatë karantinës së gjatë.

Një situatë që po na kthehet përmbys, pasi kur kujtuam që ia hodhëm koronavirusit, vjen kjo rritje alarmante e rasteve që nuk i patëm edhe në mes të pandemisë dhe izolimit.

Dhe mospërdorimi i maskës kudo, siç ka ndodhur me detyrim në Maqedoninë e Veriut, Kosovë apo edhe në Gjermani, madje edhe me gjobë nëse e neglizhon, e ka dhënë një kontribut që jemi në këtë situatë që mund të rikthehet rrezikshëm. Ndaj hiqni maskën e hipokrizisë dhe vendosni maskën që na mbron jetën.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë