Komunitet

Nga Kosova, te Gjermania. 50 vende kanë urdhëruar mbajtjen e maskave

Me rritjen e frikshme të të infektuarve, shkëncëtarët amerikanë kanë ngritur alarmin se virusi Sars-Cov-2 mund të përhapet përmes ajrit, një tezë që po merret në konsideratë edhe nga OBSH-ja, duke nxitur gjithnjë e më shumë vende të vendosin me detyrim mbajtjen e maskës.

Presidenti Donald Trump më në fund me maskë, Gazeta Si, 2020

Në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit, më shumë se 50 vende në mbarë botën kanë urdhëruar mbajtën e maskave që në qershor, duke u vendosur qindra gjoba qytetarëve, edhe pse shumë liderë, përfshirë këtu edhe presidentin Trump kanë qënë skeptik për këtë vendim. Megjithatë, me ashpërsimin e pandemisë pas daljes nga izolimi, shumë vende dhe udhëheqës duket se kanë pranuar se mbajtja e maskave është për momentin zgjidhja me efektive për frenimin e virusit.

Por cilat janë këto vende?

Në Ballkanin Perëndimor, Kosova forcoi edhe më shumë masat kufizuese pas regjistrimit të më shumë se 180 rasteve të reja në ditë, duke urdhëruar mbajtjen e maskave sa herë që qytetarët dalin jashtë shtëpisë.

Pas mbledhjes qeverisë, kryeministri Avdullah Hoti deklaroi se qytetarët e Kosovës do të duhet të mbajnë maska jo vetëm në ambientet e mbyllura, por edhe në rrugë, parqe dhe sa herë që dalin jashtë shtëpive dhe të ruajnë distancën fizike prej 2 metrash. Hoti u shpreh se të gjithë ata të cilët nuk mbajnë maska dhe distancën do të gjobiten.

“Do të shkojmë përpara me skenarin e parë, pra me ndërmarrjen e masave të reja duke mos e përjashtuar edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Mbani maska, distancë dhe higjienën se nuk do të tolerojmë asnjë dhe asgjë”, deklaroi Hoti. Kosova ishte e para në rajon që urdhëroi mbajtjen e tyre në ambientet e punës apo transportit urban në fund të majit.

Prishtine, Gazeta Si, 2020

Shembullin e Kosovës e ndoqi më pas edhe Maqedonia e Veriut, ku numri i qytetarëve që po gjobiten për shkak të mos mbajtjes së maskës është rritur, edhe pse shumica prej tyre vazhdojnë të shihen në rrugë pa maska.

Instituti i Shëndetit Publik në Gjermani ishte i fundit në Europë që urdhëroi mbajtjen e detyrueshme të maskave, duke theksuar se mbulimi i gojës dhe hundës mund të bllokojë piklat e infektuara që shpërndahen kur një i prekur me Covid-19 flet, kollitet ose teshtin. Vende të tjera, si Mbretëria e Bashkuara apo SHBA, i kanë këshilluar publikut të mbajnë maska, por kanë zgjedhur një qasje më tolerante, duke mos e bërë të detyrueshme.

E para që mori këtë masë në Europë ishte Republika Çeke më 18 mars, duke urdhëruar mbajtjen e tyre në supermarkete, farmaci dhe transport publik.

Sllovakia ndoqi shembullin e saj më 25 mars, dhe në përpjekje për të larguar stigmën e lidhur me maskat e fytyrës, presidentja Zuzana Caputova vuri një maskë të kuqe që përputhej me veshjen e saj gjatë ceremonisë së betimit të qeverisë së re.

Më 29 Mars, Bosnja dhe Hercegovina po ashtu e e bëri të detyrueshme që qytetarët e saj të mbanin maska për fytyrën ose të mbulonin gojën dhe hundën ndërsa ecnin në rrugë ose jashtë shtëpive të tyre.

Në të njëjtën ditë, Turqia urdhëroi të gjithë qytetarët e saj që të vinin maska kur bënin blerje ose vizitonin vende të mbushura me njerëz.

Më 6 prill, Austria gjithashtu e bëri mbajtjen e maskave të detyrueshme në hapësirat publike, me kancelarin Sebastian Kurz që pranoi se maskat janë të huaja për kulturën europiane, por se ishin të nevojshme.

Më 16 Prill, Ministria e Shëndetësisë në Poloni po ashtu urdhëroi mbulimin e fytyrën me një maskë ose një copë pëlhure. Ky rregull vlen për zonat e gjelbra siç janë parqet dhe plazhet, si dhe vendet publike të tilla si rrugët, sheshet, objektet fetare, objektet tregtare dhe vendet e tregut.

Më 20 Prill, Luksemburgu po ashtu e bëri të detyrueshëm përdorimin e maskave të fytyrës në vende publike ku nuk është e mundur të ruhet distanca e mjaftueshme, siç është transporti publik dhe supermarkete.

Më 10 maj, Franca bëri të detyrueshëm përdorimin e maskave të fytyrës në publik, vetëm një ditë përpara daljes nga izolimi.

Spanja e bëri atë të detyrueshme më 20 maj për të gjithë të moshuarit dhe fëmijet që të mbajnë maska në hapësira publike dhe në natyrë.

Duke filluar nga 26 maji, Koreja e Jugut e bëri të detyrueshëm që njerëzit të mbanin maska kur përdorin transportin publik dhe taksitë në mbarë vendin.

Në kombet aziatike si Kina, Tajvani apo Hong Kongu, maskat ishin relativisht të zakonshme edhe para pandemisë për shkak të ndotjes ose përvojës së mëparshme me shpërthimet e SARS dhe H1N1.

Venezuela ishte ndër vendet e para që vendosi përdorimin e detyrueshëm të maskave të fytyrës në publik në Amerikën Latine. Pas saj edhe Kolumbia urdhëroi maskat në hapësirat publike të tilla si dyqane, tregjet, rrugët, pqarqet, transporti publik dhe banka.

Kuba ndoqi këtë shembul më 5 prill, dhe një ditë më vonë Ekuadori vendosi ta bëjë të detyrueshëm përdorimit të maskave të fytyrës në hapësirat publike.

Më 8 prill, El Salvadori i cilësoi mbajtjen e maskave ​​për fytyrën të detyrueshme në publik, dhe ministria e shëndetit e Kilit njoftoi se ato duhet të vishen në të gjitha hapësirat publike.

Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu njoftuan në të njëjtën ditë se maska ​​për fytyrën duhet të mbaheshin në çdo kohë kur janë jashtë shtëpisë.

Në Afrikën e Veriut, Maroku urdhëroi po ashtu mbajten e tyre, me qeverinë që ka paralajmëruar këdo se mund të përballet me një dënim me burg deri në tre muaj dhe një gjobë prej 130 dollarësh.

Më 12 prill, edhe Izraeli e bëri të detyrueshme që qytetarët e saj të vishnin maska ​​për fytyrën kur ishin në publik.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë