Politike

Hiqen kangjellat te Kryeministria, a po shkohet drejt një marrëveshjeje Rama-Basha?

Godina e Kryeministrisë është çliruar nga kangjellat e hekurit të vendosura aty që prej nisjes së protestave të opozitës në muajt e pranverës. Kangjellat janë hequr gjatë natës mes të hënës dhe të martës.

Nuk dihet nëse vendimi është nxitur nga mungesa e një date proteste nga ana e opozitës deri më tani, apo ndonjë sinjali që edhe nëse do të ketë tubime të tjera në të ardhmen, ato do të jenë krejtësisht paqësore.

Por, ajo që dihet dhe që aleatët e vegjël të Lulzim Bashës konfirmojnë për gazetën Si është se para vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave të Europës për çështjen e negociatave nuk do të ketë asnjë protestë. Kjo periudhë, sipas tyre, do të shfrytëzohet për planin e veprimit dhe koordinimit të aksionit opozitar dhe për hartimin e platformës së përbashkët të qeverisjes.

Nga ana tjetër, hekurat rrethues janë hequr edhe disa orë para vizitës së Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk. Ai do të zhvillojë një takim të shkurtër me Kryeministrin Edi Rama që më vonë do të pasojë nga një konferencë e përbashkët për shtyp e dy zyrtarëve në godinën e Kryeministrisë.

Në vetvete, heqja e gardhit metalik nënkupton se gjuha e ashpër e klimës politike aktuale me të cilën nisi vjeshta ka pak gjasa që të reflektohet me bomba molotov dhe gaz lotsjellës para godinës së Kryeministrisë, aq më tepër kur po flitet gjithnjë e më shumë për një marrëveshje të mundshme mes palëve.

Zërat që qarkullojnë flasin për një pakt Rama-Basha dhe në shtimin e tonit të tyre ka dhënë ndihmën e tij edhe Presidenti Ilir Meta, me anë të disa postimeve nëpër rrjetet sociale. Njëri prej tyre mban datën 7 shtator, kur Meta e nis ditën si “kryetar” i LSI-së duke u kthyer 11 vite pas në kohë për të risjellë e rikujtuar me anë të një videoje kundërshtimin që i ka bërë në atë kohë marrëveshjes e 21 prillit 2008 Berisha-Rama. Marrëveshja ndryshoi Kushtetutën dhe bashkë me të edhe sistemin zgjedhor, duke kaluar nga ai mazhoritar në atë proporcional rajonal.

Veç kësaj, Presidenti Ilir Meta lëshoi një deklaratë “bombë” kur u shpreh se do të jepte dorëheqjen nga posti që mban nëse Komisioni i Venecias do ta cilësonte atë si shkelës të Kushtetutës me firmën e hedhur për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Veç këtyre, Meta njoftoi edhe misionin që është jashtë kornizave kushtetuese të Presidentit: atë që të luftojë shtetin e propagandës! “Beteja është e të gjithëve së bashku, me në krye Presidentin, të çmontojmë shtetin e propagandës, sepse po i merr shpirtin shtetit të së drejtës. Të çmontojmë shtetin e gënjeshtrës, sepse po i merr shpirtin shtetit të vërtetës”, deklaron Presidenti.

Këto deklarata e qëndrime duket se burojnë nga frika e një pakti të ri mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, po alarmon jo vetëm Lëvizjen Socialiste për Integrim, por edhe vetë kreun e shtetit, i cili pati një takim “kokë me kokë” me liderin demokrat në Presidencë. Nga ky takim, “enigmë” mbetet ajo çfarë është diskutuar. Ndoshta edhe kjo bisedë me Bashën mund t’i kenë krijuar bindjen Presidentit se tashmë është koha për të zhveshur kostumin e Presidentit dhe për të veshur kostumin politik. Misioni i ri i Presidentit mund të jetë edhe ai i padeklaruari; që të shpëtojë veten politikisht, duke i bërë ballë ndonjë pakti të ri Rama-Basha, që do ta rikthente edhe një herë Metën në rolin e “kingmakerit” të dikurshëm në arenën politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë