Politike

Kangjellat e gazi lotsjellës nuk ruajnë pushtetin, mirëqeverisja po

Mentor Kasa - Kangjellat e hekurit të vendosura në 2004 nga Fatos Nano nuk e mbajtën atë në pushtet. Një vit më vonë ai humbi në zgjedhjet qendrore dhe mes akuzave se Partia Demokratike i kishte vjedhur zgjedhjet la Kryeministrinë së bashku me rrethimin si trashëgimi për Sali Berishën.

Sali Berisha nuk e preku dhe jo vetëm që e ruajti, e përforcoi atë duke i shtuar edhe aksesorë të tjerë sigurie. Një prej tyre ishin kamerat.

Më 21 janar 2011 rrethimi pak rol luajti në sigurinë e godinës. Protesta u mbyll me tragjedinë e vrasjes së 4 personave nga plumbat e Gardës së Republikës dhe që të gjithë ata jashtë kangjellave rrethuese. Edhe në këtë rast barriera rrethuese nuk e mbrojti pushtetin. Dy vite më vonë Berisha dhe Partia Demokratike humbi zgjedhjet e në pushtet erdhi Edi Rama.

Kangjellat ishin po aty, si trashegimi që Nano ja la Berishës e Berisha Ramës. Rama, që erdhi në pushtet me premtime të bujshme, zotohej se detyra e përgjegjësia si Kryeministër ishte e tij, ndërsa pushteti i takonte popullit.

Me këtë zotim në ditën e dytë të marrjes së detyrës ai vendos që si shenjë simbolike të heqë kangjellat rrethuese, të cilat në nëntë vite aty ishin dëshmitaret e përhershme të luftës për pushtet mes palëve.

Nga heqja e gardhit rrethues ne vitin 2013

Historia e tyre e shkurtër na meson se dhuna ka qenë gjithmonë mjet i protestave të politikës dhe jo i protestave qytetare. Ato u testuan më fort në dy raste, në 2004 dhe në 2011 dhe në të dyja rastet me shumë sesa mbrojtën, cenuan sigurinë e institucionit me efektin psikologjik që krijonin tek protestuesit.

Për të gjitha këto arsye, vendimi i Ramës për t’i hequr ato u përshëndet nga të gjithë, edhe si ftesë drejtuar qytetarëve për të protestuar para Kryeministrisë sa herë që ata mendonin se një vendim i pushtetit binte ndesh me interesat e tyre.

Ftesa u mor pak muaj më vonë. Rama kishte marrë shtetin, por nuk kishte konsoliduar ende pushtetin. Kryeministria pa kangjellat rrethuese do të testohej me protestën kundër armëve kimike. Protesta dëboi politikën, ishte krejtësisht paqësore dhe u shua vetëm me daljen e Ramës në konferencë për shtyp, ku njoftonte vendimin për të refuzuar armët siriane.

Protesta kunder armeve kimike ne 2013

Në konferencën në fjalë, Rama tha atëherë se nuk kishte arsye për të protestuar, se çmontimi i armëve siriane në Shqipëri do të bëhej me sigurinë maksimale të aleatëve, që nuk do të cenohej në asnjë moment natyra dhe shëndeti i qytetarëve.

Pavarësisht të gjitha këtyre, tha se kishte vendosur që të refuzonte marrjen e tyre për të dëgjuar zërin e qytetarëve, megjithëse këmbëngulte se ky zë gaboi në këtë rast. Për këtë fajësonte edhe veten, edhe vartësit e tij për mungesën e një fushate mediatike për t’u shpjeguar qytetarëve se nga marrja e armëve kimike siriane nuk humbisnin asgjë, por vetëm fitonin.

Në pushtet erdhi falë koalicionit me LSI-në. Por, megjithëse bashkëqeverisi për 4 vite me Ilir Metën në fushatën e 2017 fajësonte aleatin e vogël për reformat që nuk kishte ndërmarrë, apo që kishin ngecur.

Edi Rama ne mitingun permbylles te fushates se 2017-es

Arriti që të fitonte zgjedhjet dhe të merrte “timonin” e “tepsinë” që të gjitha për vete. Me “tepsi” Rama nënkuptonte administratën, që përdorej nga partitë për të punësuar militantët. U zotua se do ta çonte për “skrap” përmes reformimit të administratës duke ulur numrin e punonjësve dhe rritjen e cilësisë.

Por, një vit e gjysmë nga marrja në dorë i vetëm i frenave të qeverisjes së vendit, “tepsia” jo vetëm që nuk është çuar për skrap, por është zgjeruar. Sipas të dhënave të INSTAT, në 2018 numri i punonjësve në administratën shtetërore u zgjerua me 8400 më shumë në krahasim me 2017.

Në qeverisjen prej një viti e gjysmë me duart e zgjidhura nga aleancat, Edi Rama është akuzuar jo vetëm nga kundërshtarët politikë për një mori çështjesh. Akuzohet për PPP-të, për ligjin e Teatrit Kombëtar, të cilin u detyrua që ta ndryshojë pasi kundër tij doli edhe Brukseli. Më pas plasi skandali i tenderit të Unazës së Madhe, pa llogaritur akuzat e tjera të drejtpërdrejta të bëra ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt për afera korruptive dhe lidhje me krimin e organizuar. Përballë këtyre akuzave ai është mbrojtur duke i cilësuar përgjithësisht si shpifje.

Në fund të 2018 do të shkundej nga protesta e studentëve. Në ditët e para protestën e cilësonte si protestë të ngelësave, por me masivizimin e saj u tërhoq, u dha të drejtë studentëve e nisi atë që quhet “Pakti për Universitetin”.

Presioni i kësaj proteste dhe përpjekja për të zbutur pakënaqësinë e çoi në shkundjen e kabinetit qeveritar, ku pasi i lëvdoi për punën largoi bashkëpunëtorët e mandatit të parë. Ndryshime ndodhën edhe në institucionet të cilave u shpërthyen skandalet në derë, si në rastin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/428673281005005/

Për këto arsye, por pa neglizhuar ambicien për të ardhur në pushtet, opozita ka dalë sot në shesh. Edi Rama thotë se arsyeja e vërtetë që opozita proteston sot kundër tij është frika nga drejtësia. Historiku i protestave politike opozitare pas 2013 na tregon se vështirë që opozita të organizonte protesta me kaq pjesëmarrje nëse nuk do të kishte pakënaqësi.

Prandaj, më shumë sesa opozita, protestat në Shqipëri i ka nxitur gjithmonë pushteti. Në 2004 shqiptarët ishin të lodhur e të zhgënjyer nga qeverisja e Fatos Nanos. Ishin lodhur nga korrupsioni dhe sidomos premtimi i pambajtur i kthimit 100 për qind të parave të humbura në skemat piramidale të 1997.

Ndaj, në zgjedhjet e vitit 2005 Sali Berisha rifitoi besimin e qytetarëve, edhe pse kishte ikur nga pushteti pas ngjarjeve te vitit 1997 dhe u largua në 2013 thuajse për të njëjtat arsye që u largua Fatos Nano para tij, përveç premtimit për rikthimin 100 për qind të parave të skemave piramidale.

Në të njëjtën trajektore duket se ndodhet sot edhe Edi Rama, që po përballet me protesta të opozitës, ku aktet e dhunës nuk kanë munguar. Dhuna si mjet për të ardhur në pushtet nuk justifikohet dhe këtë e kanë bërë të qartë ndërkombëtarët në Tiranë dhe jashtë saj.

Për këtë arsye, vështirë se Partia Demokratike do të vijë në pushtet duke ndjekur këtë rrugë, e po ashtu vështirë se në këtë rrugë Edi Rama do të ruajë gjatë pushtetin. Ai nuk ruhet me barriera hekuri e gaz lotsjellës. Pushteti ruhet përmes mirëqeverisjes dhe vendimeve konkrete që ndikojnë në jetën e qytetarëve dhe jo përmes dritareve digjitale. Pushteti ruhet përmes politikave sociale e ekonomike të shëndosha, që si mision të parë duhet të kenë heqjen e dëshirës së shqiptarëve për t’u larguar nga ky vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë