Lajme

Hipotekat, Pjetri: Digjitalizim i 47 milionë fletëve të arkivave

Krijimi i Agjencia Shtetërore të Kadastrës (ASHK), dixhitalizimi arkivave, akti i verifikimit vetëm një herë, regjistrimit të lejeve të legalizimit, rritja e numrit të shërbimeve dhe kryerja e shërbimit në një sportel, do të zgjidh përfundimisht problemin me pronat dhe shërbimin e qytetarëve. Kështu deklaroi sot kryeregjistruesi i ZRPP, Valdrin Pjetri gjatë prezantimit të analizës vjetore.
Sipas tij, zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, ka ofruar rreth 300.000 shërbime për qytetarët e kryeqytetit, duke nënvizuar faktin që 93% e shërbimeve të ofruara në këtë zyrë janë kryer brenda afatit ligjor, duke e përmirësuar dukshëm shërbimin ndaj qytetarit, ndryshe nga viti 2017 ku trajtimi i praktikave brenda afatit ka qenë rreth 55%.
Gjithashtu lejet e legalizimit të regjistruara për vitin 2018 janë rreth 14.000 ose 9.500 leje më shumë, krahasuar me vitin 2017.
Sukses i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, sipas tij, mbetet padyshim sporteli Fast Track, i cili ofron shërbim ekspres brenda 24-orëve për 9 shërbimet më të kërkuara nga qytetarët.
“Për këtë platformë është ndërtuar një sektor i dedikuar në ZVRPP Tiranë me 21 punonjës të cilët merren ekskluzivisht vetëm me praktikat Fast Track. Për periudhën Nëntor-Dhjetor 2018, janë ofruar rreth 3.000 shërbime për qytetarët e Tiranës duke e ofruar shërbimin për 24 orë”, u shpreh më tej Pjetri.
Një nga objektivat e punës së ZVRPP Tiranë për vitin 2019, është nisja e procesit të dixhitalizimit të arkivave ndër vite të kësaj zyre. “Vizioni i Tiranës 2019 do të jetë dixhitalizimi i arkivave. Gjatë vitit 2018 është bërë projekti në zyrën qendrore dhe është shtrirë efekti në 35 zyrat tona. Do të fillojë shumë shpejt procesi i dixhitalizimi, pasi sot në arkivat tona kemi 47 milion fletë të akumuluar ndër vite që me krijimin e shtetit shqiptar të cilat ruhen në arkiva manuale dhe rrezikohen të prishen. Ne kemi menduar në vitin 2018, kemi bërë projektin, ka nisur procedura dhe shumë shpejt në muajin shkurt do të nis procedura e dixhitalizimit të arkivave të zyrave vendore. Kjo procedurë është një hap i madh në zyrat tona, besoj se ky projekt zgjat 8-10 muaj dhe do të kemi një arkiv dixhitale të arkivave tona”, tha Pjetri.”, u shpreh kryeregjistruesi Pjetri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë