Para

Hidrocentralet ndihmuan lekun të fitojë mbi euron

Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros nuk ka qenë i qëndrueshëm përgjatë dy muajve të fundit, duke u rritur lehtshëm, për të zbritur përsëri.

Gazeta “SI” në një komunikim me një agjencitë e këmbimit valutor me emër në kryeqytet mësoi se kjo luhatje dhe zhvlerësimi i euros është ndikuar nga situata e mirë hidrologjike në vend gjatë fillim vitit 2021.

“Në një situatë të mirë hidrologjike ne prodhojmë energji mjaftueshëm e më tepër dhe nuk ka nevojë të importojmë nga vendet e tjera. Blerja e energjisë luhet në shuma të paimagjinueshme. Kështu, kur një shumë e tillë në euro nuk hidhet më në treg apo tërhiqet, do ta zhvlerësojë atë. Kjo gjë ka ndodhur edhe në Shqipëri”,- u shpreh agjenti i kursit të këmbimit.

Nga të dhënat e Instat, gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, përveç se Shqipëria nuk importoi pothuajse fare energji, madje nisi të eksportonte për vendet e tjera. 

Importi bruto i energjisë në vend u ul në 99 GWh nga 971 GWh që ishte në të njëjtën periudhe të një viti më parë, duke rënë me 89.2%. Ndërsa, eksporti bruto i energjisë elektrike arriti vlerën 1.147 GWh nga 346 GWh duke shënuar një rritje me 30%.

Agjenti i kursit të këmbimit gjithashtu përmendi se fundi i pranverës apo fillimi i verës janë sezone që kanë një sjellje konsumatore tipike, që shmangen nga euro. “Për shumë arsye, unë apo ti nuk do të shkojmë të blejmë një televizor, një frigorifer apo çfarë do mjeti elektroshtëpiak që shitet e blihet me euro, pikërisht në këto momente edhe nëse na duhet”,- tregoi kambisti.

Lidhur me tregun  e kriptomonedhave në vendin tonë dhe nëse mund të ketë ndikuar në zhvlerësimin e euros kundrejt lekut, ai tha se ka ndikuar pjesërisht, pasi njësoj si mungesa e eurove në importin e energjisë, për investimin në kriptomonedhat tërhiqen një pjesë parash nga qarkullimi. Por sipas tij,  jo në masën për të zhvlerësuar një valutë.

“Që euro të rritet në raport me lekun duhet të rritet konsumi dhe konsumi rritet me rritjen e pagave të qytetarëve në marrëdhënie pune”,-shton agjenti i kursit të këmbimit.

Edhe në vendet europiane, euro ka patur po ashtu një periudhë të dobët, por ekonomistët thonë se “euro po kërkon vëmendje, sepse në të vërtetë gjendja financiare nuk është aq e dobët sa autoritetet e nxjerrin, e madje pesimizmi i Bankës Qendrore po e dëmton atë".

Ekspertët në Europë dhe SHBA i druhen se luhatjet e euros dhe dollarit do t’i zhdukin të dyja monedhat nga tregu fizik dhe do të kompensohen nga monedhat, po, monedhat digjitale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë