Ekonomi

Hidrocentralet mbi Vjosë dhe lulja e turpit

Sabina Veizaj -Kur mbërrin në Kalivaç dhe zbret në Vjosë, nëse i kthen shpinën lumit e hedh sytë ndan kodrës, krejt në majë vëren një vilë të vetmuar.

Nëse do të flisja me logjikën e banorëve atypari do ta quaja vilën e “armikut të popullit”.
Në të majtën time, ashtu siç kam qëndruar me shpinë nga lumi, ndodhet një lokal i harruar, me rroba punëtorësh, vegla. Në të djathtë një eskavator. Gjithçka sikur vjen nga një kohë tjetër dhe e mbetur aty për të të kujtuar një histori që do të rinisë, pavarësisht se me terma të rinj.

Tek vinim për në Kalivaç, në të dyja anët e rrugës që nga Përmeti, lulëzonin pemë në ngjyrë të purpurt. Më treguan se quhej “Lojfat” në shqip, kurse në anglisht quhet “Judas tree” dhe bart një histori që lidhet me Biblën.

Bëhet fjalë për Juda Iskariotin, tradhtarin e Krishtit. Thuhet se kur Krishti mbështetej në një nga këto pemë, lulet ktheheshin nga të bardha në të kuqe për shkak të gjakut të tij dhe turpit të pemës nga tradhëtia e Judës. Pema me lule të purpurta është njohur si "Pema e Judës".

Kurse banorët e zonave përreth dyshojnë se ndonjë pushtetar shqiptar do të bënte pemën të skuqej nga turpi…

Arjan Zeqaj jeton në Qesarat, Memaliaj. Prej 20 vitesh ka një restorant në të cilin ka investuar 200 mijë euro pasi ka mbërritur nga Greqia ku ishte emigrant.

Arjan Zeqaj

Problemet dhe historitë e banorëve të Qesaratit janë komplekse, këtyre ju shtohet shpronësimi prej ndërtimit të Hidrocentralit, që sipas tyre rrezikohet tërësisht qendra, shtëpitë, shkolla, tokat. Fshatrat që preken janë edhe Anëvjosa dhe Ilirasi.
Ata nuk kanë asnjë dijeni se kur do të nisë realisht ndërtimi i veprës energjetike. Ata mund të dëshmojnë vetëm për përballje me përfaqësues të firmës, të cilët kanë ardhur për dëgjesë publike, por janë sprapsur nga banorët. Ata janë deklaruar njëzëri kundër projektit të koncesionit.

“Në vend që të bënin dëgjesa përpara nënshkrimit të kontratës, i bëjnë tani. Ne nuk na ka ardhur asnjë përfaqësues i qeverisë qendrore, apo lokale. Firma niste të tregonte fuqinë e HEC-it, pra vetëm të mirat e tyre, jo të mirat tona. Nuk duam të dimë fitimet e tyre. Ne nuk jemi budallenj, jemi të informuar se kemi krijuar jetën tonë këtu dhe nuk duam të shpërngulemi. Nëse ndërtohet HEC-i këtu do ketë lagështi, mjegull. Nuk do kemi mundësi të jetojmë më në shtëpitë tona, tokat do të përmbyten dhe gjithë jeta ime që kam investuar do të hidhet në kosh”- thotë Arjani.

Ai më tregon se lumi Vjosë është shumë i vizituar nga turistët, kryesisht në stinën e verës ku ata qëndrojnë ndanë lumit me çadra për kamping. Por Vjosa, thotë ai, është keqtrajtuar shumë gjatë këtyre 30 viteve, janë prerë pyjet. Aty, vijon të më tregojë Arjani, ka qenë një mrekulli e vërtetë, humbisje në pyje.

“E mira është një investim në të gjithë luginën e Vjosës me pemë. Ka një klimë dhe peizazh shumë të mirë. Turistët ndalojnë dhe lëvizin me këmbë për të vizituar Vjosën. Bëjnë foto”- thotë ai.

Në Qesarat numëroheshin 150 familje, por tanimë pjesa e rinisë është në emigracion. Aktualisht fshati ka 70-80 familje.

“Që nga 1997 është përfolur për ngritjen e hidrocentralit dhe që atëherë na thonë mos investoni. Asgjë nuk është bërë. Njerëzit kanë mbetur pezull. Bëhet investimi publik 4-5 mln euro rruga dhe sipas të thënave të atyre, i bie që ky investim të përfundojë në plehra nëse do të bëhet hidrocentrali. Çfarë strategjie ka shteti! Ne jetojmë këtu, do të luftojmë me çfarë formash të mundemi. Me ato që kemi në dorë. Jemi të gjithë të bashkuar”- thotë Arjani.

Atij i janë shpronësuar 4 mijë metra tokë që në 2009-ën dhe ende nuk ka marrë kompensimin sipas ligjit në fuqi.

“Jam marrë me drejtorinë e rrugëve. Toka është zënë në 2009 dhe në atë kohë çmimi ishte 240 lekë/metër katror. Tani më thonë se do ta marrësh me 120 lekë/metrin katror sipas VKM-së së qershorit 2018-të. Edhe atë do të ma taksojnë… Kam dashur të investoj për të bërë pjesën e rrugës përpara restorantit që është prona ime dhe më kanë thirrur në Prokurori. Vetë nuk ndërtojnë, paratë që më takojnë nuk mi japin, dua të ndërtoj në tokën time dhe më dënojnë…”- rrëfen Arjani.

Ai ka një fermë blektorale me 300 dhen për të cilët paguan 3 barinj me 30 mijë lekë në muaj me sigurime e u ofron edhe ushqimin. Arjani më thotë se nuk ka marrë asnjë subvencion nga shteti. Veçse i është shtuar pirgu i dokumenteve. Së bashku me të vëllain ka 10 ha ullishte që i ka marrë nga ligji për tokat me qira. Ata kanë investuar për 3000 rrënjë ullinj. Arjani thotë se ka aplikuar për sistemin e pikëzimit dhe përveçse gjatë qeverisë “Berisha” që ka marrë lekët e fidanëve që kanë mbjellë, nuk kanë marrë kokërr leku.

Për qumshtin ai thotë se dikur e ka dhënë në baxho, por I merrte lekët pas një viti dhe nuk i leverdiste. “Me mundësitë që kemi e kemi përpunuar vetë. Kanë tre vite që stanet nuk kanë marrë lekët. (900 lekë/litër).

Për tiu rithyer bisedës së HEC-it ai thotë se edhe në aspektin e shpronësimit qeveria nuk është në rregull, pasi sipas tij ekzekutivi bën shpronësim publik dhe kompensimin e bën me marrëveshje individuale me firmën koncesionare. Arjani më bën me dije se do ta shpien çështjen në Gjykatën Administrative.

Banorët kanë mbledhur firmat e sëbashku me tre organizata mjedisore, Eco Albania, Euronature dhe Riverwatch do të padisin Ministrinë e Energjitikës me objekt shfuqizimin e kontratës së HECI-t.

“E para gjatë hartimit të studimit të fizibilitetit Ministria duhet të kalojë përmes Vlerësimit Strategjisë Mjedisore që ka brenda edhe konsultimin publik. Kjo është ajo që bën shteti. Shteti nëse e miraton dhe i kalon të gjitha, ka një projekt fizibiliteti, e hedh në garë. Por pronari duhet të jetë shteti. Kompania që ka fituar nuk ka eksperiencë të mirë në ndërtimin e HEC-eve. Mund të kujtojmë HEC-et në Veri të vendit ku janë tharë të gjithë lumenjtë.”- thotë Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i Eco Albania.

Bisedë me Olsi Nikën e Olsi Albania në Qesarat

Ai konfirmon që pala shtetërore nuk ka bërë asnjë konsultim publik sipas ligjit në fuqi.
Idajet Zotaj banon në fshatin ngjitur, Anëvjosë.

Edhe ai thotë se përveç përfaqësuesit të firmës që do të ndërtojnë veprën, nuk ka ardhur asnjëherë një përfaqësues nga shteti. “Ne kemi një jetë këtu. Jam 60 vjeç, këtu e kam ndërtuar jetën dhe nuk dua të shpërngulem. Kam 12 dynym e gjysmë tokë, 3 i kam mbjellë me jonxhë sepse kam edhe një lopë, plus shtëpinë. Nëse ndërtohet HEC-i gjithçka do të na i zërë liqeni…Do të mbytemi edhe ne në liqen pastaj”- më thotë Idajeti.

Idajet Zotaj

Në kohën e Becchettit, thotë Idajeti, shtëpia ishte 30 mln lekë të vjetra. Ku dhe me çfarë do ta blej shtëpinë? Nëse më jep me çmimet ndërkombëtare iki, pavarësisht se me dhimbje.
“Përse më shërben mua Kalivaçi, nuk do të më punësojë, energjinë nuk ma ul, as ujë nuk kemi. E kemi zgjidhur vetë me puse. Pompat e ujësjellësit janë vjedhur se askush nuk u kujtua ti zëvendësonte”- më shpjegon ai.

Tajar Zotaj është një tjetër banor i fshatit, por më i zjarrti në çështjen kundër HEC-it.
Tajari gjatë jetës së tij ka qenë shumë aventurier me vendimet që ka marrë, por e do shumë vendin e tij. Edhe pse ka patur mundësi të zgjedhe ku të jetojë jashtë vendit, ai ka preferuar fshatin e tij Anëvjosë. Tek flet me mua me passion, e ngre zërin duke mu hakërryer sikur unë të jem zana e zgjidhjes së problemit të tij.

Tajar Zotaj

Tajari ka përjetuar hidhërimin e firmave piramidale tek të cilat ka humbur 112 milion lekë. 105 të fituara nga puna si bari në Greqi dhe 700 mijë nga shitja e një lope.

Por Tajari nuk është ndalur. Ka vazhduar të punojë. “Kam 5 lopë. Kisha një vëlla në Angli. I mora borxh dhe kam tre vjet që ia kam larë borxhin. Kam marrë më pas kredi që kam investuar në bujqësi. Kam një lokal që e mbaj me qumësht, por çmimi është shumë i ulët 60 lekë/litri. Kam një zetor. Më shkon 4 mln lekë (të vjetra) në vit nafta. Kam për të korrur barin, për ta lidhur, nafta është e shtrenjtë”- më tregon Tajari duke më ulëritur se kërkon nga shteti ujë, drita, rrugë dhe naftë të lirë.

Ajo që vërejta në ato fshatra ishte një dëshirë, dashuri dhe pasion i madh për tokën, si për djalin e vetëm. Ata fshatarë atje ishin aq të lidhur me vendin e tyre, sa t’ju falje botën, nuk e donin. Ata thoshin “na lini të punojmë, nuk duam tjetër gjë”.

“Vijnë ca njerëz të ligj dhe më thonë ngrihu që këtu nga shtëpia jote që të pasurohem unë. Unë jam vendali, gjyshi im e ka blerë me flori shtëpinë e tokën. Jo thotë ai, e di unë. Kam marrë tokë më 7501-in. 25 dynym, 20 mi mbyti uji. Jam nga ata njerëz që e ndërtoj jetën në fshat dhe nuk dua të iki nga fshati. Nuk jam penduar që erdha nga Greqia se erdha në vendin tim. Katër vite që isha andej nuk pashë vajzën time të vogël, paratë që mora andej i hodha poshtë. Çdo gjë që kam, e kam vetëm me krahë”- thotë Tajari i cili është i kënaqur me punën dhe jetën e tij. Ai jeton me bashkëshorten dhe djalin e nusen. Nga punët e bujqësisë çdo muaj atij i ngelen në xhep për vete 60 mijë lekë.

“Unë nuk dua të iki nga vendi. Jam njeri punëtor që dua punën time. Më ra halli, shes lopën 1 mln lekë. Shteti për bujqësinë nuk ka bërë asgjë. Pompën dhe tubat që vadis tokën e kam blerë vetë 400 mijë lekë (të reja). 1 ha jonxhë do 1 kuintal naftë. U bënë 30 vite dhe nuk është vënë hiç dorë. Na mërzitët. Lëmë në punën time”- më drejtohet Tajari me zë të lartë duke i kthyer sytë nga dhitë që i ka nxjerrë të kullosin.

Ai thotë se do të luftojë dhe dhëmbë për dhëmbë me këdo që do të kërkojë ta shpërngulë nga toka e tij. “Do vras veten bie fjala”- më thotë ai. “Shteti më ka marrë pjesë nga toka, ka 6 vjet dhe nuk më ka dhënë kokërr leku. Kam bllokuar xhadenë për të protestuar dhe më futën në burg 24 orë vjet. I kam të gjitha dokumentet. Ne nuk e duam hidrocentralin”- më tregon ai.
Por ka edhe një qasje tjetër ndër banorë. Jaho Shehu dhe Xhevat Zota mendojnë se hidrocentrali nuk do të ndërtohet. Sipas tyre është një presion i qeverive ndër vite për të përfituar vetë ato nga kontratat koncesionare dhe ne të mbetemi të pazhvilluar duke mosinvestuar. “Kështu na kanë thënë prej gati 30 vitesh, mos investoni se do të ndërtohet”.

Historiku…

Leja për ndërtimin e Hidrocentralit të Kalivaçit është marrë në vitin 1997 me firmën e Bashkim Finos, kryeministër i asaj kohe. Ai iu dha për herë të parë një kompanie italiane Hydro.S.R.L ku aksioner ishte edhe biznesmeni italian, Francesco Becchetti. Kompania do të duhej të ndërtonte një HEC 100 MW, por që nuk ndodhi asnjëherë dhe u shoqërua me përplasje të shumta.Në 2002 kompania Hydro s.r.l ka nisur punimet, teksa sipas kontratës origjinale, vepra duhej të ishte përfunduar. Me një vendim të Qeverisë Meta asokohe Becchetti merr një tjetër shtyrje të kontratës. Një tjetër shtyrje e kontratës u bë në 2003-in dhe një tjetër në qeverinë Berisha, por vepra energjetike aq e rëndësishme për të gjitha qeveritë nuk u ndërtua kurrë. Mendohet të jenë bërë 20-30 % të punimeve, për të cilat sipas banorëve të zonës nuk është paguar askush. Për këtë ata thonë se ndaj kujtdo të huaji që hynte në fshat ushtrohej agresion duke menduar se ishin njerëzit e Becchettit, që sipas tyre I shfrytëzoi pa paguar. “Madje- thonë ata, -ndërtoi edhe shtëpinë në majë të kodrës për të na bindur se ishte njëri prej nesh dhe do të jetonte edhe ai këtu”.

Kalivaç

Qeveria Rama vendosi të anulojë kontratën në mënyrë të njëanshme. Kompania Hydro s.r.l e Becchettit e paditi shtetin shqiptar në tetor 2014, në Arbitrazhin Ndërkombëtar të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, ku u kërkua zgjidhja e marrëveshjes së koncesionit të lidhur midis palëve ndërgjyqëse për ndërtimin e një hidrocentrali në Kalivaç, për faj të Shqipërisë, dhe pagesa e një dëmshpërblimi në një vlerë prej €137 milionë euro si dhe pagesa e të gjithë kostove të paditësit dhe procesit të arbitrazhit.

Qeveria shqiptare nga ana tjetër do të bënte një kundërpadi duke cituar mospërputhjen e detyrimeve nga ana e kompanisë italiane. Gjykata vendosi në favor të Shqipërisë duke i kërkuar kompanisë paditëse të paguante shpenzimet e gjyqit.

Mandej në vitin 2017 Ministria e Energjisë e asaj kohe do të shpallte garën për koncesionin e Hidrocentralit të Kalivaçit. Në fund të garës fitues rezultuan bashkimi i operatorëve “Ayen Enerji” dhe “Fusha SH.P.K” respektivisht me 95% dhe 5% ndarje aksionesh. Sipas kontratës së nënshkruar me qeverinë ata do të investojnë 125.3 milionë euro për të ndërtuar hidrocentralin mbi lumin Vjosë. Ky i fundit do të ketë një kapacitet të instaluar prej 111 MW, kurse prodhimi vjetor i energjisë 366.6 milionë kilovat. Ndërtimi sipas afateve të kontratës pritet që të mbyllet brenda vitit 2021 me një afat pune ndërtimi 2 vjet e gjysmë.
Kompania koncesionare e HEC Kalivaç AYEN – ALB sh.a dhe kompania konsulente për hartimin e VNM-së, Abkons, kanë zhvilluar 2 takime me OJF-të mjedisore, në Tiranë. Qëllimi i këtyre takimeve ishte prezantimi i projektit të hidrocentralit të Kalivaçit dhe hapat që kompania do të ndërmarrë për të zbatuar këtë projekt. Në këto takime kompania Abkons kërkoi të realizonte dhe konsultime për ndikimet në mjedis të projektit.

Pjesëmarrëse në këto takime, organizatat EcoAlbania, REC, INCA, Ekolëvizja, EuroNatur, EDEN, ACEG, Milieukontakt Shqipëri, Iliria dhe ResPublica, u shprehën se, që prej lidhjes së kontratës koncesionare (dt. 08.06.2018), nuk është bërë publik asnjë informacion zyrtar në lidhje me këtë projekt. Edhe në këtë takim të dedikuar për OJF-të, pjesëmarrësve nuk iu është vënë në dispozicion asnjë dokument paraprak apo studim i realizuar nga kompania mbi të cilin mund të jepnin mendimet apo komentet e tyre.

Organizatat u shprehën se ky nuk mund të konsiderohet konsultim me palët e interesuara dhe se ato kanë marrë pjesë në këtë takim, vetëm për të shprehur interesin për të ndjekur porcesin e realizimit të studimit të VNM-së që është një çështje kaq e rëndësishme për vlerësimin e projektit të hidrocentralit të Kalivaçit në lumin Vjosa.

Lugina e Vjosës…

Vjosa e parë nga një lokal në Tepelenë

Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit natyrorë në Europë. Përgjatë gjithë rrjedhës së tij prej mbi 270 kilometra lumi është I paprekur dhe rrjedh i lirë, me larmi tiparesh hidro-morfologjike. Sëbashku me degët e saj, Vjosa përbën një ekosistem dinamik, thuajse natyror, të rrallë për Europën. Lugina e Vjosës shtrihet në jug të vendit në një lartësi mesatare 855 metër mbi nivelin e detit. Me ndarjen e re territoriale të vitit 2014 lugina e Vjosës shtrihet në qarqet Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Fier, Berat. Pjesa më e madhe në luginën e Vjosës është rurale. Mbi 70% e popullsisë është vendosur në rrjedhën e poshtme. Lumi ka disa fytyra dhe kjo e bën të veçantë.

Ka pjesën e ngushtë, të pyllëzuar, me shpate të pjerrët, me lumenj që mblidhen dhe derdhen në Vjosë, pjesën e mesme që i gjithë shtrati me natyrën konglomerate një kanal natyror, me guva, me shpella dhe pjesën e gjerë që është e kërcënuar nga dy digat. Në pjesën tjetër lumi nis gjarpërimet derisa derdhet në Delta.

Lugina e Vjosës zë 16% të territorit të vendit dhe sipas studiuesëve bart vlera të larta të biodiversitetit. 177 specie jetojnë në lumin Vjosa që sipas ambientalistëve me ndërtimin e HEC-eve do të zhdukeshin.

Përgjatë luginës janë shpallur 10 zona të mbrojtura dhe afro 130 monumente natyre.
Sipas shoqatës ambientaliste Eco Albania, ndërtimi i HEC-eve është kërcënimi aktual më i madh në këtë zonë. Në total prej rreth 42 HEC-esh janë parashikuar në ujëmbledhësin e Vjosës. Ndërtimi i digave thotë shoqata, është ndërhyrja më shkatërruese që mund të rezultojë me pasoja të pakthyeshme në mjedis duke dëmtuar në mënyrë përfundimtare integritetin natyror të këtij ekosistemi unik. Sipas drejtuesëve të shoqatës, HEC-et pengojnë rrugët e migrimti të peshqve, transportin e sendimenteve dhe përbëjnë një nga faktorët kryesorë të ndryshimeve mikroklimaterike.

Zona e luginës së Vjosës është një atraksion turistik pikërisht sepse është në gjendje natyrore. Kjo është arsyeja që turistët e shumtë vijnë në këtë zonë. Ata bëjnë rafting, vizitojnë lumin Langaricë ku është shpallur park kombëtar.

Mbi Langaricë janë fshatrat Frashër dhe Dangëlli, fshatra tipikë gjysmë malor të cilët mund të zhvillohen për turizëm.

Tarracat erozive të Bënçës janë gjeomonument. Një pikë tjetër turistike mes të shumtave është Nivica e cila prej dy vitesh është gjallëruar dhe tek pyet turistët e huaj, thonë se I tërheq autenticiteti, natyra e virgjër, kanionet, lumi i paprekur.

Shtëpia e Becchettit

Në kthim tek lamë me shpinë lumin Vjosë, “rrënojat” e “armikut të popullit” Becchettit dhe shtëpinë e tij në majë të kodrës, “kullotëm” sytë tek pemët e Judës që na shoqëruan për një copë rrugë realtivisht të gjatë. Më erdhi në mendje shprehja “Jepi Çezarit, atë që është e Çezarit”…, por gjërat janë ngatërruar aq shumë sa nuk dihet më se kush dhe çfarë është e kujt…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë