Ekonomi

Strategjia për financat publike, Mete: Synojmë të shtojmë monitorimin. BB dhe BE: Kujdes PPP-të

Nga Gazeta 'SI' - Ministri i Financave, Ervin Mete, prezantoi strategjinë e re të menaxhimit të financave publike, duke theksuar se qëllimet kryesore jan disiplina fiskale dhe transparenca.

Në takim me ambasadorin e BE, Silvio Gonzato dhe menaxherin e Bankës Botërore, Emanuel Salina, ministri Mete tha se strategjia e re synon të rrisë monitorimin dhe raportimin buxhetor, përmirësimin e të ardhurave, sistemit tatimor si edhe integrimin e ekonomisë së gjelbër.

Ministri Mete theksoi faktin se në dekadën e fundit është shënuar progres i konsiderueshëm sa i përket reformave dhe masave të ndërmarra, gjatë zbatimit të dy strategjive të mëparshme të Menaxhimit të Financave Publike, ndërsa vendi ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme që kanë sjellë avancime domethënëse në procesin e integrimit evropian.

Strategjia e re për Menaxhimin e Financave Publike është publikuar për konsultim publik në fillim të muajit të kaluar dhe pritet të miratohet brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, për të nisur më tej me fazën e implementimit të saj.

Gjatë fjalës së tij, ministri bëri një përmbledhje të disa prej zhvillimeve kryesore ekonomike në vend.

“Ka vijuar performanca e mirë e të ardhurave edhe në muajt e parë të vitit 2024, përgjatë të cilit projektojmë të arrijmë në mbi 28% të PBB-së sa i përket mbledhjes së të ardhurave. Gjithashtu, vitin e kaluar u shënua niveli më i ulët i detyrimeve të prapambetura prej rreth 1% në raport me shpenzimet, që nga momenti i nisjes së monitorimeve në vitin 2016, kjo edhe në kuadër të reformave të ndërmarra në zbatim të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike”, tha Ministri.

Përfaqësuesit e BB dhe BE-së i sugjeruan qeverisë shqiptare të shtojë monitorimin e PPP-ve dhe të konsiderojë rolin e KLSH-së në vendimarrje.

“Menaxhimi i financave publike është në thelb të integrimit në Bashkimin Europian sepse prek disa kapituj të anëtarësimit. Kjo tregon sa e rëndësishme është menaxhimi i financave publike për qeverisjen e mirë. Ne jemi të mendimit që duhet të kthehemi tek rishikimi i buxhetit me anë të procedurave dhe jo të akteve normative sepse është i rëndësishëm dhe mendimi i parlamentit dhe roli i KLSH-së. Mbetet i rëndësishëm monitorimi i PPP-ve apo ndërmarrjeve në pronësi të shtetit, në tatime zgjeroni bazën tatimore, duke luftuar informalitetin.  Strategjia afatmesme e të ardhurave ofron parashikueshmëri për bizneset", u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

Ndërsa për Bankën Botërore, është thelbësore transparenca dhe llogaridhënia.

“Objektivi kryesor i menaxhimit të financave publike është të përmirësojmë jetën e qytetarëve shqiptarë përmes menaxhimit më të mirë dhe përdorimit efecient të burimeve. E bëjmë këtë gjë duke ruajtur disiplinën fiskale nëpërmjet mbledhjes së të ardhurave dhe menaxhimi i fondeve publike ka një gjithë përfshirje. Transparenca dhe llogaridhënia, duhet të sigurohemi që mundësitë për korrupsion të eliminohen sa më shumë të jetë e mundur. Gjatë viteve të fundit ka pasur shok dhe në momentet e shokut ka pasur nevojë për rialokime dhe këto rialokime duhet të bëhen në mënyrë të shpejtë në mënyrë që ti përgjigjen sa më shpejt qytetarëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë