Politike

Hetimi për lobimin, Basha refuzon të shkojë në Prokurori: Eshtë politike

Kreu i Partisë Demokratike ka refuzuar paraqitjen pranë Prokurorisë së Tiranës pas shkresës së dërguar prej saj me anë të së cilës përcillet urdhri për paraqitjen për njohje me aktet e ardhura nga Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga Autoriteti i Drejtësisë së Skocisë.

Ardhja e dy letërporosive nga ShBA-të dhe Skocia ka riaktivizuar hetimet për dosjen e lobimit, ku pretendohet se PD ka paguar 525.000 dollarë, ndërsa kompanisë “Biniatta Trade” 150.000 dollarë.

Në letrën me të cilën kreu i PD-së Lulëzim Basha i përgjigjet Prokurorisë së Tiranës shprehet i i habitur nga thirrja duke e quajtur kërkesën si të panevojshme, të pa mbështetur në ligj dhe të pa mbështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit, sipas tij.

“As unë, asnjë drejtues tjetër i Partisë Demorkatike dhe as Partia Demokratike nuk janë marrë nën hetim dhe nuk janë të pandehur në asnjë hetim, prandaj as unë dhe as një drejtues tjetër i Partisë Demokratike nuk ka nevojë dhe ju nuk keni asnjë detyrim ta na informoni për asnjë të dhënë që mund të jeni duke mbledhur në kuadër të verifikimeve tuaja”- citohet në letrën e Bashës drejtuar Prokurorisë së Tiranës dhe për dijeni Gjergji Tako, Prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës Parë Tiranë.

Basha deklaron në letër se zyrtarë të PD-së si persona që mund të tregojnë rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit, janë paraqitur më parë në Prokurori dhe kanë dhënë shpjegimet e tyre. Gjithashtu, shpjegon ai, Partia Demokratike e Shqipërisë ka depozituar në organin e prokurorisë të gjitha të dhënat e kërkuara nga ana juaj.

Në këto kushte, argumenton kreu i PD-së, organi i prokurorisë ka marrë të gjitha të dhënat e nevojshme dhe që disponohen nga ana jonë, që i shërbejnë hetimit dhe ndihmojnë prokurorinë në përfundimin mbi këtë çështje. “Për pasojë, ju bëjmë me dije se edhe zyrtarët e tjetër të Partisë Demokratike z. Ristani, z. Bardhi dhe z. Dervishi, (të cilët janë thirrur në prokurori gjithashtu) e çmojnë të panevojshme paraqitjen, sipas njoftimit të ardhur nga ana juaj, për njohjen me aktet”- thotë në letër Lulëizm Basha.

Ai i kërkon prokurorisë që për çfarëdo arsye që mendohet se zyratrët e PD-së duhet të njihen me ndonjë informacion, mund tua dërgojnë atë me postë ose mund ta bëjnë publik në media.

Ai e konsideron ftesën për paraqitje në prokurori të panevojshme, të padobishme dhe dhe si të formuluar në një mënyrë që çon në keqkuptime të panevojshme. Basha akuzon prokurorinë për rrjedhjen e kërkesës në media e cila sipas tij është keqinterpretuar prej tyre dhe përdorur nga kundërshtarët politikë. “Fakti qё ju nuk keni bërë asnjë sqarim apo përgënjeshtrim të këtyre keqintepretimeve; fakti që informacioni që doni të na përcillni nuk ka asnjë fakt apo të dhënë të re që nuk është pohuar nga ne gjatë shpjegimeve tona të mëparshme; si dhe fakti që një ftesë e tillë vjen gjashtë muaj pasi ju e keni marrë informacionin në fjalë dhe në një kohë kur ka filluar një fushatë keqinformimi me natyrën dhe ecurinë e hetimit në fjalë, na bën të mendojmë se veprimi juaj është bërë jo për qëllime hetimore, por për shërbime propagandistike politike.”- argumenton kreu i PD-së.
Ai vijon më tej në letrën drejtuar Prokurosisë së Tiranës se “Nisur nga ky dyshim, dëshiroj t’ju kujtoj se ju keni detyrimin kushtetues dhe ligjor të kryeni hetime larg ndikimeve politike, si dhe detyrimin ligjor që të garantoni besueshmërinë dhe integritetin e hetimit.”

Prokurorët shqiptarë dëshironin që në letërporosinë e ardhur nga SHBA-të të ishte edhe dëshmia e lobistit të PD-së, Nick Muzin.

Por, Nick Muzin është nën betim dhe dëshmia e tij nuk mund të dërgohet.
Nick Muzin është nën hetim nga FBI-ja, jo vetëm për vonesën e deklarimit në Departamentin amerikan të Drejtësisë, të shumës prej 150.000 dollarësh, paguar nga kompania “Biniatta Trade” nëse me të vërtetë këto parà janë përdorur për lobim për PD-në, apo për qëllime të tjera.

Edhe në Skoci ka një hetim për pastrim parash, meqënëse kompania “Biniatta Trade” e ka selinë atje.

Balla: Rast i paprecedentë
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e cilësoi të paprecedentë faktin që kreu i PD-së, Lulzim Basha nuk u paraqit sot në Prokurori.
“Kryetari i PD refuzoi sot të shkonte në Prokurori. E kanë hallin tek reforma në drejtësi thoshim ne ndaj po i lënë mandatet, por një pjesë e atyre që paguhen për këtë punë thanë ç’lidhje ka kjo. Sot Lulzim Basha refuzoi të paraqitet në prokurori. Ky është rasti i parë se si kryetari i opozitës që la mandatin për interesat e vendit tregoi qartë që nuk respekton detyrimin që ka si qytetar”, vijoi ai.
Ndërkohë, kreu i PD-së, Lulzim Basha, me anë të një letre i përgjigjet Prokurorisë së Tiranës duke i shprehur i habitur nga thirrja dhe e ka quajtur kërkesën si të panevojshme, të pambështetur në ligj dhe të pambështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë