Futboll

Hetimi për Bylis-Tirana, Etika vendos pas 22 korrikut

Komisioni i Etikës zhvilloi sot seancën e radhës në lidhje me hetimin që po kryen për ndeshjen parë gjysmëfinale mes Bylisit dhe Tiranës, e fituar 2-1 me përmbysje nga ballshiotët dhe e dyshuar si e trukuar. Edhe këtë radhë nuk ka pasur asnjë vendim. Presidenti Refik Halili ka kërkuar që deklaratat e tij t’i dorëzojë edhe me shkrim, ndërsa vendimi, sipas asaj që deklaroi kryetari i Komisionit të Etikës, Fatmir Braka, do të merret pas 22 korrikut.

Në seancën e sotme, përveç presidentit Refik Halili, janë marrë në pyetje nga Komisioni i Etikës edhe trajneri Emanuel Egbo, drejtuesi i klubit Arbi Laçi, kapiteni Erando Karabeci dhe portieri Ilion Lika. Presidenti Halili përsëriti qëndrimin e tij se është i pastër në këtë histori.

Refik Halili, presidenti i Tiranës. Gazeta Si, 14 korrik 2020

Halili: Jam i bardhë, e di Allahu
“U paraqita në komision dhe thashë atë që kisha për të thënë. Do sjell një deklaratë me shkrim për të gjithë ato që thashë. Nuk pres dënim për Tiranën, absolutisht. Nuk e di çfarë do të bëjë UEFA, 80% e shqiptarëve i shikojnë ndeshjet që fiksohen nga bastet dhe i kuptojnë. Nëse ka ndonjë dyshim që është përfshirë Tirana në këtë gjë, nuk më krijon asnjë problem. Flas për veten time, për stafin, për klubin. Nëse ka ndonjë individ të përfshirë, nuk mund ta gjej dot.

Për mua dhe ne që merremi me sport, kur federata shikon ndonjë shkelje dhe duhet të marrë masa, bën mirë. Nuk e çuan deri në fund ashtu si donin, nuk ndodhi ashtu si dëshironin ata, klubi nuk është i përfshirë. Kemi bërë një kampionat model, kemi sakrifikuar të gjithë dhe kemi shpenzuar. Kemi qenë ndoshta klubi më i rregullt i kampionatit dhe do ta respektojmë garën deri në fund. Komisioni ka njerëz të zotë që nëse shohin shkelje, le të veprojnë. Nuk jam njeri pa gjak dhe nuk pranoj të më cenojë njeri, kur jam i bardhë. Nëse jam i bardhë, e di Allahu”, - u shpreh pas mbledhjes presidenti Halili.

Braka: Vendimi, pas 22 korrikut
Kryetari i Komisionit të Etikës, avokati Fatmir Braka, tha pas mbledhjes se hetimi vazhdon dhe se do të ketë një seancë tjetër më 22 korrik, pas së cilës do të merret vendimi për ndeshjen Bylis-Tirana, 2-1, e dyshuar si e trukuar. Braka pranoi se ka pasur një sinjalizim nga UEFA për ndeshjen në fjalë, por nuk përmendi shifra konkrete për përfitimet nga bastet.

Fatmir Braka, kryetari i Komisionit të Etikës. Gazeta Si, 14 korrik 2020

“Ishte një seancë normale, ku u pyetën përfaqësuesit e Tiranës, duke filluar nga presidenti Halili e deri te lojtarët. Mund ta quajmë një seancë frytdhënëse, sepse u zhvillua normalisht. Hetimi vazhdon dhe seanca tjetër do të jetë më 22 korrik. U kërkua nga presidenti Refik Halili të paraqesë të gjithë deklaratat e tij me shkrim dhe ne ia dhamë këtë mundësi. Pas kësaj date do të merret vendimi, që është një vendim kolegjial. Komisioni do të vazhdojë punën normalisht.

Jemi në fazën e një hetimi administrativ. Po të flasim për prova, e kemi paragjykuar çështjen, ndaj dhe në fund do të shikojmë çfarë do të ndodhë. UEFA nuk vendos çfarë masash merren, ajo dërgon materiale udhëzuese për çdo ndeshje. Informacioni i UEFA-s do shqyrtohet së bashku me hetimin tonë administrativ. Nuk është vetëm materiali i UEFA-s. Nuk ka të dhëna për shumën e vendosur në baste. Ka pasur një informacion nga UEFA se diçka nuk shkonte, por nuk mund të flasim tani se çfarë ka ndodhur realisht”, - u shpreh Braka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë