Politike

Hetimi i TIMS / Socialistët rikthehen në komision, dakordësohen me opozitën për kërkesat e informimit

Këtë të premte është mbledhur Komisioni hetimor për trajtimin e të dhënave të TIMS, ku kësaj radhe prezent ishin edhe anëtarët e mazhorancës.

Në rendin e ditës së sotme të punës, pasi palët arritën dakordësinë, u miratuan kërkesat për informacion që do t’u dërgohen institucioneve.

Deputeti socialist Nasip Naço, në fjalën e tij gjatë mbledhjes ka kundërshtuar një pikë nga kërkesa për informacion drejtuar Altin Dumanit, duke thënë se po i bëhet presion Prokurorisë së Posaçme.

“Në lidhje me kërkesën drejtuar Altin Dumanit, votova kundër dhe nuk isha dakord me pikën dy të kësaj kërkese sepse Prokuroria nuk do na japë asnjë emër për gjërat që ju kërkoni”.

“ Ka të bëjë me sekretin hetimor”, vijoi Naço, “kërkoj që të mos vihet, ose të ishte më e moderuar, sepse e vini nën presion SPAK për të dhënë informacionet e hetimit”.

Kërkesat për informacion, të përgatitura nga eskpertët, do t’u dërgohen Besnik Dervishit, komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Taulant Ballës, ministër i Brendshëm, Muhamet Rrumbullakut, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kreut të SPAK-ut Altin Dumanit, AMP, SHISH, Prokurorisë së Përgjithshme dhe institucioneve të tjera informacionet nga të cilët i shërbejnë hetimit parlamentar.

Kujtojmë se në mbledhjen e kaluar, anëtarët e Partisë Socialiste bojkotuan takimin me argumentin se kryetari i Komisionit Ervin Salianji, po shkel ligjin duke miratuar vendime të njëanshme.

“E pa dëgjuar është që përfaqësues të mazhorancës të bojkotojnë komisionet hetimore dhe Parlamentit. Ikën dje si skuthat, njëlloj si ndërhyrja në sistemin TIMS për qëllime kriminale. Edhe mbrojtja që pretendohet tu bëhet atyre është veprimtari kriminale”, u shpreh Salianji.

Por opozita dhe mazhoranca kanë arritur konsensusin dhe kërkesat për informacion të miratuara sot janë dakordësuar me 4 ekspertët.

Gjatë mbledhjes së parë të datës 2 prill, u miratua lista e dëshmitarëve që do të thirren: Edi Rama, Taulant Balla, Muhamet Rrumbullaku, Florjan Sulejmani drejtor i AMP, Bledar Çuçi, Gledis Nano, Ardi Veliu, Zef Laska, Neritan Nallbati, Dorjan Tola, Ervin Muça, Ervina Gjana, Besjan Tanuzi, Henri Ndoni, Ardit Muça, Elona Goga...

Pyetja e dëshmitarëve do të bëhet brenda datës 5 qershor 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë