Politike

Hetimi i paralajmëruar i kryebashkiakes së Sarandës

Në muajin mars, prokuroria dhe policia ndërmerrenin një aksion në Lezhë për të vënë para drejtësisë një grup personash, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë së qytetit dhe Prefekturës, që akuzoheshin për tjetërsimin e pronave në bregdet.

Mes të arrestuarve në atë kohë, e më vonë të liruar nga gjykata, ishte edhe kreu i kësaj bashkie, Fran Frrokaj, i zgjedhur nën siglën e Partisë Demokratike.

Vetë Selia Blu nuk u nxitua në reagimet e saj dhe tha se i takon prokurorisë dhe gjykatës të flasin në lidhje me akuzat e ngritura. Por, dyshimet që bëhej fjalë për një sulm politik ndaj një njeriu me peshë në Partinë Demokratike të Lezhës, nuk munguan.

Për të zbutur këto dyshime, në ato ditë deputeti demokrat, Ervin Salianji paralajmëronte se do të arrestohej edhe kryebashkiakja socialiste e Sarandës, Floriana Koka.

“Në shënjestër të tij (Ramës) janë kundërshtarët brenda dhe jashtë partisë. Nga kryebashkiakët brenda është kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka që mbështet Koço Kokëdhimën”, deklaronte Salianji në studiot televizive në muajin mars.

Ai shkoi më tej duke deklaruar se ishte çështje javësh nisja e hetimeve ndaj Kryebashkiakes së qytetit bregdetar.

Të njëjtin paralajmërim kishin dhënë edhe disa analistë politikë, por pa dalë me emra dhe afate konkrete se kur pritej hetimi i saj.

Paralajmërimi sot është shndërruar në fakt. IKMT ka kallëzuar në prokurori kryetaren e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka, ish-kryetarin e kësaj bashkie, Edmond Gjoka si dhe ish-shefin e Urbanistikës, Panajot Gunari.

Sipas IKMT tre të akuzuarit kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.

IKMT thotë se zyrtarët janë përgjegjës për miratimin në kundërshtim me ligjin të lejes së ndërtimit në favori të një firme private dhe zgjatjen e afatit të kësaj leje për objektin “Kompleks multifunksional” në zonën bregdetare pranë Kanalit të Çukës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë