Ka ndodhur

Foto / Sulmohet me armë zjarri godina e Top Channel, vritet roja i sigurisë private

Gazeta Si - Godina e televizionit kombëtar Top Channel në Kashar, është sulmuar me armë zjarri pas mesnatës në Tiranë nga persona të paidentifikuar deri tani.

Për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë private, Pal Kola, 60 vjeç, i cili ka qenë duke u ngrohur pranë një ngrohëseje që ka pasur brenda kabinës në momentet që është qëlluar me breshëri plumbash.

Ai ka marrë një plumb rreth orës 01:00 në zonën e Mëzezit, teksa ishte duke qëndruar në godinë, ku fillimisht u plagos dhe më pas humbi jetën në spital.

Nga hetimet e ngjarjes në Mëzez, mësohet se një automjeti i tipit “Range Rover” ka qenë në ecje dhe prej aty të paktën një person ka qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt fasadës së këtij televizioni.

Autorët pas ngjarjes janë larguar në drejtim të Golemit përmes autostradës e ku më pas dogjën edhe automjetin që përdorën, tip Range Rover me targa të vjedhura.

Policia në brendësi të automjetit gjeti dy kallashnikovë, të cilët dyshohet se janë përdorur në ngjarje. Policia është në kërkim të autorëve, ndërsa ende nuk dihet motivi që çoi në këtë ngjarje të rëndë.

Pas krimit, dyshohet se autorët u larguan drejt Vlorës, ndërsa policia ka nisur kontrollet në qytet, ku mësohet e janë shoqëruar dy persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Që prej mëngjesit po kontrollohen kamerat e vendosura në hyrje të qytetit që kanë parë një makinë, e cila ka ndaluar dhe ka hedhur diçka në ferra që dyshohet të jetë armë.

Sipas asaj që ka mbetur në vendngjarje, duket se autorët kanë pasur si qëllim zyrat e godinës së TCH, ku gjatë ditës dhe deri vonë në mesnatë punojnë me qindra gazetarë dhe punonjës të Top Channel.

Nga jashtë, dallohen qartë shenjat e plumbave, që kanë goditur kangjellat e jashtme të murit rrethues në rrugë dhe fasadën prej xhami në pjesë të ndryshme të tij të paktën deri në katin e dytë.

Pikërisht në këtë zonë, ndodhej dhe kabina ku qëndronte roja e sigurisë, i cili është prekur nga një plumb në momentin e të shtënave.

Një nga pistat kryesore, që po heton policia, është ajo e goditjes dhe kërcënimit për shkak të raportimeve të skandaleve të korrupsionit dhe fjalës së lirë.

Megjithatë, nuk përjashtohet edhe mundësia që ngjarja është shkaktuar si pasojë e një konflikti të mundshëm për shkak të pronësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë