Rend dhe Ligj

Hetimet për Llallën, Prokuroria kërkon informacione në Gjermani

Përmes një letërporosie, Prokuroria shqiptare i kërkon drejtësisë gjermane informacione mbi lëvizjet dhe pasuritë e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Këto të dhëna kërkohen në funksion të dosjes së regjistruar fillimisht në Durrës, e më pas të transferuar te Krimet e Rënda, për dyshimet se ish-kryeprokurori ka pastruar parà, nuk ka deklaruar paratë në kufi, si dhe ka kryer deklarim të rremë, por edhe për “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe për “shpërdorim të detyrës”.

Sipas burimeve të Prokurorisë, mësohet se deri tani nuk ka pasur asgjë të re sa i takon hetimeve, ndërkohë që në 23 korrik të këtij viti, Krimet e Rënda sekuestruan 1 miliard lekë pasuri të ish-kryeprokurorit, masë kjo që është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, pas kontestimit të Llallës.

Përpara këtij vendimi, Llalla i shpëtoi procesit të Vettingut, para se të nisej në Gjermani, duke dhënë dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla u vendos nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, menjëherë pas valës së akuzave që iu drejtuan atij sapo dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë shqiptare.

Dorëheqja e tij solli në fakt edhe ndërprerjen e Vettingut përkohësisht, që u bë gjithashtu shkak për të hapur një seancë dëgjimore, nëse duhej apo jo të ndërpritej.

Më herët, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, akuzoi publikisht Llallën se është përpjekur të bllokojë disa herë nisjen e procesit të Vettingut në Shqipëri.

Departamenti i Shtetit ndaloi publikisht hyrjen e Adriatik Llallës dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se “ka informacione për përfshirje të tij në raste domethënëse korrupsioni”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë