Drejtësia

Hetimet për ‘Gërdecin’, Fatmir Mediu: Është hedhur shumë baltë, nuk kam pasur lidhje me asnjë kompani

Gazeta Si - Në seancën e radhës në gjyqin ndaj tij për dosjen "Gërdeci" në GJKKO, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u shpreh se doli qartë se vendin e demontimit të municioneve nuk e ka përcaktuar ministri, por ka ardhur i përcaktuar nga kompania.

Ai është shprehur se nuk e ka shkelur asnjëherë autoritetin e Forcave të Armatosura.

“Dua që të gjithë ta keni të qartë se sot doli se Gërdecin nuk e ka përcaktuar ministri, por ka ardhur e përcaktuar nga kompania. Urdhri 2044 është i përgatitur nga shtabi i përgjithshëm, strukturat e shtabit. Cështjet që ngriti Pinari nuk i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes. Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton detyra për MEICO-n, dhe përcakton se ka nevojë për demontimin. Në FA nuk mund të ketë urdhër ministri, përndryshe nuk do flisnim për FA-të".

Mediu theksoi se ish-drejtor i kompanisë MEICO, Ylli Pinari, ishte një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të Gërdecit, ndërsa shton se sot është e qartë “që nuk ka të bëjë me implikimin e ministrit apo të interesave të ministrit”.

Ai deklaroi se gjatë kohës së mbante postin e ministrit nuk ka pasur njohje as me kompaninë shqiptare dhe as atë amerikane.

“Pinari ka qenë një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të Gërdecit, e kërkova këtë në emër të së vërtetës dhe drejtësisë. Kam qenë i kursyer, është hedhur shumë baltë dhe janë bërë shumë aludime, por sot qartësisht duket që nuk ka të bëjë me implikimin e ministrit apo të interesave të ministrit. Ministri nuk ka pasur njohje as me kompaninë shqiptare, as amerikane, nuk ka pasur asnjë kontakt me ta, nuk ka shkelur autoritetin e FA për t’i shmangur nga procesi”, tha para mediave Fatmir Mediu pas daljes nga GJKKO.

Gjatë seancës së sotme ka dëshmuar Ylli Pinari, ish-drejtori i MEICO-s. Sipas burimeve paraprake, fillimisht Pinari nuk pranoi që të dëshmonte, por ka qenë ish-ministri Mediu që ka insistuar pasi dëshmia e tij është shumë e rëndësishme në proces.

Pinari pretendoi se ka bërë 4 vite burg kot, pasi MEICO nuk ka pasur për detyrë të garantonte sigurinë në çështjen Gërdeci, por të ndërmjetësonte mes shtetit dhe kompanive.

Këtë të mërkurë ishte parashikuar që të vijonte thirrja në gjyq e dëshmitarëve për tragjedinë që i mori jetën 26 personave dhe plagosi qindra të tjerë në mars të vitit 2018.

SPAK ka thirrur 71 dëshmitarë në gjyqin për shpërthimin e fabrikës së demontimit në Gërdec. Deri tani janë pyetur 40 prej tyre, zyrtarë dhe familjarë të viktimave apo personat të prekur nga tragjedia e 15 marsit 2008.

Në seancën e kaluar (27 dhjetor) dëshmoi Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha, i cili para mediave tha se nuk di asgjë për faksin e vitit 2007 me mbishkrimin ‘për Shkëlzen Berishën’, dokument që përcaktonte se fabrika do të ngrihej në Gërdec.

Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak.

Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën rreth 300 të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë