Rend dhe Ligj

Hetimet edhe në Tiranë, Krujë e Lezhë, 4 personat e shpallur në kërkim janë në Itali

Hetimet për pasojat e shkaktuara po shtrihen jo vetëm në qytetin e Durrësit, por edhe në Tiranë, Krujë dhe në Lezhë. Prokuroritë e rretheve kanë nisur hetimet, por deri më tani vetëm ajo e Durrësit ka dalë në një konkluzion paraprak, duke prerë edhe 17 urdhër-arreste. Grupi hetimor i ngritur në Durrës ka bërë të ditur ndërkohë që ka arrestuar 8 shtetas si përgjegjës dhe se janë 9 persona të shpallur në kërkim. Mësohet se katër shtetas janë larguar nga Shqipëria pas rënies së tërmetit të 26 nëntorit, dhe sipas sistemit TIMS gjenden në Itali. Prokurorët u shprehën një ditë më parë se disa prej që mund të jenë si përgjegjës janë larguar përpara rënies së tërmetit dhe madje nuk mund të jenë në dijeni se ndaj tyre mund të ketë një urdhër-arresti.

Burimet bëjnë të ditur se Policia u ka bërë kërkesë autoriteteve italiane për të bërë të mundur lokalizimin e tyre. Ndërkohë që prej mbrëmjes së djeshme në Tiranë po kryhen operacione për kapjen e tre të tjerëve, të cilët dyshohet se fshihen në kryeqytet. Prokuroria e Durrësit nuk e mohon zgjerimin e hetimeve dhe thekson me anë të një deklarate se ka dyshime se këto pasoja, kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes apo moskryerjes së detyrës nga inxhinierët projektues, zbatues, mbikëqyrës dhe kolaudator të këtyre ndërtimeve, si dhe nga veprimet e kryera në kundërshtim me ligjin nga nëpunësit shtetërorë dhe publik të ngarkuar me kontrollin dhe mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve.
Nga hetimet e kryera deri në këtë faze hetimore ka rezultuar se ndaj 17 personave të urdhëruar për t'u ndaluar ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se kanë konsumuar veprat penale të“Vrasjes me dashje”, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve”,etj, të parashikuara nga nenet 76,79/dh,248,186/3 të Kodit Penal.
Nga ana e organit të prokurorisë po i kushtohet një kujdes i vazhdueshëm ndjekjes së hetimeve lidhur edhe me objektet e dëmtuara në të cilat kanë ardhur pasoja të lehta për shëndetin e qytetarëve, si dhe në objektet në të cilat janë shkaktuar dëmtime të rënda materiale. Ndërsa nga këto hetime që po vijojnë pritet të ketë dhe arrestime të tjera.

Personat e shpallur në kërkim
Arben Qato, pronar i Vila "Palma"
Dëshira Qato, shefe e urbanistikës në Kavajë (bashkëshorte e Arben Qatos)
Aldo Dakovelli, shef sektori në Kadastrën e Durrësit
Artemis Malko, punonjës terreni në Kadastrën e Durrësit
Artur Cela, ish-drejtori i INUV
Flamur Gjuzi, ish-drejtori i ALUIZNIT Durrës, dhe ish-kandidat i LSI për deputet
Artur Terziu, pronari i Bar "Barons"
Dy ndërtuesit e banesës së familjes Lala në ish-Kënetë të Durrësit


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë