Futboll

Herri Kejn është zyrtarisht 9-a e re e Bajernit, anglezi firmos deri në 2027-ën

Gazeta Si - Herri Kejn është lojtari më i ri i Bajernit të Mynihut. Pas javësh pritje, klubi bavarez më në fund ka bërë goditjen vendimtare për të sistemuar repartin e sulmit. Bavarezët ishin në kërkim të një bomberi profilik për t’i dhënë trajnerit Tuhel një skuadër të kompletuar.

Akordi me Totenhemin, ku Kejn është rritur, duke shkuar në kuotën e 280 golave në 435 ndehsje të të gjitha kompeticioneve, parashikon që në arkat e anglezëve të shkojnë më shumë se 100 milionë euro. Sulmuesi ka firmosur një kontratë, që e lidh me Bajernin deri në 2027-ën.

Me një video të postuar në rrjetet sociale, kapiteni i Anglisë ka përshëndetur tifozët e Totenhemit: "Vështirë ta them me fjalë se si mund të përshëndes një klub dhe tifozët e tij që kanë bërë kaq shumë për mua në karrierë. Do të jeni gjithmonë në zemrën time. Faleminderit Totenhem, faleminderit tifozë!"

Blerjen e Kejn e ka përshëndetur presidenti i Bajernit, Herbert Heiner, i cili është shprehur: "Mirëse erdhe në Mynih, Herri! Jemi shumë të lumtur për ardhjen e një lojtari me kualitet të lartë. U desh punë për këtë çështje dhe komplimentet e mia shkojnë për të gjithë ata që u përfshinë në tratativa. Herri Kejn jo vetëm do të forcojë Bajernin e Mynihut, por do të jetë një e mirë për gjithë Bundesligën".

Sulmuesi foli shkurt, në pritje të konferencës së shtypit për prezantimin: "Jam shumë i kqnaqur që jam pjesë e Bajernit, një nga klubet më të rëndësishëm në botë dhe me një mentalitet fitues". Kejn do të mbajë fanellën me numër 9, që më parë ka qenë e Robert Levandovskit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë