Politike

Heq Bardhin si kryetar grupi, Basha ia delegon Açkës, Çollaku në vend të Salianjit. Ironizon Gjekmarkaj: Me 7 deputetë s’i bën dot 49

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, njoftoi indirekt se njeh zyrtarisht Lulzim Bashën si kryetar të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, duke çuar në përplasje mes saj dhe deputetit demokrat, Gazment Bardhi.

Sipas Bardhit grupi i PD nuk ka bërë asnjë ndryshim të grupit parlamentar, ndërkohë që zyrtarisht me firmën e Bashës, kryetare e grupit është deleguar Flutura Açka.

“Ju doni të na diktoni ne 50 deputetëve të opozitës, pasi keni zgjedhur Çuçin tuaj që ne e njohim dhe e respektojmë. Doni t’i thoni 50 deputetëve të opozitës që nuk do e zgjidhni ju kryetarin tuaj prandaj do jua zgjedhim ne. Prandaj thërrasim në konsultim, kryetarin e grupit të PS-së, e ke thirrur, nënkryetaren e parlamentit. Ermonela Felaj më do mua? Normal që nuk më do” tha Gazment Bardhi.

"Kam kërkuar konsulencë juridike nga shërbimi i legjislacionit dhe nga këshilltarët juridikë. Nëse do të jetë e nevojshme do t’i drejtohem Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet” tha Lindita Nikolla.

Gjatë debatit ka ndërhyrë edhe Agron Gjekmarkaj, sipas të cilit Basha ka vetëm 7 deputetë.

“Ne për fat të keq kemi pasur shumë probleme me matematikën 7×7 bëjnë 42 dhe nuk na kanë dale mirë për 10 vite. Në fakt matematicieni në fjalë ka vetëm 7 numra dhe nuk ka me çfarë e shumëzon për tu bërë 49. 49 janë në krahun tjetër. Çdo përsiatje është e kotë dhe e tepërt kur numrat janë të qartë dhe shihen me sy nga atje lart dhe është e kotë të vazhdohet ky debat”, tha Gjekmarkaj.

Sipas shkresës së bërë publike, deputetja Flutura Açka do të jetë kryetare e grupit parlamentar të PD-së, më saktë e deleguar nga Basha.

Ky i fundit si kryetar i PD, në cilësinë edhe të kreut të grupit parlamentar me statutin e ri, ia ka deleguar këtë detyrë Açkës, e cila është dhe nënkryetare.

Nënkryetar i grupit do të jetë Kreshnik Çollaku që zëvendëson Ervin Salianjin.  Arbi Agalliu dhe Oriola Pampuri do të kenë të njëjtin pozicion si më parë sekretar dhe zëdhënëse.

PËRBËRJA E RE E GRUPIT

-Lulzim Basha – Kryetar

-Flutura Açka – Nënkryetare, e autorizuar për përfaqësimin e Grupit Parlamentar në mungesë të Kryetarit të Grupit.

-Kreshnik Çollaku – Nënkryetar

-Arbi Agalliu – Sekretar

-Oriola Pampuri – Zëdhënëse

PËRBËRJA MË HERËT E GRUPIT

Enkelejd Alibeaj kryetar grupi dhe më pas Gazment Bardhi

Nënkryetar Ervin Salianji

Arbi Agalliu – Sekretar

Oriola Pampuri – Zëdhënëse


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë