Dosje

Henrik Hoxhaj kërkon sërish statusin e të penduarit dhe zbulon porositësin e vrasjes së Lulzim Mashës

Gazeta Si - Një nga ish-të penduarit e dosjes "Plumbi i Artë”, Henrik Hoxhaj, rikërkon statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Kjo, për shkak se gjykata ia hoqi këtë status me  arsyen se ai nuk ka treguar për disa ngjarje për të cilën dyshohet si autor apo bashkëpunëtor.

Disa muaj pasi SPAK vendosi të ndërpresë marrëveshjen e bashkëpunimit, Hoxhaj ka rrëfyer se atentati i dështuar ndaj biznesmenit Lulzim Masha (i cili shpëtoi pa marrë asnjë plumb) është porositur nga i shumëkërkuari i drejtësisë që dyshohet se fshihet në Dubai, Eldi Dizdari.

Ky i fundit, dyshohet si i përfshirë në masakrën e ish-Bllokut në 4 tetor 2018 dhe individ që njihet si një nga trafikantët e mëdhenj të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Europë.

Deklarata e Henrik Hoxhajt është bërë para Gjykatës së Posaçme, ku zhvillohej séanca paraprake ndaj të pandehurve të dosjes "Dumani".

Më herët ai kishte deklaruar se kishte pajtuar Skerdi Tasin për të vrarë biznesmenin. Sipas Henrik Hoxhajt, Nuredin Dumani i kishte thënë se duhej të vritej djali i Lulëzim Mashës, pasi mashtronte njerëzit dhe u merrte para.

Duke qenë se djali fshihej në Maqedoninë e Veriut “porositësit” kanë tentuar të vrasin babanë e tij, ndërsa për atentatin ishin ofruar 100 mijë euro.

Këto deklarata të Henrik Hoxhajt, vijnë vetëm 5 muaj pasi Prokuroria e Posaçme vendosi t’i revokojë statusin e bashkëpunëtorit të prokurorisë, duke e nxjerrë me status të njëjtë me të pandehurit e tjerë.

Kjo deklaratë e Hoxhajt, shihet me rezerva nga gjykata, pasi më parë kishte thënë se nuk kishte dijeni se cili e kishte porositur te Dumani këtë krim.

Ky i fundit ka deklaruar se në këtë ngjarje ka qenë i përfshirë, Aleksandër Baho, i njohur me emrin ‘Sakati’. Dumani rrëfeu se, pasi Suel Çela i dha numrin e personit që e donte të eliminuar, Baho shkoi në Gjilan të Kosovës, ku siguroi armët, motorin dhe paratë për të kryer ekzekutimin e Lulzim Mashës.

Gjatë fjalës së tij, Henrik Hoxhaj, iu drejtua gjykatës me një kërkesë për t’i rikthyer statusin e bashkëpunëtorit të prokurorisë.

Heqja e statusit ndaj Hoxhaj u realizua në mujain korrik 2023, pasi sipas prokurorëve ai nuk ka pranuar të vijojë bashkëpunimin për të treguar personat e tjerë të përfshirë në atentatin ndaj Filip Gjeloshit, Agim Boriçit në Fier dhe vrasjen e Elvis Dedajt në Durrës.

Me heqjen e statusit, Hoxhaj nuk përfiton nga ulja e dënimit që pritet të marrë për dosjen “Plumbi i Artë”.

Ai ka qenë bashkëpunëtori i Nuredin Dumanit dhe grupit të tij në disa vrasje, tentativa, si dhe vepra të tjera penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë