Lajme

Helmimi në Kukës, kryebashkiaku publikon analizat: S’ka përmbajtje baktereologjike

Gazeta Si - Përgjigjet e analizave nga mostrat e marra nga ISHP, kanë treguar se nuk ka mbetje baktereologjike, pasi një numër i madh qytetarësh u paraqitën me diarre e të vjella në spitalin e Kukësit.

Të dhënat e analizave të Institutit të Shëndetit Publik, tregojnë se uji është i pastër dhe qytetarët nuk janë helmuar nga uji i pijshëm.

Pas rezultatit të analizave, ka reaguar edhe kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, i cili thotë se analizat treguan se qytetarët nuk u helmuan nga uji që rrjedh nga tubi kryesor.

Gjici, në deklaratë për mediat, tha se në një lagje uji i pijshëm është përzier me atë vaditës, por që gjithsesi ai të konsumohet, pasi analizat e kanë nxjerrë të pastër.

“Është një rast i izoluar në lagjen ‘Muja’ të fshatit Shtiqen, është përzier uji i pijshëm me atë vaditës, por nuk ka lidhje me tubin kryesor apo depon. Ka ndërhyrë një banor dhe po merret policia. Ja analizat, uji është i pastër dhe u bëj thirrje kuksianëve ta konsumojnë”, - ishte deklarata e Gjicit.

Të dielën, rreth 200 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital dhe prokuroria me policinë po kryejnë hetimet për të zbuluar shkakun e vërtetë të këtij helmimi masiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë