Politike

“Helmatisja e debatit po ndikon në bisedimet Shqipëri-Greqi”

Tirana vlerëson qëndrimin e Athinës zyrtare në lidhje me incidentin e ndodhur më 28 tetor në fshatin Bularat, ndërsa sulmeve të vazhdueshme të ekstremistëve grekë dhe të atyre që janë mosbesues ndaj variantit të autoriteteve shqiptare për rrjedhën e ngjarjeve që përfunduan me vdekjen e 35-vjeçarit Konstantinos Kacifa po u përgjigjet në dy rrugë.

“Ka dy pista ku po operojmë. E para është pista diplomatike dhe e dyta është pista ligjore”, deklaroi ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në një intervistë dhënë për Real Story në Vizion Plus.

Kryediplomati shqiptar tha se lista me personat e shpallur "non grata" nga Shqipëria nuk është mbyllur ende, ndërsa qortoi qëndrimin e palës greke, që ende nuk ka dënuar të shtënat me armë në drejtim të policisë.

“Do te mireprisnim një qëndrim akoma më të qartë dhe distancim nga thirrjet irredentiste. Është zhgënjyese heshtja e Athinës dhe opinionit publik për aktin e gjuajtjes ndaj policisë”, vijoi ai.

A janë institucionet shqiptare në të njëjtën linjë qëndrimi për rastin në fjalë, sidomos institucioni i Presidencës, me të cilin Qeveria po përplaset këto ditë për dekretin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm?

“Presidenti besoj është në të njëjtën linjë me qeverinë, aq më tepër, sepse është promovues i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Deklaratat e qeverisë kanë qenë paqtuese”, u përgjigj Bushati.

Ministri i Jashtëm shqiptar kërkon që ngjarja të zhvishet nga kostumi politik nga pala greke dhe të trajtohet për atë që ishte në të vërtetë, një akt i pashoq sulmi ndaj rendit kushtetues të Shqipërisë. Gjatë varrimit të Kacifasit, ku u dëgjuan thirrje raciste e shoviniste ndaj shqiptarëve morën pjesë dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Ata ishin Vangjel Dule i PBDNJ-së dhe Vangjel Tavo i dalë nga LSI.

“Dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë ende nuk janë distancuar nga shfaqjet shoviniste që ne kemi ndjekur”, u shpreh Bushati.

Mes personave të shpallur non grata ishte edhe deputetja ekstremiste qipriote, Eleni Theocharous. Kjo e fundit kërkoi që ta hedhë për diskutim në Parlamentin Europian çështjen e minoritetit grek në Shqipëri, por kërkesa e saj u refuzua.

Incidenti ndodhi në një periudhë delikate të bisedimeve mes dy vendeve për çështjen e kufirit detar dhe problematika të bartura ndër vite mes dy vendeve. Bushati shprehet optimist se ngjarja nuk do të cenojë bisedimet, megjithëse pranon se në tryezë janë dosje të komplikuara dhe debati i ndezur nuk ndihmon.

“Një klimë agresive, apo helmatisje e debatit ndikon edhe bisedimet mes Shqipërisë dhe Greqisë”, u shpreh ai.

Sa i takon marrëveshjes së detit, Bushati ripohoi se pala shqiptare nuk ka diskutuar mbi ketë temë me asnjë zyrtar turk dhe as me Presidentin Erdogan. Sipas tij, Turqia ka një problematikë të një natyre tjetër në Egje me Greqinë dhe marrëveshja e mundshme Tiranë-Athinë për ndarjen e Jonit nuk ndikon.

Si në Greqi, ashtu edhe në Shqipëri kjo marrëveshje kundërshtohet nga opozitat përkatëse. Bushati nuk foli për opozitën greke, por për kundërshtimet e asaj shqiptare i tha dy fjalë. Ai i kujtoi ish-Kryeministri Sali Berisha marrëveshjen e 2009 të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe i cilësoi të rreme deklaratat e tij se Shqipëria humbet mijëra kilometra ujëra territoriale me variantin që po diskutohet tani. Bushati thotë se ka një draft-marrëveshje për të cilën u kërkua autorizimi nga Presidenti i Republikës, por shtoi se ende nuk ka një ujdi finale.

Që pas vizitës së ministrit të Jashtëm turk në Tiranë duket se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë nuk janë më si më parë. Ministri Bushati këmbëngul se raportet janë të mira dhe miqësore, ndërsa kërkesës së palës turke për ekstradimin e listës me gylenistë, që thotë se ja ka dorëzuar Tiranës kujton se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe nënshkruese e disa konventave ndërkombëtare në këtë fushë.

“Është e vërtetë që pala turke ka shprehur shqetësim edhe publikisht dhe shteti shqiptar është përgjigjur në përputhje me angazhimin bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Shqipëria është vend anëtar i NATO dhe vend kanididat për BE dhe ndaj do të sillet në këtë mënyrë”, u shpreh ai.

Bushati mohoi se ka dy qëndrime brenda qeverisë për idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Një qëndrim është ai i bërë publik nga Kryeministri Edi Rama, që nuk e përjashton si mundësi, ndërsa nga Ministria e Jashtme ka një ngurrim për ta mbështetur hapur këtë ide.

“Është e pamundur që ministri i Jashtëm të jetë në një linjë të ndryshme nga qeveria, sepse qeveria është përgjegjesë për formulimin e politikës së jashtme”, tha ai.

Bushati mendon se qëndrimi i Kryeministrit Edi Rama është i njëjti qëndrim i shfaqur nga aktorët ndërkombëtarë dhe partnerët e aleatët strategjikë të Kosovës dhe Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë