Analize

Hashim Thaçi “merr bekimin” e Presidentit Trump!

“Kosova është një vend i mrekullueshëm, me një popull të jashtëzakonshëm.” Këto janë fjalët me të cilat Presidenti amerikan, Donald Trump, i është drejtuar presidentit Hashim Thaçi, në takimit e tyre të dytë, që pas ardhjes në pushtet. Por ndryshe nga takimi i vitit të kaluar, Trump dhe Thaçi u takuan disa ditë më parë në një moment vendimtar për të ardhmen e Kosovës. A do të shkojë deri në fund teza për shkëmbimin territorial mes Kosovës dhe Serbisë dhe pse SHBA është e vendosur për t’i dhënë fund ketij ngërçi?

Duke qenë se shteti më i fuqishëm i Europës, Gjermania, vazhdon të jetë skeptike për ndryshimin  e kufijve të Kosovës, beteja mes Beogradit dhe Prishtinës është zhvendosur tanimë në Nju Jork, ku të dyja palët kanë zhvilluar takime të rëndësishëm gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u takua me Donald Trump, pak pasi ky i fundit kaloi disa momente tejet të sikletshme në OKB, ku u përqesh nga shumica e liderve perëndimorë.  Në një prononcim për mediat në Prishtinë, Thaçi ka konfirmuar frikën më të madhe të kritikëve të tij, duke deklaruar se Trump mbështeste ndryshimin e kufijve si marrëveshjen përfundimtare që mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Hashim Thaçi dhe Ivanka Trump
 

 “Trump më tha se e njeh nga afër problematikën e Kosovës. Ai konfirmoi qartë se e mbështet arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, ku mund të përfshihet demarkacioni dhe korrigjimi i lehtë i kufirit, i cili do t’i jepte fund urrejtjes shumë shekullore mes Kosovës dhe Serbisë” deklaroi Thaçi.

Përveç takimit më Presidentin Trump, kreu i shtetit të Kosovës ka takuar po ashtu edhe Sekretarin Mike Pompeo dhe Ambasadoren e SHBA-së në OKB, Niky Haleey. Sipas Thaçit në të gjitha takimet e tij me zyrtarët e lartë amerikane mbizotëronte një ndiejnë e fuqishme mbështetjeje për Kosovën. Sipas Thaçit, Pompeo u shpreh qartë se administrata Trump mbështet Kosovën në rrugëtimin e saj në BE dhe NATO.

Presidenti deklaroi gjithashtu para mediave se administrata Trump e çmon shumë miqësinë e përjetshme të qytetarëve të Kosovës me Amerikën, duke treguar se në takimet që ka pasur i është dhënë mbështetje edhe për themelimin e forcave të armatosura të Kosovës, në koordinim të plotë me SHBA-në dhe NATO-n.

Takimi i Thaçit me krerët amerikane, erdhi pak pasi SHBA-ja u shpreh e hapur për të marrë në konsideratë mendimet dhe sugjerimet e të dyja palëve. Aaron Wess Mitchell, Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, i tha disa ditë më parë, Kryeministres së Serbisë Ana Brnabiç në Nju Jork, se Uashingtoni mbështet dialogun Beograd-Prishtinë dhe se do të marrë në konsideratë sugjerimet nga të dyja vendet. Ashtu si Trump dhe Thaçi, edhe ata u takuan pas sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Mitchell tha se priste që procesi i kërkimit të një kompromisi në çështjen e Kosovës do të përfundonte me anë të një zgjidhje të qëndrueshme politike.

Presidenti Hashim Thaçi dhe Jo Bieden

Ai tha se SHBA-ja dhe partnerët e saj të Bashkimit Europian, ishin gati të shqyrtonin të gjitha sugjerimet që vinin nga Beogradi dhe Prishtina. Mitchell dhe Brnabic gjithashtu biseduan për përparimin e mëtejshëm në dialogun dypalësh mes dy vendeve dhe bashkëpunimin e mëtejshëm në ekonomi, investime, mbrojtje dhe arsim. Brnabiç iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke thënë se Beogradi ishte i angazhuar për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke shtuar se do të tregohej e durueshme në dialogun me Prishtinën

Kosova si vendi më pro-amerikan në botë

Në kryeqytetin e Kosovës ndodhet një statuje e madhe bronzi e ish-presidentit amerikan Bill Klinton, e vendosur në një bulevard që mban gjithashtu emrin e tij. Nëse bën një shëtitje në Prishtinë, është e pamundur mos të vësh re se një nga çdo 10 adoleshentë vesh një bluzë ose xhinse me flamurin e SHBA-së, sepse Kosova është kombi më pro-amerikan në botë. Kosova qëndron në Ballkan në mes të katër fqinjëve më të mëdhenj, ende nuk ka një ushtri dhe prandaj është e pafuqishme pa garancitë ushtarake të Amerikës.

Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova ka fituar njohjen nga rreth 113 vende. Rusia dhe Kina, megjithatë, janë midis vendeve që kanë kundërshtuar, duke mbështetur pretendimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj territorit shqiptar. Por në një bisedë të shkurtër me Trump para inaugurimit të tij, ambasadorja e Kosovës në Uashington Vlora Çitaku i tha presidentit se Prishtina do të përfaqësonte “kombin më pro-amerikan në botë.


Prishtinë, statuja e madhe bronzi e ish-presidentit amerikan Bill Klinton, e vendosur në një bulevard që mban gjithashtu emrin e tij

Pas fitores së Trump, shumë njerëz kanë komentuar se ëndrra e Serbisë u bë realitet dhe se Presidenti i dyzetëepestë amerikan ishte në anën e tyre për t’ia rikthyer Kosovën sërish Serbisë. Në Kosovën e veriut, që banohet kryesisht nga serbë, fitorja e Trump u prit me festime dhe provokime të ashpra. Në Mitrovicë, qyteti verior i ndarë mes serbëve etnikë dhe shqiptarëve, rrugët u zbukuruan me pankartat e Trump, për të treguaar me krenari se “serbët qëndronin pranë tij gjatë gjithë kohës!” Por ngjarjet e fundit treguan se Trump  mund të jetë presidenti që do të shuajë ëndrrën e Serbisë për të “shtënë sërish në dorë” Kosovën.

SHBA ka investuar shumë në Ballkan që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Dhjetëra mijëra ushtarë dhe zyrtarë kanë shërbyer në Ballkan dhe Uashingtoni ka  shpenzuar miliarda dollarë ndihma, me shpresën e krijimit të një rajoni të sigurt dhe të begatë që një ditë do të jetë pjesë e komunitetit transatlantik. Nën këto kushte, SHBA-ja do të jetë, sipas ekspertëve, ajo që do të ketë fjalën e fundit për atë që do të ndodhë midis Kosovës dhe Serbisë.

Por a duhet të jetë SHBA-ja më e kujdesshme?

John Bolton, këshilltari i Presidentit Donald Trump ishte i pari që konfirmoi se SHBA-ja ishte pro një shkëmbimi të mundshëm territorial mes Serbisë dhe Kosovës, si pjesë e një normalizimi të procesit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.  Edhe pse ky propozim mund të jetë joshës për politikanët europianë dhe amerikanë, ekspertët kanë ngritur alarmin se asgjë në Ballkan nuk është aq e lehtë sa duket.

Deri tani, Gjermania dhe Britania, dy vendet evropiane që i kanë kushtuar shumë burime dhe vëmendje Ballkanit, kanë dalë kundër tezave për shkëmbime territoriale. Për shumicën e ekspertëve, politikanët amerikanë duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet e  ndryshimeve kufitare në Ballkan, bazuar në linjat etnike dhe fetare. Rajoni kaloi një valë ndryshimesh kufitare në vitet 1990, periudhë gjatë të cilës vdiqën më shumë se 100,000 persona.


Presidenti Hashim Thaçi, bashkëshortja e tij , Donald dhe Melania Trump 

Riorganizimi i kufijve të Kosovës dhe Serbisë do të nënkuptonte hapjen e rrugës për ndryshimet e kufijve në vende të tjera, si Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe madje edhe në Serbi, për shkak të rajoneve me shumicë myslimane, Sanxhakut dhe Vojvodinës.  Sanxhaku shtrihet në dy vende të pavarura, Serbi dhe Mal të Zi dhe kufizohet edhe me Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Shumica e Sanxhakut qëndron brenda Serbisë.

Riorganizimin i kufijve  bazuar në linjat etnike mund të përhapet lehtësisht edhe jashtë Ballkanit. Rusia tashmë e përdor këtë si një justifikim për veprimet e saj në Moldavi (për marrjen e Transnistrias), Gjeorgji (për Osetian Jugore dhe Abkhazinë) dhe Ukrainë (për Krimenë, Luganskin dhe Donjeckun) dhe mund ta bëjë edhe në vende të tjera si Estonia dhe Letonia ku jetojnë pakica të konsiderueshme ruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë