Trend

Harrojini influencerat. Po vijnë deinfluencerat!

“Deinfluencing” i nxit konsumatorët të mos blejnë produkte të caktuara, për të cilat deinfluencer thonë se janë të panevojshme, joefektive dhe nuk ia vlejnë paratë

Bëni mënjanë, influencer! Të gjithë ne i kemi parë ata njerëz të rinj e fotozhenikë që promovojnë modën, ushqime apo shërbime te ndjekësit e tyre në TikTok dhe Instagram.

Por tani ka lindur një lloj i ri, “deinfluencer”, të cilët thonë se materializmi dhe tendencat e mbivlerësuara nuk janë më në modë.

Ndërsa konsumatorët janë të vëmendshëm ndaj shpenzimeve në këto kohëra inflacioni, ky grup i ri në mediat sociale po i nxit njerëzit të vlerësojnë nëse vërtet kanë nevojë për një produkt të shtrenjtë.

Mesazhet e tyre janë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta: Këto artikuj janë të mbivlerësuar, nuk keni nevojë për to dhe ja sepse… Ndonjëherë ata këshillojnë opsione të tjera. Ata gjithashtu flasin për qëndrueshmërinë dhe koston e mbetjeve që lidhen me industri të veçanta, si bukuria dhe moda.

Popullariteti i deinfluencer-ave po rritet. Në TikTok, për shembull, në 12 muaj janë regjistruar 582 milionë nga 584 milionë shikime totale me hashtag-un #deinfluencing – deklaroi platforma në maj. Për t’u thelluar se çfarë është – dhe çfarë nuk është – deinfluencing – folëm me njerëz që e kuptojnë më së miri.

Çfarë është deinfluencing?

Deinfluencing (deinfluencimi) është një tendencë në zhvillim në rrjetet sociale, që i nxit konsumatorët të mos blejnë produkte të caktuara, për të cilat deinfluencer-at thonë se janë të panevojshme, joefektive dhe nuk ia vlejnë paratë, – thotë Kris Ruby, analist i mediave sociale dhe president i Ruby Media Group.

Kjo po ndodh në momentin kur mediat sociale janë bërë të rëndësishme për marketingun e produkteve dhe shërbimeve, mbi të gjitha për konsumatorët më të rinj.

Një studim i fundit tregoi se 87% e personave të anketuar ka ndjekur një markë, ka vizituar faqen në internet dhe ka bërë një blerje online, pasi ka parë një produkt të reklamuar në mediat sociale, duke i bërë platformat si Instagram e TikTok fitimprurëse për promovime.

Markat dhe kompanitë i paguajnë influencer-at për t’u reklamuar produkte, përvoja dhe shërbime ndjekësve. Me pak fjalë, të ndikosh do të thotë të përpiqesh të bindësh përdoruesit e mediave sociale që të blejnë produkte të caktuara. Deinfluencing është e kundërta e kësaj – por me disa paralajmërime.

A nuk është influencim, por me një tjetër emër?

Ruby e mendon kështu. “Në vend që të thonë blini këtë, ata thonë: mos e blini këtë. Të dyja janë forma ndikimi. Nuk është ndryshe nga të thënët: ‘Votoni për këtë kandidat’ dhe ‘Ja pse nuk duhet të votoni për këtë kandidat’”.

Megjithatë, sipas Ruby, deinfluencimi dhe reagimi kundër mbikonsumit pasqyrojnë një prirje në rritje drejt minimalizmit. Në vend që të blini një mal me produkte “must have” (duhet ta keni patjetër) të reklamuara nga një personazh i rrjeteve sociale, kjo tendencë i nxit konsumatorët të vlerësojnë një produkt para se të shpenzojnë paratë për të.

Mikayla Mains: "Më pëlqen që po bëjmë një hap prapa për të rimenduar se si i konsumojmë produktet."

Mikayla Mains, 28 vjeçe, është një krijuese përmbajtjesh nga St. Louis. Ajo thotë se është në harmoni me kulturën e deinfluencer. Mains thotë se tendenca është pëlqyeshme në një moment kur marketingu i mediave sociale mund të duket si një presion që këshillon se keni nevojë për produkte të kushtueshme për t’u ndier mirë me veten.

“Si dikush që ka luftuar gjithnjë në mbretërinë e influencer me filozofinë e ndikimit, më pëlqen të shoh se po shkojmë në një drejtim tjetër” – thotë ajo.

“Ndërsa nuk mendoj se ndikimi është i keq, më pëlqen që po bëjmë një hap prapa për të rimenduar se si konsumojmë jo vetëm produkte, por edhe përmbajtje”. “Edhe pse besoj se influencer nuk janë diçka negative, më pëlqen që po bëjmë një hap pas, duke rimenduar mënyrën se si përdorim jo vetëm produktet, por edhe përmbajtjet”.

Michelle Skidelsky, deinfluencer kanadeze, përdori një postim të fundit për t’u treguar 173 mijë ndjekësve në TikTok se nuk kanë nevojë për një gardërobë të re në fillim të çdo sezoni. “Së pari, veshjet e reja të modës janë të kushtueshme.

Nëse po mendoni të bëni një udhëtim apo të shkoni në një koncert, nuk keni nevojë për një gardërobë të re për asnjë nga dy gjërat. Kënaquni me atë që keni dhe jetoni sipas mundësive tuaja. Skidelsky i nxit njerëzit që të mos e teprojnë me aksesorët e verës, si syze dielli, çantat, rripat etj.

Michelle Skidelsky i dekurajon ndjekësit e saj të blejnë shumë artikuj që nuk u duhen.

Sa mund t’u besojmë deinfluencer?

Jo të gjithë janë të bindur me deinfluencimin. Aria Connor, 36 vjeçe, krijon përmbajtje lifestyle në rrjete sociale dhe thotë se disa deinfluencer nuk e bëjnë për arsyet e duhura. “Shumë njerëz që bëhen pjesë e trendit të deinfluencing janë më të interesuar që t’i bëjnë njerëzit të ndihen keq për shpenzimin e parave, në një mënyrë që nuk përputhet me vlerat ose buxhetin e deinfluencer” – thotë ajo.

Të tjerë thjesht përpiqen të bindin njerëzit të blejnë një produkt tjetër. Connor mendon se asnjë nga të dy nuk është i dobishëm për konsumatorët.

Aria Connor: "Mos e quani atë si deinfluencë. Thjesht quajeni atë një ndryshim mendimi."

“Ka kaq shumë deinfluencer që u thonë ndjekësve të tyre ‘Mos blini këtë. Blini këtë’. Dhe në këtë rast nuk duhet t’i quajmë deinfluencer. Cilësojini thjesht opinione të ndryshme se cilat janë produktet më të mira”.

Disa deinfluencer i këshillojnë ndjekësit të shmangin produkte specifike, ndërsa të tjerë flasin në mënyrë më të përgjithshme që të mos shpenzojnë para në produkte për të cilat nuk kanë me të vërtetë nevojë.

Ruby thotë se nuk është e qartë nëse disa deinfluencer paguhen nga marka konkurrente për të përçmuar produktet. Por ata që u thonë ndjekësve se çfarë të shmangin mund të kenë më shumë besueshmëri sesa njerëzit që ndajnë këshilla se çfarë të blejnë, thotë ajo.

Ruby thotë se deinfluencer-ët mund të ngjallim më shumë besim te ndjekësit, sepse këshillat e tyre tingëllojnë të ndershme. Mains e cila ka 13 mijë ndjekës në TikTok, thekson se deinfluencer-ët mund të sjellin ekuilibrin e nevojshëm te platformat sociale që nxisin konsumin e tepërt, të cilat janë fajësuar për rritjen e problemeve të shëndetit mendor tek adoleshentët.

Por këshillat te mediat sociale se çfarë të blini ose jo nuk duhet të jenë kaq shumë të rëndësishme. Në vend të kësaj, deinfluencer-ët duhet të nxisin njerëzit “të vënë në diskutim mënyrën se si konsumojmë, çfarë konsumojnë dhe përse e konsumojmë”. “Problemi me një lëvizje të re si kjo është se të gjithë duhet të krijojnë kuptimin e tyre pas saj” – shton ajo.

Disa thonë se deinfluencer ndihmojnë markat të bëhen më të përgjegjshme

Victoria Sola, influencer, e cila krijon përmbajtje për produkte bukurie, thotë se deinfluencimi nxit diskutime të sinqerta rreth produkteve dhe fuqizon konsumatorët e nënpërfaqësuar.

Ajo jep si shembull deinfluencer që kritikojnë markat, të cilat përjashtojnë produkte për njerëzit me ngjyrë. Këta deinfluencer ndihmojnë në provimin e transparencës dhe t’i bëjnë markat më të përgjegjshme, – thotë Sola, me 17 mijë ndjekës në TikTok, e cila ka kritikuar efektivitetin e disa kremrave kundër diellit për njerëzit me ngjyrë.

“Shumë njerëz e humbin besimin tek influencer që duan veç të paguhen dhe harrojnë që në anën tjetër është një person i cili do që t’i flasë në mënyrë të ndershme”, – thotë Sola.

Ruby, analist i mediave sociale, jep një tjetër perspektivë. Influencimi dhe deinfluencimi në platforma sociale nuk janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri.

“Që të deinfluencoheni, ju duhet që më parë të jeni të influencuar. Çelësi për konsumatorët është që të mos besojnë gjithçka që shohin në TikTok, YouTube apo Instagram. Në këtë mënyrë, nuk është e nevojshme të deinfluencoheni.

Burimi: CNN/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë