Futboll

Hapa konkretë për projektin e Mançester Sitit në Shqipëri, në vjeshtë krijohet akademia

Gazeta Si – Në prill të 2023-shit, përfaqësues të klubit të madh anglez të Mançester Sitit, kampion Europe, dhe minitsrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, firmosnin një marrëveshje bashkëpunimi. Një marrëveshje që parashikonte ndërtimin e një shkolle apo akademie të Sitit në vendin tonë, duke e bërë edhe Shqipërinë pjesë të rrjetit të tij global.

Tani vijnë edhe hapat e parë konkretë në lidhje me këtë projekt të madh. Klubi anglez ka njoftuar sot se në vjeshtë do të fillojë të marrë jetë ky projekt për shkollën e Mançester Sitit në vendin tonë. Lajmi është përshendetur sigurisht nga kryeministri Edi Rama, ashtu si në momentin kur u firmos marrëveshja.

Si pjesë e këtij projekti muaj më parë u tha se ishte edhe klubi i Dinamos, që tashmë ka marrë edhe emrin Dinamo City, por gjithçka mbetet për t’u parë në vazhdim, kur të zbulohen detaje të tjera.

“Brenda pranverës do të hapim kantierin në Durrës, ku do të kemi një nga kampuset më të bukur të konstelacionit të Mançester Sitit nëpër botë”, - shkruan kryeministri Rama. Sipas këtij njoftimi, deri në vjeshtë duhej të jenë ngritur strukturat e duhura për akademinë, ku klubi anglez do të afrojë gjithçka sipas programeve të veta.

Ideja është që në akademinë që do të krijohet nga marka e njohur e Mançester Sitit të bëhen pjesë talentet më të mëdha të futbollit jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë