Libra

Hap dyert Salloni i Librit në Torino, Shqipëria 5 ditë si vend mysafir

Nga Gazeta Si - Duke nisur nga sot (18 maj) Shqipëria do të jetë vend mysafir në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino.

Për 5 ditë radhazi në Italinë fqinje, Shqipëria do të jetë mes 44 shtetesh e 200 profesionistëve të enteve botuese.

Këtë vit, koncepti i sallonit tonë frymëzohet nga Kadare me “Kronikë në gur”.

Stenda shqiptare është realizuar si një shpellë me gurë të mëdhenj, mbi njërin prej të cilëve gjendet mbishkrimi “Chronicle in Stone”, e cila i referohet romanit të shkrimtarit Ismail Kadare, “Kronikë në gur”.

Salloni ynë është projektuar nga arkitektja Matilda Pando dhe artisti Ergys Krisiko dhe është konceptuar si një vepër arti ku vizitorët bëhen pjesë e historikut letrar të vendit tonë nga Buzuku e Bogdani, te autorët e Rilindjes Kombëtare, ata të shek. XX e deri në brezat më të rinj të shkrimtarëve.

Emra të njohur të autorëve të Shqipërisë e diasporës janë të ftuar në këtë ngjarje me peshë të librit.

Salloni i Shqipërisë hap dyert sot në orën 15:30 me artistin Ermal Meta si autor i “Nesër e përgjithmonë”, roman i ardhur edhe në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj”.

Në stendën shqiptare është i ekspozuar edhe ekzemplari i parë i veprës së plotë të shkrimtarit Ismail Kadare nga Botimet Onufri.

Janë shtatë dekada krijimtari të shkrimtarit të paraqitura në shtatë vëllime, të cilat botuesi Bujar Hudhri i ka quajtur realizim i një ëndrre tridhjetëvjeçare.

Vepra e plotë e Kadaresë prej shtatë vëllimesh

Në Sala “Albania” do të ketë rreth 40 aktivitete, prezantime e tryeza me emrat më në zë të letrave shqipe: Lea Ypi, Ornela Vorpsi, Bashkim Shehu, Lucia Nadin, Matteo Mandala, Enkel Demi, Ardian Ndreca, Fatos Kongoli, Ylljet Aliçka, Stefan Çapaliku, Durim Taçi, Rita Petro, Anilda Ibrahimi, Liridon Mulaj, Tobias Xhaxhiu, Andreas Dushi e shumë të tjerë.

Në këtë edicion të 35-të, panairi do të vijojë përgjatë 5 ditëve nga 18 deri më 22 maj me mbi 1400 ngjarje, takime, debate dhe këndvështrime të reja mbi botën.

Tema e përzgjedhur për vitin 2023 është “Përmes pasqyrave”, një homazh për universin e mrekullueshëm të Lewis Carroll që fton lexuesit të hidhen në dimensione të reja, gjithmonë të vëmendshëm ndaj të tashmes, por me kokën midis faqeve.

Shumë takime do të mbahen në Lingotto, ku do të mbërrijnë shumë emra të njohur të letërsisë: nga Fernando Aramburu te Javier Cercas, nga Andreë Sean Greer, fitues i çmimit Pulitzer 2018 te shkrimtarja franceze Victoria Mas, nga fituesi i çmimit Nobel nigeriani Wole Soyinka te Emmanuel Carrere.

Panairi i Librit të Torinos pret mbi një mijë botues çdo vit, nga grupe të mëdha te të pavarurit, në një itinerar ekspozite prej 110,000 metrash katrorë përgjatë katër pavijoneve, në mjedisin e Lingotto, Fiere.

Për botuesit, Salloni i Librit në Torino është rasti më i rëndësishëm për shitjen dhe prezantimin e librit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë