Art dhe Kulture

Hans-Joachim Lanksch – Lamtumirë gjermani i gegnishtes!

“Ujku dhe poçari” ishte proza popullore, me të cilën mësuesi i tij nisi t’ia mësojë shqipen. Asokohe Hans Joachim Lanksch ishte vetëm një student i filologjisë në universitetin “Ludëig Maximillian”, kurse profesori i tij, i cili drejtonte katedrën e Albanologjisë, ishte shkrimtari shqiptar Martin Camaj. Ajo që i tingëlloi në leksionet e para si gjuhë e pamësueshme, u bë një nga gjuhët e dashura të studiuesit dhe përkthyesit. Kështu, profesori i shqipes e bëri të dashurohej me gegnishten, ndërsa ai do t’ia kthente veprat në gjuhën gjermane

“Kur kisha kontakte të para me shqiptarët e Kosovës, nuk i merrja vesh fare dhe ata s‘më kuptonin mue, kështu që prof. Camaj nisi me lexue me mue proza popullore të mbledhuna prej Anton Çetës”, rrëfente dikur përkthyesi i shquar nga shqipja në gjermanisht, i cili u nda nga jeta më 20 maj, pas një lëngimi të gjatë nga sëmundja, në moshën 76 -vjeçare. E rrumbullakosi shqipen atëkohë, siç edhe rrëfente shumë vite më parë pas në tri variante; gegnisht, gjuhë standarde dhe arbërisht, me gramatikën shqipe të Martin Camajt.

Shumë kohë më vonë, shkrimtarin modern të letërsisë shqipe, por ende i panjohur plotësisht në vendin e tij prej nga u largua në vitet ’50. “Martin Camaj ende i pazbuluem”, e titulloi librin e tij me kujtime dhe intervista Lanksch, në rrekje për të zbuluar njeriun e letrave, mësuesi ne tij, i ndaluar gjatë diktaturës dhe i lënë në harresë pas ’90. “Libri nuk synon të jetë studimor, por është një libër i thjeshtë shkrimesh, kujtimesh dhe intervistash për t’ia afruar lexuesit figurën dhe poezinë e Martin Camajt”, shpjegonte ai.

Kur fliste e shkruante për Camajn, e quante ‘poetin nga bjeshkët e Temalit’ për të cilin bota ishte arsenal shenjash, kurse letërsia mjet për t’u dhënë shenjave tingull, përmes fjalës. “Me i lexue si pejsazh fjalësh tue u endë në kët pejsazh fjalësh dhe imazhesh në shtigje ‘të parrahuna me kambë ose patkoj’, tue ndigjue heshtjen, tue shtegtue majë me majë, tue shtegtue nëpër rrafshet, malësitë, honet, ngjyrat, hijet, tingujt e jehonat e fjalëve tue u zhytë ‘nën hijen e sendeve’”, kështu mund të lexohej Camaj, sipas Lanksch-it.

Por përtej Camajt, Hans-Joachim Lanksch do të përkthente nga shqipja drejt gjermanishtes shkrimtarë e poetë si Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Frederik Rreshpja, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti, Jamarbër Marko e shumë të tjerë. Shqipëria do ta nderonte me çmimin e ministrisë së Kulturës “Penda e Argjendtë”, për përkthimin nga shqipja në gjuhë të huaj.

"Kisha pritë Shkodrën e Koliqit e Camajt, kisha imazhin e nji qendre idilike kulture dhe hasa nji qytet të degraduem gjysmë-gërmadhë "- Hans-Joachim Lanksch

Një varg i parapëlqyer poezie për të ishte “Tërë kalendari i verës vetëm me një të shtunë/ Dhe tërë e shtuna vetëm me një puthje!” nga Frederik Rreshpja, prej të cilit e tërhiqte modestia “të qenit i mirë si bukë, indiferenca e tij ndaj famës, ndaj gurgulesë dhe xhelozisë së skenës letrare”. Në rastin e Rreshpes dhe Jamarbër Markos, mendonte se biografia e ndershme dhe autentike si e tyrja, nëse nuk e bënte poetin, e fisnikëronte atë. Dy poetët, së bashku me mësuesin dhe mikun e tij, Camajn, sipas përkthyesit nuk kishin bërë kompromis me regjimin dhe doktrinën e tij letrare.

"Dhe atëherë edhe nji vit më vonë, kur kaloja disa ditë në Tiranë, më zhgënjyen pasojat dhe gjurmët e regjimeve të këqija politike, ama jo njerëzit” -
Hans-Joachim Lanksch

"Martin Camaj ka kenë njeri jashtëzakonisht i butë dhe i mirë. E ndihmonte çdokënd dhe pa marrë para sysh nëse ishte profesor a punëtor krahu. Ishte ndihmëtar deri në vetëmohim. Si shkrimtar, asht klasiku i poezisë moderne në shqipet. Po të mos shtihej në harresë, por po të botohej e përkthehej sa e meriton, ai kish me kenë ambasadori mâ i mirë i poezisë shqipe në botën e jashtme”, do të shprehej dikur gjermani, i cili fliste e shkruante gjithnjë në gegnisht. Privilegjin e të folmes në gegnisht, thoshte se veç Camajt e ndante me dy të tretat e atyre njerëzve të thjeshtë të viseve shqipfolëse që nuk flasin gjuhën e njësuar apo siç e kishte cilësuar mësuesi i tij, gjuhën e “të-të-të” -ve.

Gjermani i lindur më 1943-shin në Braunschwseig do të mësonte italishten e vjetër vetëm për të lexuar Danten e më pas do të shpërngulej në Munih, ku studioi studioi në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji. E ndërsa kulturën dhe gjuhën shqipe e njohu përmes Camajt, kontakti i parë që pati me botën shqiptare ishte tronditës, do të kujtonte vite më vonë Lanksch. E kishte pasur një shije, thuajse si prej një bote magjike nga takimi me shqiptarë të Kosovës, kur si student i sllavistikës vizitoi Serbinë dhe bëri një ekskursion të shkurtër në Kosovë, ku siç e kujtonte ai përfundoi në një festë të madhe me muzikë për kremtim syneti. Atëkohë nuk fliste shqip, porse e krijoi imazhin e tij për shqiptarët.

Privilegjin e të folmes në gegnisht, thoshte se veç Camajt e ndante me dy të tretat e atyre njerëzve të thjeshtë të viseve shqipfolëse që nuk flasin gjuhën e njësuar apo siç e kishte cilësuar mësuesi i tij, gjuhën e “të-të-të” -ve

Shqipërinë do ta vizitonte vonë, më 2001-shin në një takim të shkrimtarëve shqiptarë me përkthyes të huaj, në fshatin e Paqes, në Shkodër. “Udhëtimi në rrugën Tiranë - Shkodër domethënë pamjet e shumta të vorfnisë qenë nji shok i vërtetë. Njohja me Shkodrën qe nji shok po aq i thellë. Kisha pritë Shkodrën e Koliqit e Camajt, kisha imazhin e nji qendre idilike kulture dhe hasa nji qytet të degraduem gjysmë-gërmadhë (me nji xhami të bardhë monumentale në mes që i vjen era e parave arabe). Edhe atëherë edhe nji vit më vonë, kur kaloja disa ditë në Tiranë, më zhgënjyen pasojat dhe gjurmët e regjimeve të këqija politike, ama jo njerëzit”, rrëfente përkthyesi dhe gjuhëtari, ndërsa shtonte se dinte ta dallonte mirë Shqipërinë politike, nga shqiptarët mikpritës.

Autograf i Martin Camajt për Hans-Joachim Lanksch

“Ka shumë popuj që krenohen për mikpritje - shqiptarët kanë pse janë krenarë për mikpritjen e tyne.”Ndër librat shumë të dashur, që i kishte humbur, me jo pak keqardhje rendiste antologjinë poetike “O moj Shqypni dhe lirika të tjera”. Autografin që e ruante si më të çmuarin ishte padyshim ai i Martin Camajt.

Kur e pyesnin se ç’libra do të kish shpëtuar sikur të vinte dita, që e quante e “Kiametit” , thoshte se do të shpëtonte Komedinë Hyjnore, një antologji të poezisë italiane dhe dy libra biblikë “Kanga e Kangëve” dhe “Psalmet”, të cilat me siguri i pat lexuar edhe në hebraisht, pasi studioi hebraishte biblike.

E gjithë bota, një skenë përsëriste shpesh maksimën e Shekspirit, në gojën e Zhakut melankolik, në komedinë “Siç ju pëlqen”, Hans-Joachim Lanksch. E ndërsa dramaturgu i madh i quan burrat e gratë thjeshtë aktorë të saj dhe përshkruan rolet që burri luan në shtatë fazat e saj, duke iu kthyer në fund fëmijërisë së dytë, përkthyesi u thoshte shpesh miqve se vdekja, në fakt i takonte jetës...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë