Nga Gazeta ‘Si’- Ish-Presidenti Bamir Topi, ishte dëshmitari radhës i SPAK në gjyqin ndaj të akuzuarve të dosjes “Partizani”.
Topi u shpreh se me Malltezin ka një njohje në distancë, dhe nuk është ulur kurrë për kafe.
“Malltezin e njoh si dhëndrin e dr. Berishës me të cilin kam bashkëpunuar një kohë të gjatë. Kurrë nuk jemi ulur për një kafe, njohje ne distancë. Me Xhimo Begenë e njoh si një pjesëtar të një familjeje të njohur. Kemi jetuar afër tek lagjja e vjetër, por nuk jemi ulur ndonjëherë bashkë.
Bektashin e njoh si personazh dikur të përfshirë në politikë. Mbaj mend që ka qenë zv.ministër dikur. Kam përshtypjen në qeverinë Meksi. President kam qenë 24 korrik 2007- 24 korrik 2012”, u shpreh ish-Presidenti.
Gjatë dëshmisë, Topi foli edhe për një takim që kishte zhvilluar në vitin 2009 me ish-komandantin e Komandës Mbështetëse, gjeneral Vladimir Qirjazi, i cili i kishte paraqitur shqetësime lidhur me çështjen e kompleksit “Partizani”.
Dëshmia e Bamir Topit
Prokurorja Enkeleda Millonai: A i njihni të pandehurit Fatmir Bektashin, Andia Pustinën, Xhiki Begejan dhe Jamarbër Malltezin?
Bamir Topi: Malltezin e njoh si dhëndrin e Berishës. Nuk kemi pirë asnjë kafe, e njoh vetëm nga distanca. Me zotin Begeja kemi jetuar në lagjen e vjetër, në një distancë rreth 400 metra. Nuk jemi ulur ndonjëherë apo të kemi konsumuar bisedë. E njoh si pjesëtar të një familjeje të njohur. Bektashin e njoh sepse ka qenë zëvendësministër në një ministri, por nuk kam pasur asnjë kontakt me të. Me Andia Pustinën nuk kam asnjë njohje. Për Bektashin kam përshtypjen se ka qenë zëvendësministër në qeverinë Meksi, por nuk më kujtohet saktësisht. Kam qenë President i Republikës në vitet 2007-2012.
Millonai: Për planin e përhapjes, cilat ishin strukturat që bënin propozimin përpara se ju ta miratonit?
Topi: Presidenti ishte edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Plani i përhapjes ishte një veprim politik që vinte nga Ministria e Mbrojtjes dhe një plan teknik që vinte nga Shtabi i Përgjithshëm. Në atë kohë punohej intensivisht për anëtarësimin në NATO. I gjithë procesi asistohej nga ekspertë shumë të njohur të NATO-s. Tek unë vinte vetëm për t’u mbyllur juridikisht.
Millonai: Sa herë keni pasur veprime për planin e përhapjes, për miratime apo ndryshime?
Topi: Presidenti kishte edhe kompetencë, por edhe detyrim t’i nënshkruante.
Millonai: Keni pasur dijeni për ndonjë problem me “Partizanin”?
Topi: Tek Presidenti vinte vetëm për miratim. Kur plani i përhapjes dilte nga Shtabi i Përgjithshëm, nuk ishte më përgjegjësi e Presidentit. Në vitin 2009 ka ardhur një herë gjeneral Vladimir Qirjazi. Ai ekspozoi shqetësimin. I kam thënë shefit të kabinetit ta asistonte me grupin e këshilltarëve. Unë njoftohesha për rezultatet. Kam marrë informacion nga shefi i kabinetit se ishin konsultuar dhe kishin ndarë mendimet, por kishin konstatuar se nuk ishte kompetencë e Presidentit, pasi prona kishte dalë nga plani i përhapjes që në vitin 2007. Është dhënë asistenca normale që mund të jepte një kryetar shteti, por ishte një problem që nuk kishte të bënte me Presidencën.
Millonai: Keni qenë në dijeni në lidhje me procedurën e privatizimit?
Topi: E kam dëgjuar, por ishte jashtë kompetencës së Presidencës.
Millonai: Shkresërisht jeni njoftuar nga Vladimir Qirjazi lidhur me ndonjë problematikë?
Topi: Unë këtë mbaj mend, që i organizuam edhe konsultën për të parë se çfarë problemesh kishte.
Millonai: Ju keni shkarkuar Vladimir Qirjazin nga detyra e komandantit të Komandës Mbështetëse, duke e emëruar më vonë si zëvendëskomandant. Kush i bënte propozimet?
Topi: Nuk më kujtohet mirë, por ndoshta Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Jamarbër Malltezi: Keni qenë në dijeni se prona kishte dalë nga plani i përhapjes në vitin 2004?
Topi: Jo, nuk e di.
Malltezi: Nga doli që kishte dalë në korrik 2007? Jua tha Qirjazi?
Topi: Nuk e di. Presidenti nuk futet të analizojë si është përgatitur shkresa. Aty ku përgatitet plani i përhapjes është Shtabi i Përgjithshëm. Presidenti nuk ka nga ta dijë.
Malltezi: Për këtë datë të vitit 2007, që ka dalë nga plani i përhapjes, nga e mësuat?
Topi: Ka qenë një prezantim i bërë te Presidenti, ku kanë qenë edhe ekspertë të NATO-s. Presidenti mund të bëjë ndonjë pyetje.
Malltezi: Nuk ka qenë në planin e përhapjes as në vitin 2004. Ju paraqes një shkresë të Shtabit të Përgjithshëm që tregon se nuk ka qenë në planin e përhapjes as në vitin 2006. Kush jua tha se kishte dalë nga plani i përhapjes në vitin 2007?
Topi: Presidenti nuk komunikon me “të thashë e më the”. Gjuha është institucionale.
Malltezi: Nuk ka asnjë shkresë që ta ketë pasur në planin e përhapjes dhe ju thatë se ka dalë në vitin 2007. Nga e mësuat?
Topi: Vjen nga Shtabi i Përgjithshëm dhe shqyrtohet nga këshilltarët e ekspertët e NATO-s.
Ndërkohë që për Mediun është ende e paqartë se kur do të paraqitet. Për Isa Taren, i cili deri më tani nuk është paraqitur për të dhënë dëshmi pasi familjarët pretendojnë se vuan nga demenca, GJKKO vendosi të ripërsërisë thirrjen pasi SPAK pretendoi se “nuk ka një akt që vërteton se Isa Tares i është hequr e drejta e për të vepruar (dmth i paaftë për shkak te sëmundjes), por është thjesht i biri që e pretendon. Kështu që duhet përsëritur thirrja”.
Paro Laçi nga ana tjetër që ka bërë akuza të forta ndaj familjes Berisha emri i tij ka qenë në disa seanca në listë për t’u pyetur por nuk është paraqitur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje