Edhe ky sezon i Formula 1 po shkon drejt përsëritjes së atij të fundit me britanikun, Lewis Hamilton kampion për pilot dhe Mercedes fituese në klasifikimin për konstruktorë. Piloti britanik i ka dalë që të triumfojë edhe këtë fundjavë në pistën e vështirë të Singaporit, duke lënë pas rivalin kryesor, Sebastian Vettel.
Në fakt çdo gjë u bë më e lehtë për Hamilton pasi siguroi që ditën e shtunë “Pole Postion” dhe në një pistë se ajo e “Marina Bay”, ku është shumë e vështirë të parakalosh, Hamilton kishte shumë pak gjasa që të mos fitonte të dielën. Për më tepër që rivali i tij do të nisej një linjë më mbrapa në vendin e tretë.
Një garë e zhvilluar në ndriçimin e prozhektorëve nuk është si të tjerat dhe për këtë gjë Singapori ka me se të krenohet. Por përtej këtij elementi, duke qenë se pista është e ngushtë, nuk kishte shumë parakalime, përveç një rrëmuje që u krijua an fillimin e saj, çka solli dhe daljen jashtë piste të disa makinave. Në fakt gara nisi me shkëndija të vërteta në duelin mes Max Verstapen dhe Sebastian Vettel, por ai që e pëson është Ocon, që u përplas me shokun e tij dhe u detyrua ta braktisë garën që në xhiron e parë. Në këtë rrëmujë Vettel ia del ta parakalojë pilotin e Red Bull, Max Verstapen edhe pse nuk do ia dilte që ta mbante epërsinë deri në fund. Në 20 xhirot e fundit 6 pilotët e kreut ripozicionohen në vendet e tyre fillestare, siç e nisën këtë garë, me Hamilton që prin dhe Vettel që mjaftohet me vendin e fundit në podium.
Më poshtë në 10 vendet e para u renditën, Valtteri Bottas i katërti, Kimi Raikonen i pesti, Daniel Ricciardo i gjashti, Fernando Alonso i shtati, Carlos Sainz i teti, Charles Leclerc i nënti dhe Nico Hulkenberg që u rendit i dhjeti.
Pas kësaj gare Hamilton thellon akoma dhe më tej diferencën e tij me kundërshtarët dhe tashmë udhëheq me 40 pikë diferencë karshi Vettel, ndërsa Raikonen plotëson podiumin në renditjen e përgjithshme. Edhe në renditjen e skuderive vijon dominimi i Mercedes, që kryeson me 37 pikë diferencë kundrejt Ferrari-t.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.