Bota

Gjermani, arrestohet babai i vajzës së mbajtur peng në aeroportin e Hamburgut

Gazeta Si - Policia lokale në Hamburg ka thënë se është liruar një vajzë e vogël, e cila është dyshuar të jetë marrë peng nga babai në aeroportin e Hamburgut.

Për 18 orë, aeroporti ka qëndruar i mbyllur. Burri e ka drejtuar makinën përtej kufizimit të sigurimit dhe ka hyrë në pistën e aeroportit në mbrëmjen e së shtunës, bashkë me të bijën katërvjeçare.

Ai më pas e ka parkuar makinën nën një aeroplan. Në fund, ai është dorëzuar para autoriteteve “pa rezistuar”, sipas policisë, e cila e ka arrestuar.

“Fëmija duket se nuk është lënduar”, ka thënë policia përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Incidenti ka rezultuar me shtyrje dhe anulim të dhjetëra fluturimeve. Sipas gazetës “Bild”, ai është një turk që jeton në Saksoninë e Ulët dhe makina u ndal në pistë, pranë një avioni pasagjerësh të linjës “Turkish Airlines”, i cili u evakuua.

Shkak dyshohet se është një mosmarrëveshje për kujdestarinë e fëmijës së çiftit. Një zëdhënës i aeroportit, tha për “Bild”: “Për shkak të një operacioni policor, operacionet e fluturimit në aeroportin e Hamburgut janë pezulluar që nga ora 20:24 dhe nuk do të rifillojnë sot. Janë prekur 27 lëvizje avionësh (6 nisje dhe 21 ulje) për një total prej rreth 3.200 pasagjerësh. Për momentin nuk është e mundur të parashikohet se kur do të mund të rifillojnë operacionet".

Sipas rikonstruksioneve fillestare, gruaja e burrit kishte kontaktuar me policinë e shtetit gjerman për një rrëmbim të mundshëm të një të mituri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë