Bota

Hamasi liroi 24 pengje, Izraeli: Presim që të lirohen më shumë

Nga Gazeta ‘Si’-Izraeli tha se pret që grupi militant palestinez Hamas të lirojë më shumë pengje sot(25 nëntor), një ditë pasi filloi një armëpushim katër-ditor në Rripin e Gazës.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se presin të marrin rreth 13 pengje në ditë derisa totali të arrijë "afërsisht 50". 

Lirimi i së shtunës pritet të bëhet rreth orës 16:00 sipas kohës lokale, ngjashëm me atë të së premtes, kur Hamasi liroi 24 pengje, duke përfshirë 10 tajlandez dhe një shtetas të Filipineve, raportoi kanali televiziv Al-Jaze.

Katari, i cili ndërmjetësoi marrëveshjen, shtoi se Izraeli kishte liruar 39 të burgosur palestinezë, të gjithë gra dhe fëmijë.

“Tani kemi përfunduar kthimin e të parëve tanë të rrëmbyer. Ne jemi të përkushtuar për kthimin e të gjithë të rrëmbyerve tanë. Ky është një nga qëllimet e luftës dhe ne jemi të përkushtuar për të arritur të gjitha qëllimet e luftës", tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Luftimet në Gaza dhe bombardimet izraelite ndaj territorit pushuan të premten në mëngjes, disa orë përpara se kamionët e Kryqit të Kuq të transportonin pengjet në Egjipt ndërsa binte nata.

Jashtë burgut Ofer në Bregun Perëndimor të pushtuar, qindra u mblodhën për të përshëndetur të burgosurit palestinezë të liruar, duke kënduar këngë patriotike dhe duke ndezur fishekzjarrë.

Presidenti i SHBA Joe Biden tha të premten se lirimi i pengjeve kishte përfshirë "diplomaci të gjerë amerikane", megjithëse asnjë nga amerikanët e mbajtur në Gaza nuk ishte në mesin e njerëzve të liruar të premten. Ai sugjeroi se diplomacia tani mund të kthehet në paqe më të qëndrueshme.

Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë