Treg

Halli i një taksisti që punon: Pronari i jep pagë lufte, por frika e mban të ruajë punën

Nga e hëna bizneset që ofrojnë shërbimin taksi kanë rinisur punën pas masave të para të lehtësimit të ndërmarra nga qeveria.

Me gjithë gulçin e padurimit për të rinisur punën, terreni e vërteton se asgjë nuk është më si më parë.

Kriza e shkaktuar nga pandemia ka detyruar shumë syresh në radhët e bizneseve të abuzojnë me punonjësit dhe këta të fundit me shtetin.

Agimi, një punonjës në shërbimin taksi në një nga kompanitë që operon në qytet rrëfen për Gazetën “Si” tre ditët e para të punës.

“Unë për vete nuk kam frikë. Nuk është frikë ajo që ndiej. Mund të them që është merak. Sepse kur mbaroj punën kthehem në familje dhe nuk dua të jem shkaktar i dëmtimit të shëndetit të familjes”, thotë Agimi.

Në tre ditët e para ai tregon se ka vërejtur një shpengim ndër klientët e tij të paktë të numër, të cilët kanë qenë mesatarisht 5 në ditë.

“Ka pasur nga ata që nuk kanë qenë as me maska e as me dorashka. Por unë kam respektuar me rigorozitet rregullat. Kompania na ka pajisur me masat mbrojtëse dhe dezinfektant. Kam marrë gjithmonë këto tre ditë një klient për çdo rrugë, i cili është ulur diagonal mbrapa. Por ka pasur edhe abuzime nga kolegët. Dje (të martën) një kolegu im në një nga rrugët kishte marrë dy pasagjerë mbrapa. U gjobit dhe e nxorën në komision për heqje patente dhe gjoba është nga 200-400 mijë lekë”, tregon taksist Agimi.

Por ajo që e shqetëson më shumë atë dhe kolegët e kompanisë ku punon, është paga.

Agimi thotë se pronari u ka thënë që nuk do t'u japë rrogën e tyre të zakonshme 45 mijë lekë në muaj plus bonuset, por do të duhet të mjaftohen me pagën e luftës që jep shteti prej 26 mijë lekësh në muaj.

“Për pagën çfarë të them, mund të kishim dalë edhe më keq. Kompania ime nuk ka shkurtuar asnjë punonjës nga puna, kurse kompanitë e tjera kanë larguar në masë punonjës. Nuk është se na vjen mirë që po na ikin gjithë ato lekë pa marrë. Ne me 5 mijë lekë në ditë xhiro justifikojmë rrogën në kohë normale. Çdo xhiro shtesë mbi 5 mijë lekëshin, shumëzohet me 20% dhe është bonusi ynë. Në këtë kohë “lufte” sigurisht që nuk po i gëzojmë këto, por të paktën po sigurojmë që jemi në punë”, shpjegon Agimi.

Megjithatë për të është e paqartë se deri kur do të vijojë paga e luftës, ndërsa qeveria ka urdhëruar rifillimin e punës së shërbimit taksi.

Agimi thotë se kolegët e tij janë të pakënaqur që po punojnë pa pagesë dhe flasin mes vedi, por nuk ndihen se kanë frikë mos humbin vendin e punës. Kurse vetë ai ka qasjen "KÇK" (kap çfarë të kapësh).

“Janë ditë të vështira ku klientë nuk ka sepse shumë aktivitete janë ende të bllokuar, paraja nuk qarkullon dhe nuk dimë se si do të shkojë. Shtoji kësaj edhe merakun e shëndetit”, shprehet Agimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë