Ngjarje

Hakerat iranianë rrëzojnë INSTAT: Kemi akses te Censi. Serveri 100 TB është fshirë

Nga Gazeta ‘Si’- Grupi i hakerave iranianë Homeland Justice i cili që prej ditës së djeshme(1 shkurt) ka sulmuar faqen zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT) në një mesazh në rrjetin social Telegram kanë lajmëruar se tashmë kanë akses në të gjithë të dhënat e censit.

Ndonëse INSTAT në një njoftim për media theksoi dje se të dhënat e censit nuk janë prekur pasi ndodheshin në një server tjetër, të dedikuar vetëm për këtë qëllim, hakerat shkruajnë se kanë akses të plotë në mbi 100 Terabajt të të dhënave të cilat janë kopjuar dhe gjithashtu edhe janë fshirë nga serverët.

Ata shprehen se këtë sulm e kanë ndërmarrë “për të kthyer drejtësinë në vendin e tyre”.

“INSTAT është fshehësi më i madh i së vërtetës. Tani kemi akses të plotë në mbi 100 Terabajt të të dhënave tuaja GIS dhe të censit. Të dhënat janë kopjuar gjithashtu dhe fshirë nga serverët. Do ta kthejmë drejtësinë në atdheun tonë. Të gjitha statistikat janë kundër jush”, shkruajnë ata në mesazh.

“Homeland Justice” kanë publikuar që prej ditës së djeshme emrat e punonjësve të INSTAT, e-mailet, numrat e tyre të telefonit dhe adresat e banimit.

Sakaq, aktualisht faqja e INSTAT vijon të jetë e paaksesueshme nga qytetarët në motorët e kërkimit në Google. “Pre” e sulmeve kibernetike më parë kanë rënë edhe faqja e Kuvendit të Shqipërisë, AKSHI-t dhe kompanisë celulare “OneAlbania”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë