Ngjarje

Hakerat iranianë i sulmojnë faqen zyrtare, reagon INSTAT: Të dhënat e censit s’u prekën, ndodhen në server tjetër

Nga Gazeta ‘Si’ - Faqja e Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT) ka rënë pre e grupit iranian të hakerave, Homeland Justice.

Në një njoftim të bërë në rrjetin social Telegram, ky grup ka njoftuar se ka mundur që të hakerojë faqen e webit të INSTAT.

“Homeland Justice” kanë publikuar emrat e punonjësve të INSTAT, e-mailet, numrat e tyre të telefonit dhe adresat e banimit.

Por në një reagim për mediat INSTAT theksoi se të dhënat e censit nuk janë prekur pasi ndodhen në një server tjetër.

"Është reaguar me shpejtësi për të minimizuar dëmet. Ndërprejmë lidhjen e internetit dhe aktivizuam protokollet e emergjencës. INSTAT po bashkëpunon me autoritetet për të identifikuar burimin e sulmit”, thuhet në njoftim.

“Numrat dhe shifrat, statistikat… Ata janë të gjithë kundër jush.  Ju jeni armiku juaj i vetëm. INJORANCA juaj është Torturuesi juaj”, shkruan Homeland Justice në Telegram.

Sakaq, aktualisht faqja është e paaksesueshme nga qytetarët në motorët e kërkimit në Google.

“Pre” e sulmeve kibernetike më parë kanë rënë edhe faqja e Kuvendit të Shqipërisë, AKSHI-t dhe kompanisë celulare “OneAlbania”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë