Ngjarje

Sulmi kibernetik nga iranianët, INSTAT: Shtyhen publikimet e të gjitha statistikave. CENS-i nuk është prekur

Nga Gazeta 'Si' - Instituti i Statistikave ka njoftuar se të gjitha publikimet e statistikave zyrtare të saj do të shtyhen për një moment të dytë, pas sulmit masive kibernetik.

INSTAT reagoi përsëri sot duke thënë se do të nxjerrë një kalendar të ri për publikimin e të dhënave, por pa dhënë asnjë datë.

Një ditë më parë INSTAT u hakerua nga grupi iranian “Homeland Justice” por tha se të dhënat nuk janë prekur, as ato të Censit. Sot vetë grupi i hakerave shkroi në grupin e tyre në Telegram se kanë aksesuar edhe ato të Censit dhe kanë fshirë 100 terrabyte material. INSTAT e mohon një ngjarje të tillë.

Reagimi i plotë i INSTAT:

Instituti i Statistikave (INSTAT) njofton publikun se për shkak të një sulmi kibernetik që preku disa nga sistemet e tij më 31 janar 2024 do të shtyjë publikimin e statistikave zyrtare deri në një njoftim të dytë. Sulmi kibernetik i cili synoi të dëmtojë të dhënat e INSTAT ka bërë që shërbimet e internetit të faqes zyrtare dhe emailit të jenë ndërprerë. INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi. Ekipi teknik i INSTAT menjëherë aktivizoi protokollet e emergjencës për të mbrojtur të dhënat dhe parandaluar dëmtime të mëtejshme.

INSTAT do të vazhdojë aktivitetin e tij statistikor dhe do të përdorë mjete alternative komunikimi si adresa e email-it [email protected] dhe kanalet zyrtare të rrjeteve sociale, Instagram dhe Facebook.

INSTAT i kërkon ndjesë publikut për këtë pamundësi ofrimi shërbimesh momental që shkaktoi ky incident dhe siguron publikun se po punon intensivisht për të rikthyer shërbimet e tij sa më shpejt të jetë e mundur. INSTAT do të njoftojë datat e reja të publikimit dhe falënderon përdoruesit, partnerët dhe veçanërisht ekspertët e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) për ndihmën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe deri në funksionimin e plotë të gjithë sistemeve të Teknologjisë së Informacionit të INSTAT.

INSTAT mbetet i angazhuar për të siguruar statistika zyrtare me cilësi të lartë dhe të besueshme për përdoruesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë