Politike

Hajdari: Ramës i pëlqen të drejtojë si sulltan, Bashës si rusët që eliminon bashkëpunëtorët

Në prezantimin e raportit për veprimtarinë vjetore të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2020, gjatë seancës parlamentare, deputetja Rudina Hajdari ka shigjetuar kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, duke i etiketuar si bashkëfajtor për ngecjen e integrimit të Shqipërisë në BE.  

 “…Gjithçka që ka pasur klasa politike në dorë ishte vullneti politik për ta çuar këtë proces përpara.

Në 2014 ne morëm statusin e vendit kandidat dhe më pas nuk ka ndodhur asgjë, sepse klasa politike nuk e do integrimin. Imagjinoni Edi Ramën, Sali Berishën, Ilir Metën, Lulzim Bashën, në një republikë ku institucionet të mos varen nga partitë.

E di që nuk e imagjinoni dot në një Shqipëri të tillë ata njerëz nuk do jetonin fare, ose do të jetonin në një dhomë të ftohtë të rrethuar nga hekurat. Imagjinoni se si do të ishte Shqipëria si një vend evropian.

Imagjinoni një vend ku fëmijët marrin arsim në institucionet publike. Një vend ku ligji është i barabartë për të pasurin dhe të varfrin. Një vend ku asnjë kriminel nuk guxon të dalë hapur në mes të qytetit.

Një vend ku policia ndëshkon krimin dhe jo njeriun e varfër. Një vend që ka paga dinjitoze dhe askush nuk detyrohet ti largojë fëmijët e tij në një vend tjetër për një të ardhme të mirë. Nëse arrihen këto do imagjinojmë përfundimin e procesit të integrimit evropian”, tha Hajdari duke kaluar tek emrat e përveçëm.

“Ky që është sot kryeministër është shumë i lidhur me modelin turk të qeverisjes, i pëlqen të jetë sulltan. Atij jashtë i pëlqen modeli rus, një person që eliminon të gjithë bashkëpunëtorët dhe i shpall armiq për të sunduar deri në vdekje, edhe nëse foleja e tij shndërrohet në një barake.

Këta nuk e duan procesin e integrimit evropian se do të thotë më shumë fuqi për qytetarët dhe për ligjin e kushtetutën dhe më pak fuqi për tre apo 4 persona që prej 30 vite e katandisën Shqipërinë në një raport katastrofe.

Këta me plaçkën e bërë do të jetojnë në një vend tjetër ku politikanët nuk janë të babëzitur”, tha ajo duke kaluar tek një mesazh elektoral.

“Mos mbështesni më këta njerëz. Kam besim që në prill do fillojë kthesa e këtij kombi. Forca qytetarë shqiptare dhe mos kini më frikë nga këta”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë