Politike

Hahn komenton ‘kufijtë’, Rama i firmos

Kryeministri Edi Rama, duke përfituar edhe nga periudha e pushimeve të gushtit ja ka dalë mbanë që të mbajë larg vetes së tij debatin delikat të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, megjithëse është qortuar jo pak herë për heshtjen mbi këtë temë.

Por, një koment, megjithëse nuk doli nga goja e tij, por nga ajo e Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn është gati ta “firmosë”.

“Përkthejeni në shqip këtë deklaratë dhe keni edhe nënshkrimin tim”, deklaroi Rama.

Kjo fjali e shkurtër para gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp pas samitit informal të Durrësit u shqiptua nga Kryeministri i Shqipërisë pas deklaratës së Johannes Hahn, të cilit iu kërkua një koment mbi temën e kufijve dhe mundësisë së ndryshimit të tyre.

“Takimi (Thaçi-Vuçiç) javën e ardhshme në Bruksel nuk do të jetë i fundit, do të ketë të tjera takime dhe do të kërkojë kohë që të gjendet një marrëveshje. Nuk komentoj përveç atij që u shqiptua në strategjinë e Ballkanit Perëndimor, që ne nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe dhe së dyti që është stabiliteti në rajon dhe çdo marrëveshje nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e përgjithshëm të rajonit”, u përgjigj Hahn.

Përgjigjia e Hahn reflekton lëkundjen e Brukselit për këtë temë, ndoshta nisur edhe nga fakti që korrigjimi i kufijve nuk shihet më si tabu në Uashington. John Bolton, këshilltari i Donald Trump e bëri të qartë këtë para pak ditësh, kur tha se SHBA do të mbështesë çdo marrëveshje, përfshirë edhe ndryshimin e kufijve nëse arrihet ujdia mes Serbisë dhe Kosovës.

Në këtë prizëm, deklarata e Hahn intepretohet si diplomatike dhe e mirëmenduar, duke lënë hapur mundësinë e ndryshimeve kufitare. Me “firmosjen” e këtij qëndrimi Kryeministri Edi Rama rreshtohet me Hahn, por më i qartë për këtë temë është treguar vartësi i tij, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Gjatë një takimi me përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ai tha se Shqipëria është kundër shkëmbimit të territoreve.

“Inkurajojmë vijimin e procesit të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme, që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin shumetnik dhe multikonfesional, siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, në pajtim me detyrimet që ka Serbia dhe në përputhje me normat ndërkombëtare dhe të drejtën europiane”, deklaroi ai në një intervistë dhënë për gazetën “Panorama”.

Vetë Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i vetëdijshëm se në momentin që do të merrnin radhën për pyetje, gazetarët do ta pyesnin për kufijtë me Serbinë dhe debatin e hapur nga Presidenti Hashim Thaçi, i parapriu kësaj teme dhe ishte koherent me deklaratat e lëshuara edhe në javët e kaluara.

Rama dhe Haradinaj përpara fillimit të takimit

“Desha të shtoj diçka për kufijtë. Kosova i ka kufijtë e saj dhe i respektojmë dhe nuk mendoj se duhet ndonjë kreativitet i ri për dizenjimin e tyre, por duhet t’i respektojmë”, u shpreh ai.

Një tjetër çështje për të cilën Edi Rama u pyet nga gazetarët në përfundim të samitit në Durrës lidhej me nismën e Shqipërisë për të ndihmuar Italinë duke marrë 20 refugjatë nga anija ‘Diciotti’, të refuzuar me urdhër të ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini. A fsheh kjo gadishmëri e qeverisë shqiptare përpjekjen për t’u marrë “me sy të mirë” nga europianët dhe për të lehtësuar negociatat?

“Nuk e kemi bërë këtë për të ndikuar kudoqoftë, por nuk mund të rrinim spektatorë përballë një shfaqjeje dhimbjeje dhe turpi ku njerëz që janë larguar nga ferri u kthyen në të burgosur të impotencës politike, apo edhe europiane po të doni. Nuk mund ta zgjidhim këtë problem, por në pozitën e dikujt që rri shikon, ne bëmë atë që mundëm ndërkohë që ishte rasti dhe është për të rikujtuar se Ballkani në krizën e 2015 ka bërë atë që duhet të kishte bërë e gjithë Europa, duke u treguar një rajon tërësisht europian edhe ndaj vlerave që e mishërojnë Europën. Theksoj që ishte një pjesë krejt e natyrshme si shqiptarët dhe europianë dhe si njerëz që ishim ne dje ata eritreas të sotëm. Gjesti ynë s’ka patur asnjë gjë të fshehtë”, u përgjigj Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë