Lajme

Habilajve u sekuestrohet edhe pika e karburantit në Vlorë

Grupit të “Habilajve” iu sekuestrohet edhe pika e karburantit në Vlorë. Antikrimi Ekonomik në Vlorë vendosi nën sekuestro një tjetër pasuri të familjes Habilaj, e ndodhur në afërsi të Spitalit rajonal. H.OIL, pika e karburantit është në pronësi të Artan Habilaj, vëllai i Moisi Habilajt i arrestuar në Itali për trafik droge.

Më 21 shtator, Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestroi 1 milionë euro pasuri të vëllezërve Habilaj. Sekuestroja u bë për 31 pasuri, të gjitha këto të regjistruara në qytetin e Vlorës. Dhjetëra pasuri të paluajtshme, apartamente, prona, por dhe makinat e tyre luksoze.  Këto vendime merren si rezultat i zbatimit të ligjit “Antimafia”.

Urdhri për sekuestrimin e pasurive të Habilajve u firmos nga grupi i prokurorëve që drejtoheshin nga Besim Hajdarmataj, vetëm pak orë para se këtij të fundit t’i komunikohej vendimi i transferimit për në Prokurorinë e Pogradecit.

Mes makinave të sekuestruara është edhe “Audi” A8  i famshëm që dikur ishte në pronësi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kushëri i largët i Habilajve. Nga targa  AAAOO3GB, targa e re është  AA 900 NF.

Ndaj ish-ministri Tahirit ka akuza se ka udhëtuar me këtë makinë pavarësisht se ishte në pronësi të Habilajve, por që janë mohuar nga ish-deputeti.

Në nëntor 2017, Prokuroria italiane e Katanias lëshoi urdhër-arreste për anëtarë të grupit kriminal Habilaj. Por, pas hekurave aktualisht është vetëm Moisi Habilaj. Dy vëllezërit e tij, Artan dhe Florian Habilaj, të cilët gjendeshin në Shqipëri, nuk arritën të arrestoheshin.

Prokuroria shqiptare për dosjen e Habilajve ka akuzuar për përfshirje edhe ish-ministrin Tahiri, për të cilin kërkoi edhe autorizim nga Kuvendi për arrestim, por shumica vendosi vetëm hetim të lirë. Grupi i Habilajve akuzohet për trafikun e tonelatave kanabis nga Shqipëria në Itali, ndërsa nga përgjimet rezulton se janë përfshirë edhe zyrtarë të policisë, për të cilët vijojnë hetimet nga pala shqiptare.

Moisi Habilaj

Përgjimet dhe ministri Tahiri

Mes përgjimeve përmendet edhe emri ish-ministrit Tahiri. Në dosjen prej më shumë se 400 faqesh, në përgjimin e datës 16 dhjetor 2013 mes Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelës hetuesit thonë se “Të dy flasin për një person me pushtet me emrin “Sajmiri”. Moisiu thotë: Çfarë ka më shumë se ne ai? Por Sabi (Sabaudini) i përgjigjet duke i thënë që Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozitës), por nuk beson që ka më shumë para se ata. Moisiu bën llogaritë sipas të cilave Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi i thotë që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale. Por Moisiu i thotë që atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale”.

Emri i ministrit del gjithashtu edhe në një tjetër bisedë. Moisi Habilaj në shumicën e kohës qëndronte në Itali, ndërsa i vëllai, Floriani, merrej kryesisht me problemet që lindnin në Shqipëri. Në dosje përmendet takimi me një person të njohur si “Kapo”, siç del nga përgjimet dhe jepte shpjegime mbi dështimin e transfertave e drogës dhe konfliktet e grupeve të tjera. Policia italiane nuk ka një shpjegim se kush është kapo që kontrollon dhe mban qetësinë. Policia italiane ka përgjuar me shumë kujdes trafikantët menjëherë pas aksioneve të drogës.

Florian Habilaj, i njohur si "Lolo"

Prokuroria shqiptare kërkoi në tetor të vitit të kaluar që Parlamenti t’i hiqte imunitetin dhe të arrestohej deputeti i PS-së, Saimir Tahiri. Kërkesa e Prokurorisë u rrëzua nga ana e Parlamentit. Maxhoranca socialiste e cilësoi si të papranueshme kërkesën për arrestim, duke u shprehur e hapur për hetimin në gjendje të lirë të Tahirit.

Nga banda e Habilajve u ndalua Nezar Seitaj, i cili njihej si “Financieri”. Menjëherë ai u ekstradua në Itali dhe kjo shkaktoi akuza të opozitës ndaj qeverisë se po kërkonte ta shpëtonte atë. Por ato u hodhen poshte nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Aktualisht Seitaj po gjykohet i lirë në Itali dhe veçmas dosjes së “Habilajt”.

Më 21 shtator të këtij viti, Prokuroria sekuestroi 31 pasuri të famijes Habilaj në vlerën e 1 milionë eurove. Në total bëhet fjalë për 8 apartamente, 5 ndërtesa, rreth 30 garazhde, 10 dyqane dhe 5 automjete. Në bazë të kontratave të blerjes së këtyre pasurive, shifra e shpenzuar nga Habilajt është mbi 1 miliardë lekë. Por, hetuesit dyshojnë se vlera e tyre është disa herë më e lartë, referuar çmimeve të tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë