Pasi arkivi i Teatrit të Durrësit u shkatërrua, nuk dimë më se kush jemi. Kështu i përgjigjej aktori Guljelm Radioja regjisores dhe aktores Suela Bako, në një intervistë realizuar në mjediset e Teatrit Aleksandër Moisiu, në 68 vjetorin e themelimit të tij.
Të dy aktorë të trupës së këtij teatri, në breza të ndryshëm, vinin në pah rëndësinë e tij në artin skenik shqiptar.
Në 25 vite si aktor i kësaj trupe, Radoja realizoi 100 role. Më të mirin, cilëson atë të inxhinier Sajmirit, në dramën “Çështja”, të regjisorit Mihallaq Luarasi. Ishte edhe roli i tij i parë, pasi kishte lëvizur nga Estrada Profesioniste e Fierit drejt Durrësit.
“Fatkeqësia ime dhe e kolegëve të mi është se jemi pa identitet. Pasi arkivi i Durrësit u shkatërrua nuk e dimë më se kush jemi. Nuk dimë fare se kur kemi ardhur, se ç’kemi bërë...janë në tym gjërat dhe pritet thjesht nga kujtesa jonë t’ua referojmë spektatorit kush kemi qenë e çfarë kemi bërë”.
Mes 100 roleve në këtë Teatër do të veçonte dhe një të dytë, atë të fundit. “Përshpirtje në shtëpinë e Matildës”, e vënë në skenë nga Arben Imami.
Radoja i përfundoi studimet Institutin e Lartë të Arteve - sot Universiteti i Arteve ku ai është pedagog - për Dramaturgji në vitin 1972 dhe e nisi karrierën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit.
Fillimet e karrierës së tij përkuan me revolucionin kulturor që ndali çdo gjë të huaj, përfshirë edhe dramaturgjinë botërore. Regjisorëve dhe aktorëve i mbetej të mbështeteshin tek dramaturgjia vendase. “Pengu im është si arritën deri aty, që na u ndaluan kryeveprat botërore”.
Impaktin tek publiku i gjerë do ta kishte me rolet kinematografike, në një kohë kur filmat- sicc thotë ai “ishin i vetmi divertiment i njerëzve nëpër shtëpi”.
Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970.
Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin "Mësonjëtorja" në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin "Kush vdes në këmbë" në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin "Kolonel Bunker" në vitin 1998, etj.
Pas rrugëtimit nëpër teatrot e Shqipërisë, ky në Teatrin Kombëtar pat luajtur fillimisht tre role, por siç ka rrëfyer ai më herët e larguan për shkak të biografisë, në Durrës thotë se e gjeti veten të ngarkuar me punë.
“Në atë kohë punohej me plan dhe duhej patjetër që teatri të realizonte katër premiera”.
Radoja vazhdon të banojë në Durrës, ku karriera e tij hodhi themelet dhe u zhvillua. Ndërsa mbështeste artistët në kauzën kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, u thoshte se nga Durrësi, edhe pse fizikisht nuk ndodhej shpesh me qëndrestarët, ishte me ta...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.