Njerez

Guidat shqiptare i udhëzojnë të huajt të mos blejnë reliket autoktone shqiptare pa ulur çmimin

Guidat shqiptare i udhëzojnë të huajt të mos blejnë reliket autoktone shqiptare pa ulur çmimin

Nga Megi Iskurti - “E gjithë bota ka kulturë dhe sende antike të ndryshme por Shqipëria i ka të virgjra, autentike. Aty gjen mistikën, simbolin, trashëgiminë dhe ne nuk dimë t’i vlerësojmë”- u shpreh me keqardhje  Mine L, një tregtare që ka mbi 20 vite që punon në tregun e sendeve të vjetra shqiptare.

Në perimetrin e rrugëve të Pazarit të Ri në Tiranë, gjen disa dyqane rradhazi që ndër vite tregtojnë e koleksionojnë objekte të vjetra shqiptare të cilat i kanë rezistuar kohës dhe përbëjnë interes për qytetarë të apasionuar.

Ky është një treg i cili sipas antikuarëve haset me problematika të shumta dhe nuk ka ende një rregullator specifik që të vendosë një dysheme për çmimet.

Ata tregojnë se ai është informal në sensin që e vendosin vetë se sa e marrin një produkt të caktuar dhe e vendosin po vetë se sa do e shesin atë, në varësi të vlerës dhe standardit që ato mendojnë se ka.

Përgjithësisht, objektet mblidhen nga familjet shqiptare që ua ofrojnë në varësi të një çmimi por edhe në disa pika skrapi më të cilët tregtarët kanë lënë kontakte.

Në çdo dyqan të tillë gërshetohen natyrshëm tezgjahe të ruajtuara ndër vite, enë prej bakri dhe balte, qilime të punuara me dorë, llulla duhani, monedha, medalje, helmeta ushtarësh, qeleshe, piktura, mangall druri, çifteli...

Mineja, tregtarja e apasionuar pas këtyre relikeve, tregoi për gazetën “SI” se sa i pavlerësuar është ky treg në Shqipëri dhe se sa e kanë zhvlerësuar shqiptarët identitetin kombëtar.

“Gjatë pandemisë, tregu ynë pati kolpon më të madhe sepse çdo gjë e ka të lidhur me turizmin, emigrantët dhe të huajt e mbajnë këtë treg në këmbë.

Na është dashur të sakrifikojmë aq shumë për ta mbajtur gjallë.

Objektet përgjithësisht na i sjellin vetë njerëzit që i kanë patur si trashëgimi në shtëpi ndërkohë qeveria vjen e më kërkon mua faturë Tvsh-je nga një e moshuar që më sjell dorazi një qilim njëqind vjeçar të cilin e ka trashëguar nga gjyshja e saj.”

Teksa më rrëfente, ajo herë pas here më bënte krahasim me vendet e tjera të botës ku kishte shëtitur dhe kishte parë mënyrën se si funksionon ky treg.

“Në Kroaci takova njëherë një artizan dhe një koleksionist dhe kur bleva diçka e pyeta se përse nuk më dha mbrapsht një kupon.

Ai mu përgjigj se artizanët dhe koleksionistët atje nuk jepnin kupona, madje shteti i tyre kishte vendosur embargo. Në një periudhë kur në Kroaci kishtë rënë prodhimi vendas, kroatët merrnin filigram nga Shkodra 3 euro dhe pasi e kishte kuptuar këtë, Kroacia kishte vendosur edhe 5 euro shtesë në doganë në mënyrë që të mbajë prodhuesin vendas.”-më tregoi ajo për të nxjerrë në pah kontrastin se si objektet e vjetra shqiptare tregtohen lehtësisht në botë dhe tani më shumë mund të gjesh prej tyre në shtete të ndryshme se sa në Shqipëri.

Kur i pyesja se sa blejnë shqiptarët sende të tilla, trishtueshëm luanin kokën me keqardhje dhe më bënin me dije se ata që blejnë janë vetëm njerëz të artit dhe përgjithësisht ndonjë koleksionues që është i apasionuar pas tyre.

“Këto produkte qindra vjeçare që ne kemi,duan shumë kujdes për t’i mbajtur. Duhet t’i mbrojmë nga mola, nga zverdhja, nga shumë gjëra. Duan përkushtim dhe solucione që kushtojnë.

Kur vjen momenti tek çmimi, qytetarët janë të prirur të negociojnë dhe gjithmonë u duken shtrenjtë edhe pse ata kanë vlerë të madhe. Edhe pse përfaqësojnë identitet kombëtar.”-më rrëfeu Hazizi, që shet pranë Parlamentit të Shqipërisë.

Ajo që më bëri përshtypje është fakti se shumë nga këta tregtarë ankoheshin  që guidat shqiptare nxisnin të huajt të mos binin dakord për çmimet e relikeve të ndryshme.

“Kam ndjerë keqardhje dhe pështjellim njëherazi një ditë që më erdhi një franceze në dyqan. Ajo ishte shumë e interesuar për xhubletën shqiptare të cilën ne e kemi më shumë se katër mijë vjeçare dhe të gjithë detajet e saj janë punuar me filigram.

Guidat tona, i kishin shkruar në bllokun që ajo kishte me vete,  të mos blinte asnjëherë pa negociuar për çmimin.

‘Kërko gjithmonë që të të ulin çmimin’, i kishin shënuar asaj ata në bllok, dhe mua kjo gjë më ka ndodhur me disa të huaj që vijnë me guida në Shqipëri.

Është e tmerrshme që ne në vend se ta mbrojmë me më shumë fanatizëm tregun tonë të këtyre sendeve kaq me vlerë, e ulim me zor identitetin e tyre.

E gjithë kjo bëhet vetëm që guidat të bëjnë figurë të mirë para tyre por kjo gjë më shqetëson aq shumë. Përse nuk e kuptojnë që  nuk bëjnë figurë të mirë në momentin që zhvlerëson relike të tilla tërësisht artizanale e të ruajtura ndër vite.”-më rrëfeu sërish e revoltuar Mineja.

Tregu i sendeve të vjetra është i varfër sipas tregtarëve, ka ditë që në dyqanet e tyre nuk futet askush të blejë dhe ditë të tilla mund të zgjasin me javë.

Një nga shqetësimet e tyre është fakti se shqiptarët përfshihen nga euforia e madhe për një objekt vetëm kur një nga ta futet në Unesco ose merr vëmendje  botërore.

“Turistëve të huaj u lexohet endja dhe kënaqësia që në sy teksa marrin ndër duar objekte të ndryshme kulturore dhe nxiten të kërkojnë më shumë informacion nga e kaluara, se sa datojnë, se si janë punuar, cila është historia që qëndron pas tyre.

Ndërkohë shqiptarët, që rrallë zgjedhin të kthejnë vështrimet nga dyqanet tona, edhe kur vijnë që interesohen për ndonjë gjë specifike, gjithmonë përfundojnë dukë thënë që e duan si dhuratë për një të afërm që jeton jashtë shtetit.Këtu në Shqipëri e mbushim shtëpinë me kinezeri.”-më rrëfeu po prap Hazizi, i cili kishte objekte që datonin përtej kohës së mbretërisë së Ahmet Zogut e që tërësisht të pluhurosura qëndronin ngjeshur me njëra-tjetrën në një etazher të drunjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë