Futboll

Guardiola operohet me urgjencë në shpinë, në shtator rikthimi te Mançester Siti

Gazeta Si - Pep Guardiola nuk do të jetë në stolin e Mançester Sitit për dy ndeshjet e ardhshme kundër Shefilld Junajtid dhe Fulhem. Ai do të kthehet pas ndërprerjes së kampionatit për ndeshjet e kombëtareve.

Sipas një komunikate të Mançester Sitit, trajneri vuan prej kohësh nga dhimbjet e forta në shpinë dhe ka udhëtuar drejt Barcelonës për një ndërhyrje kirurgjikale urgjente te doktoresha Mireia Illueca. Ndërhyrja u krye me sukses dhe Guardiola do të qëndrojë për kohën e rehabilitimit në Barcelonë. Skuadra do të drejtohet nga zëvendësi i tij Juanma Lilo.

Guardiola operohet me urgjence. Gazeta Si, 22 gusht 2023

Pas Kevin De Bryjne, që kthehet në 2024-ën, dhe Xhon Stons jashtë deri në mes të shtatorit, Mançester Siti humb edhe trajnerin e tij. Faji është i problemeve në shpinë që trajneri katalanas ka pasur prej kohësh, por kohët e fundit situata ishte përkeqësuar, ndaj dhe ndërhyrja ishte e nevojshme.

Nëse programi i rikuperimit shkon mirë, Guardiola duhet të kthehet në stol kundër Uest Hemit, më 16 shtator. Skuadra i është besuar Lilos, i kthyer në Angli pas një sezoni në Katar, ku drejtoi Al Sad. Spanjolli 57-vjeçar e njeh mirë ambientin, pasi ka qenë zëvendëstrajner nga 2020-a deri në 2022-shin. Guardiola ka besim absolut tek ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë