Politike

Grupi i PD-së, Basha: Të mbyllen zgjedhjet në parti, bojkoti vijon

Zgjedhjet në PD, aksioni politik i opozitës lidhur me çështjet si prishja e ndërtimeve në zonën e Unazës së Madhe në Tiranë, buxheti i shtetit 2019 që diskutohet këtë javë në Parlament dhe Komisioni i Venecias, kanë qenë në fokusin e mbledhjes së grupit parlamentar të demokratëve.
Në mbledhjen e grupit mësohet se Basha ka kërkuar përfundimin e procesit zgjedhor për zgjedhjen e strukturave, duke filluar me seksionet, grupseksionet, si dhe të kryetarëve të degëve të PD-së.


Kryedemokrati ka urdhëruar që këtë fundjavë ë mbyllet i gjithë ky proces brenda dy javëve në mënyrë që me 15 dhjetor të zgjidhen edhe anëtarët me të drejtë vote në Kuvendin e PD-së.
Mandati i Kuvendit Kombëtar i ka mbaruar më në shtator të këtij viti, ndërsa mësohet se dhe drejtuesit e tjerë të PD-së do t’u përfundojë mandati brenda këtij muaji. Nënkryetarët Edi Paloka, Edmond Spaho dhe sekretarit të Përgjithshëm të PD-së iu mbaron mandati, ndërsa në këtë Kuvend do të hapet gara për zgjedhjen e drejtuesve të rinj që do të përbëjnë ekipin e kryedemokratit Lulzim Basha.


Do jenë anëtarët e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të PD-së, ata që me votën e tyre do të përcaktojnë sekretarin e ri të PD-së, nënkryetarin dhe kryesinë e re të demokratëve. “Ne duhet të diktojmë axhendën politike të vendit, siç kemi bërë deri tani’, është shprehur Basha.
Ndërsa ka pasur zëra që kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve për drejtuesit e lartë të PD-së, të cilët e kanë argumentuar me faktin se opozita gjendet para përballjes elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019. Ekipi i ri i PD-së është parë si mundësi për të dalë para shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme lokale.


Pas këtij procesi mësohet se PD-ja do të ngrejë shtabet elektorale për t’u përgatitur për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Sa i përket çështjes së buxhetit të shtetit, ku mazhoranca i ka bërë thirrje opozitës që të jetë prezent në seancën e së enjtes, demokratët kanë vendosur që të vijojnë bojkotin e Parlamentit.
Mësohet se PD ka vendosur që të enjten të zhvillojë një “Parlament paralel”, duke diskutuar mbi buxhetin e qeverisë socialiste.


“Në vazhdën e shqetësimit mbi situatën ekonomike në vend dhe problemet shtesë që sjell P/Buxheti 2019 në ekonominë e vendit, PD nën kujdesin e Kryetarit Basha organizon një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit, ekspertë, gazetarë e grupe interesi. Ditën e enjte 22 nëntor, ora 10:00”- thuhet në njoftimin zyrtar të PD.    


Ndërsa sa i përket bojkotit, PD-ja do ta vazhdojë atë. Opozita ka bojkotuar Kuvendin prej muajsh dhe se sipas Rregullores së Kuvendit më 19 dhjetor deputetët e opozitës nëse nuk marrin pjesë ka afat pasi më pas i duhet të jetë e pranishme në Kuvend, pasi iu digjen mandatet e deputetëve. Vendimmarrja për të këtë çështje i takon një çështjeje të dytë nga ana e PD-së.
Sa i takon protestave për unazën e re, PD-ja ka vendosur që t’i mbështesë protestuesit, të cilët prej më shumë se 15 ditësh po kontestojnë prishjen e ndërtimeve të shtëpive apo dhe objekteve të biznesit të tyre.


Grupi parlamentar i PD-së është informuar edhe me takimin zhvilluar me ekspertët e komisionit të Venecias, të cilët kanë ardhur në Tiranë për t’u njohur mbi qëndrimet e palëve mbi nismën më të fundit të opozitës për ndryshimin e Kushtetutës për realizimin e Vettingut në Politikë.
Brenda një muaji, Komisioni i Venecias do të nxjerrë opinioni mbi nismën e opozitës, të firmosur nga deputetët e PD-së dhe të LSI-së për Vettingun në politikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë