Politike

Gruevskin e gjykojnë shqiptarët

Për vite me radhë kishte në dorë fatin e shqiptarëve në Maqedoni, ndërsa sot, fati i tij varet nga një shqiptar i vetëm. Në Shkup kanë nisur seancat gjyqësore publike për rastin e njohur në mediat dhe publikun vendas si “Titaniku”.

Bëhet fjalë për 1063 përgjime audio, ku janë përfshirë ish-ministra dhe ish-zyrtarë të lartë të qeverisë së VMRO-DPMNE-së si dhe vetë ish-Kryeministri Nikolla Gruevski.

Veç ish-Kryeministrit, Prokuroria Speciale maqedonase akuzon edhe ish-ministren e Brendshme, Gordana Jankullovska dhe kreun e Bashkisë së Pustecit në Shqipëri, Edmond Themelko për shpërdorim detyre, ndikim të paligjshëm në proces zgjedhor, falsifikime dhe blerje votash.

Dosja voluminoze lidhet me një sërë manipulimesh që prokuroria thotë se janë kryer në disa palë zgjedhje, vendore dhe për pushtet qendror në Maqedoni, ku përmes intimidimit, presionit, blerjes dhe falsifikimit shtrembërohej rezultati i votimit.

Mes trupës së gjyqtarëve që po gjykojnë këtë çështje është edhe Osman Shabani, i cili dëgjoi këtë javë në një seancë ish-ministren e Brendshme, Gordana Jankullovska. Kjo e fundit, kërkoi përmes avokatit të saj që 1063 përgjimet të shpallen të pavlefshme, ndërkohë që u ankua se i ishin shkelur të drejtat e njeriut.

“Mua më janë shkelur të drejtat e njeriut, pasi për vite me radhë jam përgjuar pa patur asnjë autorizim për këtë akt dhe pa u vënë asnjëherë në dijeni”, deklaroi ajo.

Kjo deklaratë e Jankullovskës është interpretuar nga mediat maqedonase dhe ato shqiptare në Shkup si drejtim gishti fajësie nga ish-eprori i saj, Nikolla Gruevski, të cilin e akuzojnë si njeriu që qëndron pas këtyre përgjimeve.

Grupi i prokurorëve që po merren me këtë dosje, mes të cilëve është edhe prokurorja Fatime Fetai, njoftoi se shtatë nga përgjimet audio do të dëgjohen në seanca gjyqësore me dyer të mbyllura për shkak të përmbajtjes tejet sensitive të tyre.

Në njërin nga përgjimet e bëra publike shfaqet Martin Protogjer, ish-shefi i kabinetit të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski me ish-ministren e Brendshme, Gordana Jankullovska, ku diskutojnë se si çdo punonjës në administratë duhet të sigurojë 15 vota, rast që e publikoi edhe televizioni A1 përmes një kronike investigative që i kushtoi një sulm të pashembullt të autoriteteve, deri në mbylljen e televizionit.

Mes përgjimeve ka dalë edhe emri i Menduh Thaçit, kreu i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni. Ai është përgjuar në një telefonatë me ish-shefin e shërbimit sekret maqedonas, Mile Janakieski. Në bisedë, sipas përgjimeve të publikuara në 2015 edhe nga Zoran Zaev, në atë kohë në opozitë, Janakieski i kërkon ndihmë Menduh Thaçit për të quajtur të pavlefshëm procesin zgjedhor në Strumicë. Ky rast është quajtur “Titaniku 2”.

Nga prokurorët, Mile Janakieski konsiderohet si personi kyç në të gjithë këtë dosje. Ai ka qenë njeriu që ka koordinuar përgjimet e të tjerëve, por nuk ka qenë vetë asnjëherë në dijeni se po përgjohej.

Ish-shefi i shërbimeve sekrete maqedonase doli para gjykatës në të njëjtën ditë me Gordana Jankullovskën dhe ashtu si ish-ministrja e Brendshme kërkoi pavlefshmërinë e përgjimeve.

“Të konstatohet autenticiteti i përgjimeve. Gjykata nuk mund të japë një vendim të drejtë dhe të rregullt nga prova që janë siguruar në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të ashpër të të drejtave të njeriut”, deklaroi ai.

Për shkak se Gordana Jankullovska është ende me lejen e lindjes, gjykatësi Osman Shabani vendosi një orar të reduktuar dhe me pushime të shpeshta për kalendarin e seancave në të ardhmen.

Ndërkohë, avokatët e Nikolla Gruevskit dhe të tjerëve kërkuan që të refuzohej kërkesa e Prokurorisë Speciale për të vazhduar në seanca me dëgjimin e përgjimeve të tjera. Ata thonë se përgjimet janë marrë nga zyrat e LSDM-së, por pa asnjë procesverbal.

Avokatët thonë se ka disa deklarata kontradiktore nga ana e Prokurorisë Speciale, duke njoftuar fillimisht se i kanë procesverbalet e marrjes në dorëzim të përgjimeve dhe më vonë duke thënë se këto procesverbale nuk ekzistojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë