Njerez

Gruaja që nuk dorëzohet, 40 vjet në kërkim të së vërtetës për bashkëshortin

Një grua vazhdon të trokasë në zyrat shtetërore prej 4 dekadash për të zbuluar se cila është e vërteta e vdekjes së bashkëshoritit të saj. Një burim pranë Avokatit të Popullit tregoi ekskluzivisht për Gazetën Si se gjithçka ka nisur gjatë diktaturës dhe që prej atëherë Marika Bulgareci nuk është dorëzuar, por kërkon t’i jepet përgjigje: Përse vdiq i shoqi? Siç mëson Gazeta Si, Klement Riza Bulgareci ka ndërruar jetë në 1980 dhe prej atëherë familja nuk ka rreshtur për zbulimin e së vërtetës. Familja dhe bashkëshortja prej dekadash u janë drejtuar të gjitha institucioneve zyrtare për të marrë informacion, arkivave, policisë, Ministrisë së Brendshme, por nuk kanë marrë asnjë të dhënë që do të qetësonte shpirtin e tyre. Së fundmi letra i është drejtuar edhe Avokatit të Popullit. Marika Bulgareci i thotë ndër të tjera Avokatit në letrën që Gazeta Si disponon:
“Nga data 29 janar deri në pesë shkurt 1980, Ministria e Mbrojtjes ka organizuar një stërvitje ushtarake të quajtur “Marshim në gjurmët e Brigadës së parë Sulmuese” me repartin ushtarak numër 1105, Tiranë. Në këtë stërvitje ka marrë pjesë si rezervist edhe bashkëshorti, shtetasi Klement Riza Bulgareci. Ai ka qenë punonjës i Televizionit Shqiptar dhe anëtar i Këshillit Popullor të Tiranës. Gjatë stërvitjes ushtarake, në rrethana akoma të paqarta, Klementi ka humbur. Pas humbjes së tij, nga Ministria e Mbrojtjes janë organizuar disa ekipe kërkimi me ushtarë të reparteve ushtarake në bashkëpunim me popullsinë e zonës, ku kishte kaluar efektivi i repartit ushtarak numër 1105, Tiranë. Më pas, pas gati dy javë kërkimesh, më datë 14 shkurt 1980, bashkëshorti u gjet i vdekur në pyll, mes shkurreve dhe dëborës në zonën e fshatit Shkallë të Rrethit Tiranë. Unë dhe prindërit e bashkëshortit u jemi drejtuar disa institucioneve për të marrë përgjigje, një informacion lidhur me rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së Klementit, por askush nuk na e dha këtë informacion”.

Sikurse mëson Gazeta Si, nga praktika e ndjekur në vite nga familja që kërkon të vërtetën, të njëjtën gjë ka bërë më herët edhe babai i të ndjerit Koli Riza Bulgareci. Në 2017, i moshuari i ka shkruar Avokatit të Popullit, siç kishte vepruar edhe më herët edhe në vitin 2007. Në atë kohë po Avokati i Popullit është vënë në lëvizje nga familja, çka ka sjellë edhe vënien në lëvizje të Prokurorisë, e cila nga ana e saj ka urdhëruar arkivën të nxjerrë nga pluhuri dosjen e Klement Riza Bulgarecit. Por arkiva i është përgjigjet organit të akuzës me shkresën 5173 datë 25 shtator 2007 se “arkiva për periudhën para viteve 1990 është në rikonstruksion dhe nuk është e mundur që të kryhet ky verifikim”.
Për këtë shkak komisionerja e Avokatit të Popullit duke iu refruar ankesës së gruas këmbëngulëse - sipas burimeve të Gazetës Si - në fund të muajit dhjetor 2019 i ka dërguar sërisht shkresë Prokurorisë së Tiranës që të hapë arkivat dhe t’i vendosë familjes në dispozicion fotokopje të vendimeve për hetimin e ngjarjes së para 30 viteve. Komisionerja kërkon përgjigje për pyetjet sa më poshtë:
A është hetuar në atë kohë nga prokuroria ngjarja e vdekjes së Klement Riza Bulgarecit
A është kryer ekzaminim në trupin e tij?
Nëse janë kryer hetime, cili është konkluzioni i hetimeve?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë