Ngjarje

Vrasja e gruas në Fier, fqinjët mohojnë konfliktet mes çiftit. Shenjat në trupin e burrit zbuluan krimin

Gazeta Si - Një ditë pasi u masakrua me thikë nga bashkëshorti i saj, Valdete Mamaj do të përcillet këtë të mërkurë në banesën e saj të fundit.

Vrasja e 50-vjeçares nga bashkëshorti, nuk do të ishte zbuluar menjëherë, nëse në trupin e tij nuk do të ishin pikasur disa shenja gërvishtjeje, që nënkuptojnë se para krimit mes çiftit ka pasur një përleshje fizike.

Ndërkohë, fqinjët e çiftit Petrit dhe Valdete Manaj kanë deklaruar se ata ishin njerëz të qetë dhe shumë të respektuar në lagje. Një banore e lagjes, shprehet se është tronditur kur ka mësuar lajmin.

Petrit Mamaj, autori i dyshuar i vrasjes së gruas së tij në Fier

“Njerëz më të mirë nuk kemi, ne kështu i kemi njohur dhe na ka dhembur shpirti. Ne kemi 50 vjet këtu dhe i kemi njohur si njerëz shumë të mirë, nuk e dimë sesi erdhi kështu, o Zot. Nuk e dimë se pse ndodhi kjo gjë, njerëz shumë të mirë”, ka thënë një nga fqinjët.

Sipas banorëve, ata nuk kanë qenë konfliktualë. “Nuk kanë qenë njerëz të konflikteve dhe të sherreve, punonin burrë dhe grua dhe rrisnin fëmijët, - thotë një tjetër. - Se çfarë kishin me njëri-tjetrin nuk e di, por ajo ishte vajzë shumë e mirë dhe ai djalë shumë i urtë. Të dy kanë qenë të mirë sesi i kishin hallet e dinë vetë ata”.

Vrasja e Valdete Manajt ndodhi mëngjesin e martës në Fier. Autor i ngjarjes së rëndë, Petrit Mamaj, fillimisht pretendoi se gruaja kishte kryer vetëvrasje.

Shtëpia e çiftit Mamaj në Sheq të Madh të Fierit

Mbërritja e policisë në banesë dhe shenjat e disa gërvishtjeve nëpër duar dhe trupin e tij, së bashku me deklarimet kontradiktore, ngjallën dyshime te grupi hetimor se nuk ishte vetëvrasje, por një vrasje e paramenduar.

Në ambientet e policisë 56-vjeçari pranoi krimin duke thënë se e kishte kryer për xhelozi. Valdete Mamaj është goditur gjashtë herë me thikë në zemër nga burri i saj. Burime nga policia, thanë se pasi e ka vrarë nënën e dy fëmijëve të tij, Petriti ka dalë për të pirë kafe në lokalin e lagjes.

Në orën 07:30 kthehet në shtëpi dhe lajmëron vëllanë e tij që Valdetja ka vrarë veten me thikë. Krimi ndodhi dy ditë pasi djali i tyre ishte larguar drejt Gjermanisë ku jetonte.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë