Ngjarje

Bashkëshorti vrasës pranon krimin: Gruaja më donte të vdekur, më bëri gjilpërë në gjumë

Me pranga në duar dhe nën masa të rrepta sigurie, Petrit Mamaj ka pranuar pasditen e të mërkurës krimin ndaj bashkëshortes së tij, Valdete Mamaj.

Në Gjykatën e Fierit, pala mbrojtëse ka kërkuar shtrimin e 56-vjeçarit në një spital psikiatrik, duke kërkuar “mëshirë” dhe shfaqur “pendesë për krimin e rëndë”. Por gjykata ka refuzuar transferimin në spital, duke mbajtur në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”. Avokati Kastriot Dyrmishaj, tregon se klienti i tij ka treguar të gjithë ngjarjen dhe motivin e tij pse e kishte vrarë gruan.

Mes çiftit kishte vite që ishin acaruar marrëdhëniet, ndërsa 56-vjeçari pretendonte se një muaj më parë gruaja kishte tentuar ta vriste bashkë me një të afërmin e saj.

Petrit Mamaj me pranga në duar në Gjykatën e Fierit

“Pranoi krimin. Ai pretendonte se bashkëshortja me njeriun e vet i kishin bërë një gjilpërë në gjumë një muaj e gjysmë më parë me qëllim që ta vrisnin. Flinin të ndarë me njërin tjetrin, - tregon avokati i Petrit Mamajt. -  Në mëngjes, rreth orës 06:00-06:30, i kishte shkuar në krevat dhe i kishte thënë pse ma bëtë gjilpërën. E kishte vrarë me thikë dhe më pas kishte shkuar të hante në një lokal. Më pas ishte kthyer tek i vëllai dhe i kishte thënë se kishte vrarë veten”.

Petrit Mamaj qëlloi 6 herë gruan e tij, Valdete Mamaj me thikë duke i shkaktuar vdekjen mëngjesin e së martës. Më pas, ai e raportoi ngjarjen si vetëvrasje, ndërsa më vonë ka rrëfyer krimin në polici për motive xhelozie.

Çifti ishin prindër të dy fëmijëve që jetojnë jashtë vendit, ndërsa djali një ditë para vrasjes, ishte nisur në Gjermani, ku jetonte edhe motra e tij. Petrit Mamaj, është punonjës i Bashkisë së Fierit në ndërmarrjen e pastrim-gjelbërimit, ndërsa Valdete Mamaj punonte në një dyqan rrobash.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë